Nga Zamir MATI

15 gusht 1945-1992 është Flota Luftarake Detare e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e cila ka pasur flamurin e saj, kjo flotë i trashëgoi disa anije Flotës së Republikës së Shqipërisë anëtare e NATO-s, e cila sot mban një tjetër flamur.
Në këtë ditë të shënuar të historisë detare shqiptare është një nder të kujtosh punën dhe detyrën që ka kryer kjo flotë me efektivat e saj detarë dhe oficerë në gjithë jetëgjatësinë e saj dhe në të gjitha njësitë anije, reparte e vendbazime ku kanë shërbyer me sakrifica për mbrojtjen e Atdheut.

Ish-efektivi i Flotës Luftarake Detare, por edhe historia nuk harron edhe dy shkollat e detarisë atë të instruksionit dhe akademinë detare që u mbyll fatkeqësisht vite më parë.
Shkolla të një vendi mesdhetar aq të domosdoshme për mbrojtjen e zhvillimin në të gjitha fushat e detarisë si ekonomike ashtu edhe turistike.

Flota Luftarake Detare kreu detyrat e veta shembullore edhe duke qenë në vijën ndarëse të luftës së ftohtë dhe në një hapësirë detare ku kishte përballë flotat më të rëndësishme të fuqive të mëdha, por edhe të shteteve të afërta e fqinje. I vetmi incident i saj është ai i kanalit të Korfuzit i dënuar pa të drejtë në mënyrë të njëanshme në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, incident që me faktet e reja bën fajtor Anglinë, e cila në formacion luftarak, të miratuar nga admiraliati dhe qeveria angleze, shkeli me anijet e saj në formacion lufte ujërat territoriale shqiptare, duke lënë si dëshmi të shkeljes së sovranitetit bashin e anijes “Woltage” të fundosur në fund detin e Gjiut të Sarandës.

Duke shkruar për traditën luftarake detare në shekuj e në 72 vjetorin e krijimit të njërës nga flotat në këtë ditë historike, që për familjen tonë shënon edhe një ndjenjë respekti jo vetëm për babanë, kundëradmiral Abdi Mati, por një nderim edhe për të gjithë efektivin dhe figurat e njohura që shërbyen me atdhedashuri, sakrifica e vetëmohim në Flotën Luftarake Detare.

Në rrugën historike të FLD, e krijuar më 15 gusht 1945, kujtohen me respekt figurat e njohura që shërbyen në këtë Flotë, Abdi Mati, Mark Plani, Teme Sejko, Hito Çako, Azis Hasa, Xhemal Shani, Shefqet Pinari, Stavri Çika, Shaqir Kapexhiu, Hajdar Aranitasi, Kiço Gjikopulli, Ziqiri Mero, Shemsi Leka, Pali Carapuli, Dhori Jorgji, Bedri Gjergji, Qamil Poda, Dashamir Ohri, Muharrem Llullolli, Shyqyri Çuka, Spiro Kote ( Hero i Popullit ) Aleko Pojani, Petrit Myftu, Beqir Gërbi, Skënder Doçi, Besnik Rizvani, Ndue Jaku, Fitim Halili, Robert Bali, Vladimir Beja, Kudret Çela, Petrit Hysi, Daut Meta, Ethem Shkëmbi, Tahir Hoxha, Ylber Sevrani , Skënder Spahivogli, Pirro Tushi, Fatosh Voshtina, Viktor Pashko, Shezai Osmani, Vangjel Nano, Seit Jonuzi, Ylli Lika, etj.

1925
Kjo flotë, e njohur si Flota Luftarake Detare e Republikës së Shqipërisë, e cila ka datën e saj simbolike të krijimit më 15 gusht 1945, nuk mohon asnjë vlerë të krijuar më parë në historinë e flotave luftarake detare, edhe datën (25 dhjetor 1925) që shënon vetëm mbërritjet e dragaminave gjermane të klasit FM 1 me emrat “Shqipnia” dhe “Skënderbeg”. Ato iu blenë Italisë fashiste nëpërmjet një transaksioni të dyshimtë nga një bankë rumune. Gjermanisë nëpërmjet Traktatit të Versajës i ishte ndaluar shitja e armëve mbas luftës së parë botërore. Krijimi i komandës së Flotës së Republikës Shqipërisë më 24 qershor 1928 me komandant kapitenin e rangut të dytë të Marinës Mbretërore Italiane.

Është një datë dy vjet më vonë se data 25 dhjetor 1925 e mbërritjes së anijeve (dragamina patrulluese të tipit FM1 gjermane të luftës së parë botërore). Në shkrime të ndryshme me ngjyra politike dhe mohuese për ditët e tjera, quhet dhe dita e krijimit të Flotës Detare, duke mohuar të gjitha datat e shënuara, ngjarjet dhe dëshmitë e flotave të tjera, të cilat përbëjnë traditën luftarake detare edhe kur ato kanë një organizim, funksion luftarak, njësi dhe anije në një numër të konsiderueshëm dhe jetëgjatësi, siç është Flota Luftarake Detare e krijuar më 15 gusht 1945.

Po kështu, duke respektuar në parim dhe koncepte të drejta historike, data 15 gusht 1945 nuk mohon as datat e mëparshme që njihen, as dhe përpjekjet e mbretit Zog si për përdorimin prej tij të jahtit “Aurora” të rikonstruktuar për Musolinin, apo joshja për të blerë jahtin “Iliria” që nuk iu dorëzua asnjëherë, sepse Mbreti Zog nuk pranonte që jahti të ishte me ekuipazh të huaj ngaqë kishte frikë prej makinacioneve të fashistëve italianë dhe qeveria fashiste italiane nuk ia dorëzonte pa ekuipazhin e saj apo porosisë për ndërtimin e një kryqëzori të lehtë, i cili parashihej se do të ndërtohej në kantierin detar të Xhenovës në Itali dhe do të ishte i njëllojtë me atme kryqëzorët që kishte ndërtuar më parë ky kantier, të klasit “Alberto da Giussano” 6000 tonësh dhe me ekuipazh prej 300 detarësh!

FLOTAT

Historia Detare Shqiptare ka pasur disa flota të njohura të cilat me veprimet e tyre luftarake kanë gdhendur historinë detare iliro-shqiptare e në këtë ditë të shënuar të krijimit të njërës prej tyre i kujtojmë:
Flota e Liburnëve, Flota e Teutës dhe Gentit, Flota e Pirros, Flotat e principatave, Flota e Skënderbeut, Flota e piratëve si ajo e Haxhi Alisë, Flota e Ali Pashë Tepelenës, Flota e mbretërisë shqiptare me princ Vidin, Flota e Shqipërisë e krijuar në dhjetor 1924, Flota e Mbretërisë së Zogut deri në 1938, Flotiljet e pushtimit italian, Flotilja e pushtimit gjerman, Flota e Republikës Popullore të Shqipërisë, Flota e Republikës së Shqipërisë anëtare e NATO-s.

Të gjitha këto fakte historike në shekuj dëshmojnë për traditën luftarake detare shqiptare dhe zhvillimin e tyre në detet Adriatik dhe Jon përballë flotave më të njohura të të gjithë historisë detare botërore nga flotat homerike, romake, venetiane, të kryqëzatave, malteze, papale, osmane, franceze, angleze, gjermane, austro-hungareze, etj.
Mbas Luftës së Dytë Botërore historia dëshmon se Flota Luftarake Detare e krijuar në 15 gusht 1945 ishte në gjithë jetëgjatësinë e saj dhe në hapësirën detare të MESDHEUT e veçanërisht të detit Adriatik e Jon përballë flotave të superfuqive, asaj të Royal Navy të Anglisë, të U.S.A-s, të flotave të Italisë, Greqisë, Jugosllavisë, Flotës së 6-të amerikane, flotës sovjetike të Detit të Zi, të U.R.S.S-së dhe duke qenë përballë këtyre flotave në kufirin me të nxehtë të luftës së ftohtë ajo plotësoi detyrën e saj në mbrojtje të Atdheut pa incidente dhe me një profesionalizëm të admiruar.

Përkujtimi i ditëve të shënuara të traditës sonë detare do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj tradite jo vetëm në fushën ushtarake dhe të mbrojtjes së demokracisë, por edhe të ekonomisë e sidomos të turizmit.
Pjesë nga Libër Albumi në proces për FLD/GSH.AL