Veshjet shqiptare të koleksionit provat të udhëtares Edith Durham prezantohen në Londër, në një ekspozitë për gjeopolitikën e tekstileve.

Po mbahet në Londër një ekspozitë që prezanton një botë të fshehur nga të gjithë, si dhe gjeopolitikën e tekstileve në shekullin e XIX. Iniciativa është ndërmarrë nga organizata filantropike Bulldog Trust, me qëllimin për të vendosur në dritë përpjekjet e shtatë grave vizionare.

Ndër to është edhe shkrimtarja britanike Mary Edidh Durham, e njohur për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit të XIX dhe fillm të shekullit XX.

E teksa shumica e tekstileve është mbedhur në Londër (Manchester dhe Bradford), ku lulëzoi edhe si industri, ekspozita përmban një grumbull copash të bukura, që Durham ia dhuroi fillimisht muzeut Bankfield në Halifax.

Midis tyre, pikaset një jelek i mrekullueshëm pa mëngë, të punuar kujdesshëm në ar nga qëndisësit shqiptarë,  që e vishte shpesh sipër një fustani të lehtë, si për të kujtuar udhëtimin e saj në Shqipëri. Po ashtu vihen re edhe këpucët e Durhamit, të punuara me spango, me të cilat nuk ka udhëtuar pak.

Galeria kryesore e ekspozitës hapet pikërisht me koleksionet e Durham, sepse ishte pionere në njohjen e vlerës artistike dhe sociopolitike të tekstileve. Ajo ndërmori në moshën 37-vjeçare një udhëtim në Ballkan, që do të kishte një efekt të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit.

Hipi nëpër kodra, shkroi pafund, vizatoi dhe fotografoi, si dhe padyshim mblodhi mostra të tekstileve. Durham e përfshiu veten në politikën e paqëndrueshme të rajonit, duke ushqyer të plagosurit gjatë konflikteve të ndryshme, si dhe duke raportuar për gazetat britanike. Ajo u bë gjithashtu një mbështetëse pasionante e çështjes shqiptare  dhe hyri në botën kritike me qëndrimet e saj antiserbe.

Veshjet popullore shqiptare gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj. Koloriti dhe ornamentet e tyre janë kthyer shpesh herë në objekt studimi dhe admirimi. Revolucioni industrial, përparparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit të XIX,  bënë të mundur që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, të lodhshëm  dhe të vështirë. Kësisoj, numri i udhëtarëve evropianë që vizitonin Shqipërinë vazhdoi të rritej ndjeshëm.

Në ekspozitën “Unbound”, tekstilet dhe kostumet popullore jo vetëm ato të siguruara nga Edith Durhami, por edhe nga emra të njohur si Louisa Pesel, Olive Mattheës, Muriel Rose, Enid Marx, Jennifer Harris dhe Nima Poovaya-Smith, ofrojnë një pasqyrë të bukur dhe intensivisht njerëzore. Këto gra kundërshtuan konceptin tradicional të mbledhjes së tekstileve, duke i konsideruar si dokumente thelbësore të historisë shoqërore.

Burimi: Fjala.al