Mbahet mend për rolet protagoniste e të spikatura fort, apo siç përcaktohej asokohë “hero pozitiv”. Një herë u fut në lëkurën e Shpëtimit, e më pas luajti si Kujtimi, Miloja, Gjergji… Ndërsa në sheshin e xhirimit do të përballej me Sandër Prosin, Demir Hyskjen, Ndrek Lucën…

…Me mbi 80 role si aktor në teatër e kinema, ai është dhe regjisor i 25 premierave në teatër dhe estrade, autor komedie, drame i dhjetëra skeçeve. Astrit Çerma thotë se gjithsesi: “ia ka bërë ‘hallall’ teatrit ‘Skampa’ gjithçka: rolet, regjtë, shkrimet, sukseset, por edhe dështimet e marrëzitë”. Ndërsa për 8 vitet kur ishte drejtori i tij, thotë se e mbajti gjalle atë teatër. “Unë e di ç’kam hequr për 8 vite. Edhe skenograf, dramaturg, balet maestër, punëtor skene, sherrxhi, llafazan, jam zënë grushte, edhe shtëpinë e braktisa, për atë teatër… Megjithatë, teatrin ‘Skampa’ e kam dashur dhe e dua”. Kjo është gjithçka mund të thotë një njeri që ia ka kushtuar jetën teatrit. Për më tej, në një interviste me plot të papritura, Astrit Çerma rrëfen:

A ishte e vështirë të bëje art në një vend me kufizime si Shqipëria?

Natyrisht, që të vlerësosh apo zhvlerësosh artin dhe kulturën e 45 viteve monizëm nuk mund të mos marrësh parasysh kufizimet e atij pushteti. Por, mbi çfarë konkretisht kanë rënduar kufizimet? Tani dalin estetë, kritikë, analist, studiues që në shumë fusha të artit e kulturës i tjerrin dhe ç’tjerrin vitet e pas çlirimit e deri në demokraci jo vetëm për kufizime por edhe për shkatërrime, sakatime, izolime, ndalime. Madje sot është bërë “mode” që në biografitë e krijimeve dhe krijuesve të stampohet vend e pa vend brenda “persekutimit” titulli “i persekutuar” edhe për të nderuar e respektuar të asaj kohe, qoftë me poste e detyra, qoftë me tituj e ndere.

Çuditërisht askush nuk bën analizë se çfarë arti e kulture profesioniste trashëgoi vendi ynë nga thellësia e viteve e deri me 1945? E vërteta është: Përjashto disa individë të shquar, kryesisht në pikturë e muzikë gjithë tjetra ishte një amatorizëm arkaik. Të gjitha institucionet dhe formacionet profesioniste u ngritën në vitet 45-85; dhe të gjithë u ngritën mbi bazat institucioneve e formacioneve të vendeve të lindjes, kryesisht të Bashkimit Sovjetik. Edhe drejtuesit në drejtim të krijimit e ekzekutimit u arsimuan dhe u përgatitën po nga Lindja.

Ndoshta ky ishte kufizimi i parë. Por edhe kufizim s’mund ta quash sepse arti i atyre vendeve edhe sot e kësaj dite gëlon dhe vlerësohet. Atëherë? Me thoshte Kadri Roshi: “Astrit. E kam mësuar motin në oqean unë, e jo si ju në pellgje e përrenj.” E kishte fjalën tek “oqeani” për kryeveprat botërore që Teatri Popullor (edhe teatro të tjerë) vunë në skenë gjatë atyre viteve dhe në “pellgjet e përrenjtë” për ato palo drama që u vunë në skenë sidomos pas viteve ‘74. Këtu po. Le te flasim për kufizimet, madje, për… shabllonizimet. Politika dhe pushteti ndërhynte dhe impononte me forcë tek teksti por, ishte inkurajues dhe kërkues për interpretimin.

E dinte shume mirë se “pamfletet politike” thitheshin nga publiku nëpërmjet interpretimit të lart. Unë vetë e kam marr titullin “Artist i merituar” në 1992, por e them me bindje të plotë se titujt para ‘90, vërtetë nuk janë dhënë aty ku politikisht, pse jo dhe moralisht, nuk i kanë shërbyer pushtetit por, kurrë, e theksoi kurrë, nuk janë dhënë vetëm për vlera politike dhe morale. Më thoni cili nga ata që e ka marr nuk e ka merituar titullin dhe nderin? Kështu shpjegohet që brenda kufizimeve të kohës u krijuan vepra me vlera artistike, që sot e kësaj dite janë të pëlqyeshme jo vetëm nga “nostalgjiket” por edhe nga shumë të rinj. Shpërthyen talente që mbeten e do mbeten të papërsëritshëm për krijimet e tyre në tërësi e veçanti.

Sa ndërhynte politika në një film, në skenar, regji e montazh, pasi filmi shikohej nga Këshilli Artistik?

Deri në bllokim të filmit. Në teatër deri në ndalim të shfaqjes. Me detaje për ndërhyrjet në filma s’mund të flas sepse si çdo aktor tjetër në Kinostudio isha “i jashtëm”. Vinim nga teatrot, xhironim, dublonim e ktheheshim prapë në teatër. Por as nuk diskutohej që gjatë montimit të filmave “vlonte gërshëra”. Di që filmi “Thirrja” është shkurtuar thuajse në një të treten e tij. Një nga skenarët letrar ndër më të bukurit që kam lexuar ka qenë “Ata ishin 4”, mirëpo “u bënë vërejtjet”, “u futen duart” dhe përfundimi, ai që është… Ç’do gjë kalonte në sitat ideologjike.

Këto sita fillonin nga vetë krijuesi dhe ekzekutuesi, tek këshilli artistik, kolektivi, drejtoria dhe përfundonin deri në KQ të Partisë. Ndërsa në teatër, pothuajse të gjitha shfaqjet, rrallë janë thënë për publikun pas premierës, ku asistonte këshilli artistik, aparatçikët e partisë së rrethit dhe “kontrolli i klasës punëtore”. Dy-tri ditë, ka pasur raste edhe me jave, janë rregulluar “gabimet”. Madje për një periudhë mbas shfaqjeve, aktorët, ashtu siç ishin, me grim e të veshur sipas karaktereve, dilnin në skenë dhe prisnin “vërejtjet” e publikut.

Filloi të mos qëndrojë publiku dhe u hoq dorë… Pushteti i kohës, natyrisht për qëllimet e tij, investonte jo pak për artin dhe kulturën. Ai pushtetet e kishte zbërthyer dhe mëshiruar saktë idenë e tregimit të famshëm të M.Tuenit, për dështimin e pushtimit të vendit me 5000 avionë, 5000 tanke e 5000 ushtarë. Në fund mjaftuan 5 këngëtarë…

Ishte e vështirë të luaje hetuesin tek “Fije që priten”? Keni pasur një model për t’u mbështetur?

Ku kisha kohe unë për “model”. Në këtë film nuk kisha kohë të mësoja tekstin e jo me të krijoja mbi të. Filmi “Fijet…” kishte mbaruar me kohë, ishte shfaqur për kolektivin krijues të Kinostudios e për disa institucion përkatëse nga ku kishte marrë vlerësimet më të mira. Madje për vlerat e tij ishte vendosur të jepej si “film-premier” me rastin e mbylljes se Festivalit të Parë të Filmit shqiptar, që do te zhvillohej nga data 2-11 prill.

Ishte fundi i muajit mars. Në teatrin e Elbasanit u vu dhe po jepej me sukses drama e shkruar nga unë “Hakmarrja e madhe”. Një natë, pas shfaqjes, shoh drejtorin e filmit Josif Kromitha që kishte ardhur urgjent nga Tirana për të më marrë. Ç’ne?! Siç më thanë, filmin “Fijet…” me që ishte me temë nga “sigurimi” e kishte parë edhe “Drejtoria e Dytë”, dhe… urdhër: “Robert Ndrenika në rolin e hetuesit te zëvendësohet sepse ka vëllanë të arratisur.” Këto lloj urdhrash në atë kohë as mos të shkonte ndërmend t’i diskutoje. Atëherë stafi i filmit më kërkoi mua për zëvendësimin!!!

Dhe duhej zëvendësuar për një javë për festivalin. Dhe më e bukura: Drejtoria e teatrit për aq kohë sa ishte reklamuar shfaqja premier nguli këmbë që për pesë ditë të shkoja e të vija nga Tirana sepse nuk kisha dublant. Për arsye kohe dhe për të më “orientuar” për rolin më dhanë filmin që ta shoh!!! Ç’të shihja! Ku “zëvendësohej” Berti? Rrolin, siç i thonë, e kishte “qarë”. Ju pyesni për modelin e “figurës”. Edhe kostumi që kam veshur i Bertit është. Tre triko vishja që ta mbushja. “Ti ke prerë dhe ke qepur një kostum të bukur – i thashë Muharremit (Fejzo), regjisorit të filmit, – por ai fatkeqësisht diku t’u gris. Do s’do do të vësh një arnë dhe arna jam unë.

Të përpiqemi që këtë arnë mos e dallojnë të tjerët, se ti gjithmonë do ta dish që kostumin e ke me arnë, dhe unë gjithmonë do di se në këtë kostum jam arnë.”. Mbas tre muajsh rastësisht u takova me Bertin tek lulishtja para hotel “Dajtit”. U ulem në stol dhe pimë disa cigare radhazi. Ç”të bënim tjetër???…

Keni pasur rast kur keni dashur një rol dhe s’ua kanë dhënë, apo keni marrë një rol dhe ua kanë hequr?

Tani, disa të vërteta tingëllojnë, si sajime, por… Unë vetëm në 3 filma kam shkuar me dëshirë “Brazdat”, “Në fillim të verës”, “Ilegalet”. Kam dashur edhe tek filmi “Tokë e përgjakur” ku do te interpretoja dy role; babanë dhe djalin, por për arsye se xhirimet e filmit ishin njëkohësisht me “Ilegalet” zgjodha këtë të dytin. Në të gjithë filmat e tjerë kam shkuar me urdhër. Po, po… urdhër. Tani ti hyj historive si e qysh s’ka vlerë. “Në Kinostudio nuk kam hyrë duke i lëpirë këmbët njeriu dhe nuk kam ndërmend të qëndroj duke lëpirë këmbët” – ia “përplasa” një herë një regjisori që kishte mbaruar jashtë shtetit një kurs dy vjeçar për… operator.

Më shumë në këtë drejtim mund t’ju flas i nderuari Faruk Basha. Me të dhe Demir Hyskien shpesh “qaja hallet”. Minella Borova thoshte: “Ore shoku regjisor, ty nuk të lejohet të mendosh si do të dalë filmi. Ti ke për detyrë të bësh filmin. Pastaj, filmit, po t’i dojë bytha, del mirë, po të mos i dojë del keq. Është punë e filmit, s’është puna jote.” Natyrisht ishte shaka e tij, por që kishte diçka të vërtet. Dikush shkroi për mua se pas viteve ‘80 “u zhduka”! Natyrisht nuk kam shkuar nëpër filma megjithëse gjithmonë më kërkonin. E para që nuk shkoja ishte se më pëlqente më shumë teatri. Ne teatër unë ç’do natë krijoja, kurse në film më dukej dhe se ç’do gjë ishte e stamposur.

Sandër Prosi thoshte gjithmonë: “Mjeshtëria e aktorit blihet në teatër dhe shitet në kinematografi”. Siç duket mua nuk më pëlqente “tregtia”. Por ishin edhe kushtet familjare dhe ekonomike. -E, mo. Edhe këtë nuk ka kandar ta mbaj byrazer – më thoshte Jani Riza – 110 lekë dietë për një kalë në ditë dhe 13 lekë për një aktor… (Kaq thoshin e kishte dietën ditore kali i bardhë i P. Dumes). Vetëm 2% të rrogës merrnim dietë, asgjë tjetër.

Është legjendë roli i Shpëtimit tek “Në fillim të verës”. Si e kujtoni këtë rol?

Propozimi për mua në rolin e Shpëtimit u bë nga Esat Mysliu që ishte as/regjisor. U bënë 10 kinoprova para meje, fitova unë i 11-ti. Megjithëse (e çuditshme) regjisori i filmit G.Erebara dhe gjatë xhirimit edhe mbasi mbaroi filmi, ishte pishman që më zgjodhi mua. Madje edhe në fundin e filmit ku sakrifikohem donte të më ndërronte me Sandrin. Pothuajse do të bëhej ky ndërrim po të mos ndërhynte fillimisht Demiri dhe operatori Faruk Basha e me pas, me ta marr vesh, skenaristi i filmit Peçi Dado.

Unë fillimisht, përveç Demirit që e kisha shokun e teatrit, kur u ndodha befas midis tërë atyre aktoreve të shquar e pata vështirë t’u afrohesha sepse me dukej sikur nuk “do më qasnin”, por më vonë kur më rrethuan ata njerëz të mëdhenj, e pata vështirë t’u largohesha sepse nuk “më shtynin”. Nuk ka pasur për mua as një “çak” xhirimi pa vërejtjet, sugjerimet e përgëzimet e tyre. Nuk e harroj xhirimin e episodit të fundit. Sipas skenarit teknik kamera fillonte, thuajse gjithmonë me portretin e Ndrekës. Ai sapo u filmua plani i parë kërceu përpjetë siç dinte ai të “kërcente”- “Ç’a Zotin, o Gëzim!… Plani duhet me fillu e duhet mbaru me djalin more, ky është heroi jo unë… Unë jam “hija e tij”… Mbasi filmi mbaroi, dhe u pa “bruto” doli i domosdoshëm edhe ai portreti kur mbas arrestimit, xha Jaho dhe shokët largohen dhe unë mbetem. E xhiruam diku në Kinostudio. A e dini?

E kishte marr vesh Sandri edhe erdhi enkas për të më ndihmuar. Më qëndronte përball dhe përpiqej me të gjitha ndjenjat të ndillte sa me pranë asaj gjendje që duhej për çastin. Ehhh, ata ishin jo vetëm artist të mëdhenj por edhe njerëz të mëdhenj… Artiste bujar… Nuk e di por, në atë film sikur u mblodhën me dorë të gjitha gjërat e bukura. Ne festivalin e parë të filmit fitoi kupën, ndërsa ne aktorët medaljonet e festivalit që përkonin me çmimet e para. Çuditërish, vetëm një, dhe ndofta edhe një nga vlerat e pa diskutueshme të filmit-muzika e Kujtim Laros, as çmim nuk mori dhe as u përmend! Nga film me ka mbetur edhe emri i dytë: Shpëtim. Shumë kështu më quajnë edhe unë edhe sot e kësaj dite nuk ua prish. Natyrisht që koha me “hesapet” e veta ndryshon shume vlera; shpesh i ç’vlerëson, por shpesh edhe i flak tutje sepse për të bëhen të rrezikshme, por.. çuditërisht edhe sot e kësaj dite filmi pëlqehet edhe shihet me nostalgji nga të gjithë.

Natyrisht që ka edhe “analistë” që çoç analizojnë. Shpesh me vjen t’i kap për veshi e t’u thërras: “Ejjj… Shpëtimi i “fillimit të verës” nuk është ai “komunisti” që llomotitni ju. Shpëtimi i “fillimit të verës”, është Heroi i Popullit i luftës nacional-çlirimtare, Shyqyri Alimerko, djali i Vlorës heroike, djali i rrugëve, shesheve dhe i luftës se saj. Djali që bëri të gjëmonin tre ditë e netë tunelet e ushtrisë pushtuese. Që varri një gjeneral dhe pushkatoi 3 oficerë e 20 ushtarë armiq. Në se ka shenjtëri në historinë e atdheut tonë, lufta nac-çlirimtare është brenda kurorës se saj dhe “komuniste” si Shyqyri Alimerko (Çudi: – Shyqyri me thërriste edhe nëna e tij…) janë margaritarët e saj…

Po marrëdhënia juaj me regjisorët…?

Regjisori im i parë ka qenë operatori i kinemasë së Cërrikut, ku jetoja, Dilaver Beribati. Njeri i dashuruar me profesionin e tij dhe artin skenik. Ne 1962, me rastin e 50 vjetorit te Pavarësisë me ne nxënësit e shkollës 7 vjeçare vuri dramën “Abetaria”. Ndoshta këtu filloi rruga ime. Me 1968 fillova Institutin Lartë të Arteve, dega dramë. Udhëheqësi artistik i kursit ishte i madhi Kujtim Spahivogli. Pedagogë të mjeshtërisë Bujar Kapexhiu, Vladimir Prifti, Petrit Llanaj, Bexhet Nelku.

Këta ishin “ustallarët”e parë. Në vitin e tretë për arsye ekonomike vendosa të braktis shkollën për një vit. Me gjithë kundërshtimet e drejtorit Tefik Çaushi dhe të Kujtimit, ika në mes të shtatorit e fillova punë në fonderinë e uzinës mekanike të Cërrikut ku kisha punuar më parë por, u ktheva prapë në dhjetor sepse ata të dy më “gjetën” punë në Tiranë. U emërova në teatrin e “Të rinjve” që krijoi Kujtim Spahivogli në Institutin e Arteve. Në atë teatër, që kur e dënuan Kujtimin e shpallen si një nga “levat e luftës se brezave”, ka bërë pjesë fillimisht edhe Vaçe Zela, ishin Bert Ndrenika, Timo Flloko, Gëzim Kame, Nand Radi, Bashkim Rada, etj.

Spahivogli ishte pra edhe regjisori im i parë e i rolit te parë në aktivitetin tim si profesionist tek drama e Kiço Blushit “Midis dy njerëzve”. Ishte një drame tepër e veçante, me regji tepër moderne, me skenografi po aq moderne nga Ali Oseku e muzikë të mrekullueshme nga Shpëtim Kushta. Pastaj ne teatrin e Elbasanit kam punuar me regjisoret Xhelal Bilali e Tomorr Shishani deri sa erdhi Spiro Duni. Spirua ishte dhe është shtrati i florinjtë për prehjen e shume krijimeve. Ai e ribëri teatrin “Skampa” në të gjitha dimensionet. Natyrisht na ribëri edhe ne. Kujtimi i shkollës, Spirua i teatrit, Kristaq Dhamo i filmave. Këta janë më të mirët.

Cila do të ishte përvoja në teatrin “Skampa”?

Atmosfera në Teatrin “Skampa” ishte e shkëlqyer! Si në të gjithë teatrot edhe tek ne punohej. Kishte plan që duhej realizuar në numër premierash, shfaqjesh, në të ardhurat, plan për shfaqje fshati, për koncerte. Kishte disiplinë zyrtare edhe artistike. Punohej… është e vërtetë se institucionet artistike janë folur e përfolur për “sherre e grindje”, dhe atje-këtu edhe ka pasur, por e them me plot gojë që në teatrin tonë kemi pasur një harmonin të plotë. Dhe s’kishte si të ishte ndryshe.

Ishte teatri i qytetit të Elbasanit, qyteti i arsimit, kulturës dhe artit, rrjedhimisht qyteti i harmonisë dhe mirëkuptimit. Por, edhe nga që secili aktor/e në një fare mase ishte në vendin e vete brenda karakterit të papërsëritshëm vetjak. “Artisti i Merituar”, aktori i shquar i humorit elbasanas Hysen Biza kur “kërciste debati” për vlerat e njërit apo tjetrit e “mbyllte muhabetin” me dy fjale: “Hof – Të shof”. Teksti dhe nënteksti ishte i qarte: “Hip në skenë, (Hof) interpretojë atë që “tjerr teorikisht” (Te shof) pastaj të jap ‘karatin’ sa e ke”.

Por, ne kishim edhe “Artistin e Popullit” Demirin-strumbullari e harmonisë në shumë drejtime dhe shumë hallka delikate. Unë këtë taban, të shtruar në krijim e teatrit profesionist nga regjisori i parë i tij, i madhi Lec Shllaku gjeta, me të jetova dhe punova dhe me Spiro Dunin dhe atë u mundova të le pas kur ika me ‘98. Mirëpo… “Qëkur ike o Astrit, kafe-teatri ‘Skampa’ ka mbetur pa aktorë, pa regjisorë, nuk ka teatër, s’ka estrade, po ama festival ndërkombëtar ka para bashkia për të paguar një trupë profesioniste nuk ka, por para për të paguar 7 marangozë, 7 fonista, 7 elektricista, 7 kompjuteristë, 7 oksigjenista, 7 roje, ka. Kur ishte 50 vjetori i teatrit, nuk u festua. E vetmia përgjigje që m’u dha (gojarisht- kështu që mund të mohohet) është ajo e drejtorit të qendrës kulturore, z.Bashkim Paheshti. “Nuk do të bëjmë gjë sepse s’kemi fonde”!

Afër dhe larg Hollivudit

“Kur largohesh nga vendi yt ke një arsye, një ëndërr, ose një shpresë, por si mund të quhesh “emigrant” kur shteti ku shkon të fton vete dhe ti po pranon ftesën e tij? Sa për vështirësitë… eh. Ndërron shtëpinë nga një lagje në tjetrën dhe ke vështirësi, jo me nga një shtet në tjetrin, apo nga një civilizim në një tjetër. Vështirësitë ishin e janë të panumërta, sepse shumë mundësi janë të pamundura për profesionin tim-aktor. E di. Edhe unë kam lexuar e stërlexuar shumë intervista nga artistë dhe artiste të ardhur nga Shqipëria qe “kanë bërë namin” këtu në Amerikë.

Jo vetëm që e kanë sulmuar Hollivudin por edhe e kanë pushtuar. Unë për vete, megjithëse jetova një vit vetëm pesë minuta larg Hollivudit, nuk qullosa gjë. Ndoshta unë kam qëlluar ky që jam: humbameno dhe i pa talentuar, por siç duket jam dhe budalla që them të vërtetën, sepse si shtrenjtë shiten gënjeshtrat, në vendin tonë. Nejse… Unë jetoi në një shtet që, ligjërisht njeriun e respekton si njeri, pastaj të tjerat varen nga karakteri dhe nga përgatitja e secilit. Ne fund te fundit:

Te jetosh në vend te huaj si i huaj s’është çudi, ama, të jetosh në vendin tënd si i huaj nuk është vështirësi, është ndyrësi, pavarësisht se ne ç’begati apo në ç’varfëri jeton”, thotë Astrit Çerma në fund të kësaj interviste./Leonard Veizi / Dita