Dashnor Kaloçi – Politika liberale që po ndiqte Nikita Hrushovi dhe mbështetësit e tij në Kremlin pas vdekjes së Stalinit në gjysmën e dytë të viteve ’50-të, në një farë mënyre rezonoi deri diku edhe në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, gjë e cila dha efektet e saj edhe në Konferencën e Tiranës në vitin 1956.

Ku mjaft komunistë dhe kuadro edhe nga rangjet e larta të pushtetit të asaj kohe u ngritën dhe kritikuan hapur dhe ashpër disa nga privilegjet e udhëheqjes kryesore të PPSH-së dhe hendekun e madh që ata kishin krijuar me popullin e thjeshtë si nga mënyra e jetesës, ashtu dhe nga gjendja ekonomike.

12:20 – 27.02.18Gazeta Shqiptare

Dashnor Kaloçi – Politika liberale që po ndiqte Nikita Hrushovi dhe mbështetësit e tij në Kremlin pas vdekjes së Stalinit në gjysmën e dytë të viteve ’50-të, në një farë mënyre rezonoi deri diku edhe në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, gjë e cila dha efektet e saj edhe në Konferencën e Tiranës në vitin 1956. Ku mjaft komunistë dhe kuadro edhe nga rangjet e larta të pushtetit të asaj kohe u ngritën dhe kritikuan hapur dhe ashpër disa nga privilegjet e udhëheqjes kryesore të PPSH-së dhe hendekun e madh që ata kishin krijuar me popullin e thjeshtë si nga mënyra e jetesës, ashtu dhe nga gjendja ekonomike.

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, (si në Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe në vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore), dënimi i kultit të Stalinit, hapja me perëndimin, fryma e liberalizmit që ata po ndiqnin dhe ndryshimi i kursit politik pati një ndjeshmëri të madhe në shoqërinë shqiptare dhe kryesisht tek shkrimtarët dhe artistët, të cilët për vetë natyrën e punës së tyre, (vizitat dhe kontaktet me botën e jashtme) ishin më pranë asaj fryme, çka po përpiqej të përçonte politika hrushoviane tek vendet e tjera satelite të saj.

Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që i përket vitit 1957, i cili është shkëputur nga një dosje voluminoze dhe që i drejtohet direkt Enver Hoxhës.

Dokumenti në fjalë, i cili titullohet “Mbi edukimin ideo-politik të shkrimtarëve dhe artistëve të Tiranës”, në pamje të parë duket sikur ai ka të bëjë vetëm me format e edukimit të shkrimtarëve dhe artistëve, por aty ka denoncime të pastra për një numër të madh shkrimtarësh dhe artistësh jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Shkodra etj.

Si psh. për: Kol Jakovën, Kadri Rroshin, Odhise Paskalin, Mihal Stefën, Simon Rrotën, Mentor Xhemalin, Luiza Papa, Ramadan Sokolin, Margarita Kristidhin, Hamide Stringën, Viktor Gjokën, Lluk Kaçajn, Rrok Dabërdakun, Irena Gjergon, Gaqo Zdrulin, Mihal Stefën etj., etj.

Theksuam se ndaj këtyre shkrimtarëve dhe artistëve janë denoncime dhe spiunime të pastra, pasi përveç problemeve të punës së tyre profesionale, në raport-informacionin në fjalë ka mjaft të dhëna edhe për jetën private dhe familjare të tyre, madje për gjëra tepër intime. Por kryesorja është ajo që ndaj tyre janë mbledhur informacione si për mënyrën e jetesës, ashtu edhe për atë çka ata flisnin, gjë e cila binte ndesh me frymën dhe vijën politike që po ndiqte udhëheqja komuniste e Tiranës. Dhe vetë fakti se të gjitha ato i dërgoheshin Enver Hoxhës, flet qartë mbi ndjeshmërinë e madhe që kishte regjimi komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, si dhe diktatin që ushtrohej mbi ta. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në këtë libër, edhe ky dokument publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim.

MBI EDUKIMIN IDEO-POLITIK TE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE TE TIRANES
S’ka asnjë dyshim se puna ideo-politike që zhvillohet me artistët ka ndikuar s’tepërmi në transformimin e ndërgjegjes së tyre. Mjaft shkrimtarë dhe artistë që mbanin një qëndrim indiferent kundrejt pushtetit popullor, janë lidhur me partinë dhe dita-ditës tregohen më aktivë. Këtu në radhë të parë kanë influencuar transformimet e mëdha që janë bërë në shoqërinë tonë, përparimet e industrisë e të bujqësisë si dhe kushtet e mira që janë krijuar për zhvillimin e arteve e të kulturës.

Fakti që arti të zhvillohet në rrugën e realizmit socialist dhe që këtë metodë e ndjekin të gjithë, tregon më qartë se artistët janë me partinë, pavarësisht se herë pas here në veprimtarinë e tyre krijuese dhe në mendimet e tyre vihen re tendenca të ndryshme që s’janë tonat.

Tashti ka më gjallëri në diskutimet dhe në format e ndryshme të arsimit të partisë, sidomos në zhvillimin e seminarit mbi estetikën marksiste leniniste është vënë truri i tyre në lëvizje edhe për problemet teorike. Për një pjekuri ideo-politike dëshmon qëndrimi që mbajtën pothuaj të gjithë artistët lidhur me pjesën e fundit të Kolë Jakovës “Prapa mureve”, të cilën e quajtën me të drejtë të shtrembër dhe pa ideologji. Nuk ka midis piktorëve dhe skulptorëve njerëz që kanë simpathi për artin e sotëm dekadent modernist, megjithëse midis tyre ka njerëz si Odhise Paskali, i cili e kupton artin shpeshherë në mënyrë idealiste.

Në Theatrin Popullor anët artistike nuk i shohin si në perëndim. Ata kritikojnë shkollën e Hollivudit. Nëna e aktores Tinka Thani i thotë së bijës: “Film sovjetik është? Shko se ata janë filma të mirë”.

Megjithëse midis artistëve ka ende që besojnë te Zoti e venë në kishë, si aktori Mihal Stefa, operatori Hamdi Ferhati, Guraziu e Guralumi, por është fakt se tashti që po vihet “Kavaleria rustikana”, regjisori vuri re se masa e artistëve të Operas, nuk dinin të bënin kryqin si duhet. Edhe për problemet politike tashti tregohet një interes më i madh dhe diskutohet me shumë edhe nga artistët si Gjon Karma që nuk preokupoheshin më parë.

Është vështirë të tregosh në mënyrë të konkretizuar se ç’pikëpamje të gabuar kanë artistët, përderisa te ne, kritika e shkruar është shumë prapa nga zhvillimi i artit. Po megjithëkëtë, nga diskutimet krijuese, nga seminaret mbi estetikën, nga vetë veprat letraro-artistike, mundë të nxirren disa konkluzione.

Megjithëse është shtruar me forcë nevoja e njohjes së thellë të jetës nga ana e artistëve, megjithëse ky problem u diskutua në Kongresin e tyre të parë, megjithëse kohët e fundit u punua me ta artikulli i shokut Hrushov mbi këtë çështje, prapë se prapë, një pjesë e mirë e shkrimtarëve dhe artistëve tanë nuk e njohin jetën. Me fjalë ata janë për këtë, po, kur vjen puna konkretisht, ata ngurojnë.

Dhe për këtë arsye nga 16 vepra letrare që fituan çmime të para në konkurs, 10 ishin me tematikë mbi të kaluarën. Drama e Kolë Jakovës, “Prapa mureve”, tregoi mosnjohje të jetës nga ana e tij. Tematika e ngushtuar e Estradës vetëm rreth çështjeve të vogla shoqërore, dëshmon po për këtë gjë. Thirrjes që iu bëri Partia për të shkuar në bazë, iu përgjigjën në minimum.

Kështu nga 72 shkrimtarë që ka Lidhja, 56 jetojnë në Tiranë dhe nga 57 piktorë e skulptorë, 41 jetojnë në Tiranë. Kur aktorët e Estradës u shpunë në Kombinat, u habitën. Prandaj në punën ideo-politike duhet të bëjnë pjesë si një gjë e pandarë edhe ekskursionet në qendrat e punës të mëdha të vendit.

Në kohën kur u sulmua ashpër realizmi socialist, te ne u vu re një farë plogështie për mbrojtjen e tij. Kur u botua drama “Buçet Osumi” e Jakov Xoxes, duall disa pikëpamje jo të drejta mbi rrugën e artit, mbi formën artistike. Nëse ne e kritikuam me të drejtë tendencën e “zbukurimit të jetës”, tashti vihet re një farë largimi nga problemet aktuale. Faqja letrare e gazetës së rinisë ka si tematikë kryesore dashurinë. Është lënë pas dore tradita e mirë e viteve të luftës dhe e vitit 1951-1952 kur kompozonin këngë gati për çdo ndërtim të madh. Vendin e tyre e kanë zënë tashti këngët e dashurisë dhe muzika e vallëzimit, këngët sentimentale si nga teksti ashtu dhe nga melodija që kujtojnë me nostalgji të kaluarën, që nuk paraqesin anën emocionale të kohës sonë dhe që janë imitime dhe kopjim i muzikës së Perëndimit.

Po kështu kur në Theatrin Popullor u vu “Orët e Kremlinit”, u tha se me që dolli mirë kjo pjesë, origjinale, si “Halili dhe Hajria”, të hiqen; me një fjalë ende ekziston tendenca për t’u kujdesur jo sa duhet për dramaturgjinë nacionale. Pat në Theatër edhe një pëshpëritje për “novatorizëm” në kuptimin e keq të fjalës, për formë për hatër të formës, megjithëse kjo nuk ishte këmbëngulës.

Në Estradë Mihallaq Luarasi që ka studiuar në Hungari për regjizurë theatri, kërkonte efekte të jashtme, përkrahte natyralizmin, u jepte aktorëve të mësonin në edukimin praktik poezi izraelite, në kohën kur Izraeli luftonte kundër Egjiptit. Po në Estradë dëgjohen më shumë këngë, spanjolle dhe s’para kanë qejf që të interpretojnë këngë sovjetike. Kisha Katolike e Shkodrës iu drejtua Odhise Paskalit që të bënte dy engjëj dhe ky pranoi, ashtu siç pranoi piktori Simon Rrota, të cilit vjet iu kremtua 70-vjetori i lindjes dhe u dekorua. Kurse Injac Dema që ka mbaruar Liceun Artistik me bursë shteti punon në Kishën katolike të Shkodrës si piktor.

Ka ende indiferentizëm dhe apoliticizëm në gjirin e artistëve siç janë, p.sh. aktorët Mihal Stefa e Liza Vorfi, apo komunistët Hamide Stringa e Mentor Xhemali, ka të tjerë që sikur nuk interesohen se ç’bëhet në botë apo në vendin tonë si Rrok Dabërdaku, Luiza Papa, Irena Gjergo, Gaqo Zdruli, apo që pëshpëritin poshtë e lartë si Ramadan Sokoli e Margarita Kristidhi.

Të dobët në këtë drejtim janë sidomos solistët e Operas, megjithëse Opera është e dalluar në abonime, po ka raste që gazetën sa u bje në dorë, e përdorin për të mbështjellë këpucët.

Për Jugosllavinë ka shokë, bile edhe komunistë si Llazar Siliqi, që kanë heshtur bile edhe në mbledhjet e organizatës bazë. Kohët e fundit, për herë të parë, në një mbledhje të seminarit të estetikës, Llazar Siliqi foli hapur kundër shkrimtarëve jugosllavë, që luftojnë realizmin socialist dhe ndjekin formalizmin. Me pak nga të gjithë për punën ideo-politike interesohen sidomos artistët.

Shumë pak punë bëhet për t’i vënë artistët në dijeni mbi gjendjen ndërkombëtare dhe mbi gjendjen e brendshme. Referatet e shokut Mehmet dhe shoqes Liri janë pritur shumë mirë, prandaj është e domosdoshme që herë pas here të flasin para artistëve shokët drejtues të Partisë e dhe të shtetit.

Efekti i punës ideo-politike duket në punën që bëjnë shkrimtarët dhe artistët. Në përgjithësi njerëzit mobilizohen dhe u dhimbset puna. Ne s’jemi në atë fazë kur kishim krizë prodhimi letraro-artistik. Vetë pjesëmarrja e gjerë në konkurse, në ekspozita, dëshmon këtë. Ka raste kur njerëzit punojnë shumë, sidomos kur vënë premiera, si “Orët e Kremlinit”, ose filmin “Tana”. Edhe ngritja e nivelit ideologjik dhe artistik e letërsisë, e çfaqjeve, e filmave tanë dëshmon për efektin e punës ideo-politike. Po megjithëkëtë, në kolektivat artistike ka thyerje të shpeshta të disiplinës së punës.

Behije Çela, Esma Agolli, Marie Logoreci “harrojnë” të venë në çfaqje ditën kur kanë çfaqje. Nëse gjatë përgatitjeve të premierave artistike përpiqen shumë për ta nxjerrë rolin mirë, pas premierave flenë mendjen dhe premierat bien. Ekzistojnë tendenca për të marrë më shumë nga shoqërija dhe për të dhënë më pak. Komunisti Kadri Roshi thotë: “Ministrija po i vë kazmën Theatrit, po vë 24 çfaqje në muaj”. Dhe këtë ai e thotë mbasi nuk i del koha të punojnë në radio, në film, me grupet amatore. Më keq gjendja është në Opera. Nga 30 solistë, vetëm 7 aktivizohen për punë. Andromaqi Hadëri ka dhënë vetëm 2 koncerte që në fillim të këtij sezoni, Hamide Stringa një, Vishajeva një, kurse rrogën e kanë marrë të plotë.

Dhe me të drejtë thuhet në Opera se ajo është bërë si “shtëpi pushimi”. Faji këtu rëndon mbi Ministrinë e Arsimit dhe mbi drejtuesit e Operas që nuk i aktivizojnë artistët, që nuk bëjnë dublime, që nuk zgjidhin disa nevoja, si për shembull për piano. Interesant është ky fakt, koristi Dhimitër Jani ka dy- tri batuta kënge në operan “Nusja e shitur”, por ay u sëmur ditën që do të jepej opera dhe çfaqja, meqë s’kishte dublantë, u anulua. Atje është krijuar një gjendje rehatie e patolerueshme. Bëhet plan për të marrë pjesë në koncert 12 solistë. Po menjëherë fillojnë kundërshtimet duke thënë “jam sëmurë”, njëri, “jam sëmurë” tjetri dhe në koncert mbeten tre veta. Dhe pastaj sjellin raporte që lëshohen nga mjekët vazhdimisht. Margarita Kristidhi mungon disa ditë pa arsye, i mbajnë rrogën, ajo merr sa ka për të marrë, qesh dhe s’bëhet merak pse i mbajnë rrogën.

Gjithë artistët e Tiranës marrin pjesë në format e arsimit të Partisë, veç atyre që mësojnë në shkollat shtetnore e ndonjë të sëmuri. Në Tiranë janë rreth 480 shkrimtarë dhe artistë. 160 prej tyre ndjekin kursin e estetikës marksiste-leniniste. Të tjerët në bazat e marksizëm-leninizmi në historinë e P.P.Sh., në historinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në rrethet politike, në ekonominë korrente.

Ka disa forma që shkojnë mirë. Pjesëmarrësit shkojnë në rregull dhe diskutojnë. E tillë është p.sh. forma që drejton propagandisti Zija Beqiri. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me Estradën. Gjithnjë, para se të mbajë leksion, mbledh të dhëna nga problemet e Estradës, shikon repertorin, gjendjen profesionale, disiplinën, punën, jetën shoqërore dhe këto çështje i lidh me leksionin. Mirë shkon edhe forma e historisë së Partisë së Punës që drejton Bajazit Çevo në Theatrin Popullor si dhe seminari mbi estetikën që e drejton në Theatrin Popullor, Dalan Shapllo, ku pjesëmarrja është e mirë dhe ku hapen biseda interesante, po flasin pak dhe gjithnjë po ata. Po në përgjithësi format nuk shkojnë në rregull. Me Theatrin Popullor nga 7 tema të bazave të marksizëm-Leninizmit janë zhvilluar vetëm 3, për arsye se forma është anuluar 7 herë, 3 herë pse s’ka ardhur propagandisti dhe 4 herë pse s’ka ardhur ndëgjuesi. Komunisti Kadri Roshi ka marrë pjesë në këto forma vetëm një herë dhe s’është marrë asnjë masë kundër tij.

Burimi: Gazeta Shqiptare