Kampioni i parë i Kampionatit si dhe rekordi i parë kombëtar në historinë e Shqipërisë ngjet në kërcimin së larti nga PeterAndoni i Elbasanit me 1.68 metra.

Peter Andoni është 24 vjeç, mësues i edukatës fizike në Normalen e Elbasanit, bir i NikollëAndonit, tregëtar i mirënjohur elbasanas. PeterAndoni është vëlla i të famshmit eksponent të Ballit Kombëtar, VasilAndoni.

Ky është kampioni dhe rekordmeni i parë i historisë së Shqipërisë, në fund të fundit një sportist i gjithanshën qysh në Robert College të Stambollit. Andoni është njeriu i cili e sundon Kampionatin e parë të Shqipërisë.
Ai është Kampion në kërcimin së larti, në kërcimin së gjati (5.97), por dhe në pesëgarësh dhe dhjetëgarësh. Eshtë i vetmi që rrëmben katër medalje të arta të Kampionit të Shqipërisë! I parival, Andoni do të ketë një vazhdimësi spektakolare: ai do të jetë pjesëmarrës i katër kampionateve me rradhë, duke fituar në tanësi 11 tituj të kampionit në këto katër gara, shto këtu dhe trehapëshin.

Ai hyn në histori si themeluesi rekordmen i garave të kërcimeve: së gjati, së larti, trehapësh. Në së larti kampion në katër kampionate rresht: 1929, 1930, 1931, 1932; tri herë në kërcimin së gjati duke mbërritur te 6.16, dy herë në trehapësh, kur përfaqëson Shkodrën më 1931 dhe 1932, me sa duket teksa është transferuar atje, me shifrat e larta për kohën 12.64.

Rekordmenët e radhës që do të vinin mbas tij, Selman Stërmasi (së gjati e së larti), Sefedin Biçaku (trehapësh), SandërKraja (dhjetëgarësh) do ta kishin pikë referimi këte atlet të madh për Shqipërinë e kohës, i cili kishte bartë prej Stambollit për Tiranën stilet e kërcimeve si dhe universalizmin atletik.

Kampionati i parë Kombëtar i Atletikës së lehtë ka përfunduar më 6 shtator 1929. Ai ka përfunduar me fitoren e skuadrës atletike të Prefekturës së Tiranës, mbas një dueli të fortë me Elbasanin, Korçën dhe Shkodrën. Tirana mori thuajse të gjitha Kupat e vëna: atë Çmimit Mbretëror, atë të Princeshës Myzejen, të Entit Kombëtar Djelmënia Shqiptare dhe të Kryeministrisë. Kampionati ka një mbylljes spektakolare ceremoniali, gjithnjë me praninë e patroneshës së tij, Princeshës Myzejen.

Himni Kombëtar, pjesë orkestrale, entusiazëm dhe manifestim i ekipeve atletike rrugëve të kryeqytetit! Kështu themelonte Shqipëria nën Mbretëri, Kampionatin e saj të parë për sportet. Jo rastësisht i themelonte me “Mbretëreshën e Sporteve”, atletikën e lehtë. Jo vetëm për saktësi historike, por për t’iu treguar shqiptarëve se cilët qenë Kampionët e tij të parë Kombëtarë, për të kujtuar nderet që duhet t’iu bëjmë këtyre themeluesve të paharrueshëm, të cilët asnjeri nuk jeton më dhe të cilët deri më sot historia i kishte zhdukur, po i përmbledhim së bashku në këtë dokumentim:

Të gjithë këto rezultate të Kampionëve të parë Kombëtarë, janë dhe rekordet e para zyrtare kombëtare të Shqipërisë dhe si të tillë duhen njohur.

Natyrisht janë shifra modeste duke i parë me syrin e sotëm, por kur kujton se ishte viti 1929 dhe pra jemi në hapin e parë të vërtetë të atletikës së lehtë, në një Shqipëri me kushte tejet të vështira, atëherë ato për kohën kur u vendosën, nuk të duken fort modeste. Janë rezultate të një pasioni të madh dhe që themeluan Kampionatin e parë Kombëtar të Shqipërisë, madje vetë sportet kombëtare shqiptare.
Dhe nderi para të gjithëve, i takoi pikërisht asaj, “mbretëreshës”, atletikës së lehtë.