Gjon Tonin Koliqi, një nga pinjollët e fisit të njohur Koliqi me origjinë nga fshati piktoresk buzë liqenit të Shkodrës, ka publikuar për herë të parë në emisionin RREFIM në TV Scan, disa foto të rralla dhe krejt të panjohura të familjes së tij, apo më saktë një dege të atij fisi të famshëm prej nga rrjedhin edhe dy personazhe mjaft të njohura, si Ernest Koliqit, studjues, publicist, poet, prozator, shkrimtar, etj, i konsideruar si një personalitet i letrave shqipe, i cili në periudhën e pushtimit fashist të vëndit shërbeu edhe si ministër i Arsimit, dhe i vëllaj tij, Dom Mikel Koliqi, kleriku katolik që gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës e kaloi pothuaj të gjithë jetën nëpër burgjet politike dhe pas viteve ’90-të iu rikthye aktivitetit të tij fetar duke u emëruar në vitin 1994 edhe Kardinali i parë shqiptar nga vetë Papa Gjon Pali i Dytë.

Familja Koliqi thuhet se është vendosur në fshatin Shirokë të Shkodrës diku aty nga fillimi i viteve 1700 dhe aktiviteti i saj kryesor ishte peshkimi, por dhe tregtia me Malin e Zi, Venetikun etj, çka bëri që ajo familje të fuqizohej ekonomikisht dhe aty nga fundi i shekullit të XVIII-të dhe fillimi i shekullit të XIX-të, të ndërtonte edhe disa shtëpi në qëndër të qytetit të Shkodrës, të cilat ndodhen edhe sot si pronë e trashëgimtarëve të tyre me mbiemrin Koliqi.

Fotot e publikuara nga Gjon Tonin Koliqi janë shkrepur ndër vite nga Marubët e famshëm dhe ato kryesisht janë pjesë e arkivit familjar të tij (Gjon Tonin Koliqit), si dhe një pjesë tjetër të nxjerra së fundmi nga arkivi i Fototeka Marubi në qytetin e Shkodrës.

Në foton kryesore (ku duken shumë antarë të familjes Koliqi), e cila mendohet të jetë bërë vetëm pak kohë pasi Marubët e famshëm kishin hapur studion e tyre, në qëndër duket Pjetër Koliqi, një nga të parët e kësaj familje, (Gjyshi i Toninit, babajt të Gjon Koliqit), i cili edhe pse i besimit katolik, në foto ka dalë me festen e Turqisë, gjë e cila në një farë mënyre asokohe tregonte edhe bashkëjetësën ndërmjet tre religjioneve në qytetin e Shkodrës. Bashkë me Pjetër Koliqin aty kanë pozuar edhe me rradhë pjestarët e tjerë të kësaj familje.

Fotoja në fjalë duket se është kompozim, (ashtu siç ndeshim jo rrallë edhe më foto të tjera të familjeve shkodrane, Daragjati, Suma, Pistulli, Krroqi, Çoba etj), pasi të ulur në karrike qëndrojnë brezi i tretë i familjes Koliqi, në këmbë sipër tyre janë brezi i dytë dhe ulur fëmijët e vegjël. Ajo që vihet re në këtë foto, është dhe veshja e pjestarëve të familjes Koliqi, ku një pjesë janë me veshje popullore qytetare shkodrane, kryesisht gratë e moshuara, dhe pjesa tjetër me veshjet shik “alla-frënga” me kostum, kollare apo papion, gjë e cila në një farë mënyre tregon edhe gjëndjen e mirë ekonomike të kësaj familje.

Pothuaj njësoj me këtë foto është edhe ajo ku ka dalë familja e Dom Mikel Koliqit, Kardinalit të parë shqiptar pas rrëzimit të regjimit komunist, ku në qëndër të saj janë prindërit, Shani dhe Ageja ( e bija e Cuk Simonit), ndërsa anash tyre, djemtë dhe vajzat e tyre, si Ernest Koliqi, dhe vëllezërit e motrat e tjerë, Leci, Guljelmi, Margerita, Viktori dhe Terezina. Dom Mikeli që ndodhet i ulur në krah të vëllait Ernestit dhe në anën tjetër të nënës së tij, Ages, dallohet aty edhe nga veshja e tij me veladon si meshtar katolik.

Një foto e rrallë është edhe ajo ku dalë Mikel Koliqi, i veshur “alla-frënga” e cila i përket periudhës së viteve ’20-të kur ai pasi mbaroi një shkollë teknike në Bari të Italisë, vijoi më pas studimet në Fakultetin Politeknik në Milano, që e ndërpreu më vonë për t’i përkushtuar studimeve për Teologji dhe Filozofi në seminarin papnuer po në Milano.

Po kështu një foto fare e panjohur është dhe ajo e vëllait të Dom Mikelit, Ernestit, shkrimtarit, studjuesit, publicistit, poetit, prozatorit, etj, i cili në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë shërbeu edhe si ministër Arsimit, foto e cila mendohet se i përket periudhës së rinisë së tij, kur ai studjonte në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia.

Një foto tjetër që paraqet mjaft interes, është dhe ajo e Roza (Rozalina) Koliqit, e konsideruar si një prej femrave më të emancipuara shqiptare në periudhën e Monarkisë së Zogut, foto e cila thuhet se ka marrë spunto i famëshmi Kol Idromeno, kur bëri tabllonë “Motra Tone”.

Ndër fotot e tjera shikojmë edhe atë ku duket një nga ndërtesat e Koliqve ku ata ushtronin aktivitetin e tyre tregtar, dhe në faqen anësore të saj, shkruhet: SHITES PIJET GJON KOLIQI, ndërtesë e cila ndodhet edhe sot në qëndër të qytetit të Shkodrës si pronë e Koliqve dhe ajo ka qenë projektuar nga i famëshmi, Kol Idromeno.

Një foto tjetër është dhe ajo ku ka pozuar Gjystina Koliqi, (gjyshja e Gjon Tonin Koliqit), e bija e Katrinëës dhe e Shtjefën Ingris, austriakut që solli fabrikën e parë të këpucve në qytetin e Shkodrës në fillimin e shhekullit të XIX-të. Veshja e saj si nëpër sallonet mondane të Evropës, dallon nga ato të femrave të tjera të këtij fisi, edhe për shkak të kulturës dhe një deji gjaku të saj austriak.

Një foto tjetër është edhe ajo ku duket një ndërtesë e vogël buzë ujit të liqenit të Shkodrës, ku është shkruar PESKALBA, e cila ka qenë një ndërrmarje private që merrej me tregtinë e peshkut, ku Gjon Koliqi, ka qenë ortak me një shtetas italian dhe me Dan Hasanin, një tjetër personazh i njohur për aktivitetin e tij si tregtar, të cilin e shohim edhe në një nga këto foto ku ka dalë ulur në karrike me xhaketë stofi gri me pika, këmishë të bardhë dhe kollare, dhe me kapelen e stofit ngjyrë e zezë.

Përveç fotove të vjetra që paraqesin dinastinë e Kolqive, aty shohim edhe ato të brezave të mëvonshë, si p.sh. Tonin Koliqi (babaj i Gjonit), i cili ka dalë në vitet ’50-të me tre shokë të tij orkestrantë në një nga lokalet në qëndër të Tiranës ku asokohe luhej muzikë.

Po kështu Tonin Kolqi ka dalë duke u takuar dhe me Papa Gjon Palin e Dytë, gjatë një vizite që ai bëri në Vatikan në vitin 1994, si shoqërues i Dom Mikel Koliqit, kur ai do të shpallej Kardinal, titull që ia akordoi dhe ja dha vetë Papa Vojtila, në shenjë respekti edhe për vuajtjet dhe qëndresën e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Në fund të këtij seti fotosh, shohim dhe ato të Gjon Koliqit me bashkëshorten e tij, Irma Dibra apo dhe atë me djalin e vogël të porsalindur, Xhuzepe, të bëra në fundin e viteve ’80-të kur ato sapo u martuan dhe ata të dy si çift patën bekimin dhe uratën e Dom Mikelit që sapo kishte dalë nga burgjet e regjimit komunist. Edhe pse të bëra pothuaj gati një shekull më pas, fotot në fjalë dallojnë me ato gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre të shkrepura prej Marubëve të famshëm, jo vetëm nga cilësia e saj, por nga veshjet etj etj.

Të gjitha këto dhe të tjera foto, si dhe historia e panjohur e familjes së madhe Koliqi, u treguan prej Gjon Koliqit në emisionin RREFIM në TV Scan të moderuar prej gazetarës Albana Shehu Qirjako dhe publikohen ekskluzivisht për gazetën TemA. /Nga Dashnor Kaloçi, TemA/