Nga Adela Alla/ATSH

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ – “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është ndriçuar nga magjia e dritave të Krishtlindjeve dhe nga zbukurimet e Vitit të Ri.

Tashmë ky qytet duket magjik nën ndriçimin e mijëra dritave ku qytetarë dhe vizitorë të shumtë po shijojnë pamjen mahnitëse që ky vend ka marr në këtë prag festash.

Qytetarët së bashku me fëmijët e tyre po argëtohen duke parë këto zbukurime dhe duke shkrepur foto në vendet më të bukura që Berati ofron.

Bashkia e Beratit e ka shndërruar qytetin në një vend plot dritë dhe ku zbukurimet nuk mungojnë që nga pema e deri tek drerët plot drita e ngjyra duke e kthyer Beratin si një ndër destinacionet më tërheqëse për të kaluar festat.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ka zgjedhur të uroj festat me një kartolinë mjaft interesante ku shihet qyteti i Beratit i zbukuruar dhe plot jetë e ngjyra festive, ku dritat e vendosura kudo duken se të ftojnë në një vend magjik për të kaluar ndryshe Vitin e Ri 2020.

“Magjia e festave ka trokitur në qytetin tonë, duke e bërë atë më të bukur se kurrë!
Eja të festosh edhe ti në Berat, në qytetin e “një mbi një dritareve”. Gëzuar Festat”, shprehet Demo.

Burimi: ATSH – Ata.gov.al