Katër qirinj duke u djegur po konsumoheshin ngadalë. Vendi ku ndodheshin ishte shumë i qetë dhe dëgjohej qartë biseda e tyre.

Qiriu i parë thoshte: “Unë jam Paqja, por njerëzit nuk më duan, dhe nuk më ngelet gjë tjetër veçse të shuhem.” 
Kështu pak nga pak u shua krejtësisht.

Qiriu i dytë thoshte: “Unë jam Besimi, por tashmë nuk vlej për asgjë, nuk ka kuptim të rri ndezur.” 
Pa mbaruar mirë fjalët fryu një erë e lehtë dhe e shuajti.

I trishtuar qiriu i tretë tha: “Unë jam Dashuria por nuk kam forcë për të vazhduar që të rri ndezur. Njerëzit nuk e kuptojnë rëndësinë time. Shumë herë preferojnë të urrejnë.” 

Dhe pa e zgjatur shumë filloi të fikej ngadalë.

Në atë moment në vendin ku ndodheshin qirinjtë hyn një fëmijë dhe kur i shikon qirinjtë të fikur iu drejtohet: 
“Po çfarë po bëni kështu ju duhet të rrini gjithmonë ndezur, unë e kam frikë errësirën,” – dhe filloi të qante. 

Atëherë qiriu i katërt me ëmbëlsi i tha: “Mos u tremb, mos qaj, për aq kohë sa unë të jem i ndezur, mundemi gjithmonë të ndezim tre qirinjtë e tjerë. Unë jam Shpresa.”
Me sy të mbyllur dhe të fryrë nga të qarët, djali mori qiriun e Shpresës dhe ndezi tre qirinjtë e tjerë.

Nuk duhet të shuhet kurrë Shpresa brenda zemrës sonë dhe gjithkush prej nesh mund të gjejë mënyra, si ai fëmijë i zoti në çdo moment për të rindezur me Shpresën e tij, Besimin, Paqen dhe Dashurinë

Burimi: Akropoli i Ri