Në kohët e lashta, një mbret indian jetonte në luks të madh, megjithatë nuk ndihej i lumtur. Ai mblodhi të urtët e mbretërisë së tij dhe u kërkoi mendim si mund të bëhej i lumtur. Pas një heshtje të gjatë dhe proçesi meditimi, një nga oborrtarët e urtë guxoi ta thyejë heshtjen dhe tha: “Lartmadhëria juaj! Mbi faqen e tokës nuk ka lumturi. Megjithatë, nëse insiston, unë të këshilloj që të kërkosh një njeri të lumtur dhe të veshësh këmishën e tij. Sipas meje, vetëm kështu mund të ndjesh lumturi.”

Pa e zgjatur, mbreti i hipi kalit dhe i shoqëruar nga suita mbretërore u nis për rrugë në kërkim të lumturisë. Rrugës, ai takohet me njerëz të ndryshëm të cilët i pyeste nëse ishin të lumtur. Përgjigjet ishin të tilla: “Po, jam i lumtur por kam një konflikt me gruan, jam i varfër, kam fëmijët e vegjël, jam i sëmurë, nuk kam punë etj…

Teksa vazhdonte rrugën dhe mërzia i shtohej më shumë, mbreti dëgjon një zë të bukur duke kënduar. Sa më shumë i afrohej, aq më shumë bindej se personi që këndonte ishte i lumtur, gjë të cilën e shprehte mahnitshëm nëpërmjet këngës dhe atij zëri të mrekullueshëm. Pasi mbërriti, para syve iu shfaq një burrë i thjeshtë, të cilit menjëherë i drejtoi pyetjen: “A jeni i lumtur zotëri?”

Burri iu përgjigj me buzën në gaz: “Sigurisht! Madje do të thoja që jam shumë i lumtur.”
Mbreti i tha: “Atëherë, më jep këmishën tënde ta vesh, që edhe unë të ndihem i lumtur!”

Pas një heshtjeje të gjatë, burri ngriti shikimin e tij të kulluar, buzëqeshi dhe i tha mbretit: “Këmishën time?! Do ta jepja me kënaqësi, por… ia kam dhënë dikujt që i duhej më shumë se mua. Që nga ajo ditë, përjetoj një lumturi që nuk ta përshkruaj dot.”
Lumturinë nuk e gjeni dot tek një këmishë që vishni, por tek fakti që ia vishni dikujt tjetër.
Duke u përpjekur për lumturinë e të tjerëve gjejmë lumturinë tonë.

Burimi: Akropoli i Ri