Kush është Wilfried Fiedler, albanolog i shquar gjerman dhe bashkëautor i librit “Këngët e Çamëve”, botuar në Berlin, në vitin 1965 ? Ai lindi në vitin 1933, në Oberfrohna (Saksoni) dhe u shpërngul që i ri në Berlin, ku studioi në Universitetin Humboldt, për sllavistikën dhe filologjinë e Europës Juglindore e Lindore. Karierën shkencore e nisi në vitin 1955, si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë (në Berlinin Lindor). Në vitin 1957, në moshën 24 vjeçare vjen për herë të parë në Shqipëri, si pjesë e një ekspedite studijuesish. Ky është kontakti i parë i tij me Shqipërinë, që në vitet më pas do t’i kushtojë punën tërë pasion kulturës, gjuhës, traditave të këtij vendi të vogël ballkanik.

Grupi i studiuesve gjermanë qe erdhi në Shqipëri në maj të vitit 1957 përbëhej nga Doris Stockman, Wilfried Fielder, Erich Stockmann dhe Johan Kyritz. Ekspedita ishte nismë e Institutit të Foklorit Gjerman pranë Akademisë së Shkencave të Gjermanisë. Ajo u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë. Nga pala shqiptare morën pjesë Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto.Siç shkruajnë muzikologët gjermanë, qëllimi i tyre ishte inçizimi i këngëve popullore dhe melodive instrumentale me ndihmën e aparateve moderne të marrjes, për të kontribuar në dokumentimin e parë të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare. Në këtë drejtim Shqipëria kishte mbetur një njollë e bardhë në hartën e muzikës popullore të Europës Juglindore. Ato zgjodhën Shqipërinë e Jugut për të realizuar qëllimin e tyre dhe konkretisht siç shkruajnë autorët gjermanë “për të marrë shënime për muzikën popullore të tre grupeve shqiptare në Jug: Toskëve, Lebërve dhe Çamëve si dhe një praktikë këndimi shumë i vjetër, siç ishte polifonia. Instituti i Foklorit Gjerman në Berlin vuri në dispozicion të grupit 3 magnetofonë me mikrofonë dinamikë, 3 aparate fotografikë dhe një aparat me film të ngushtë.

Ata japin të dhëna për shtrirjen e toskëve, labëve dhe çamëve si dhe zonat ku kanë incizuar: krahinën pranë Liqenit të Ohrit, Mokër, pllajën e lartë të Korçës, krahinën e Devollit, malësinë e Skraparit, fushën e Kolonjës, fushën e Vjosës, Myzeqe, Mallakastër, Berat, Elbasan, Lushnjë, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë, Borsh, Himarë, Dukat, Vlorë dhe Kurvelesh. Incizime janë bërë edhe në zanën e minoritetit grek dhe nomadët vllehë.

Në qoftë se do të bënim një rikthim imagjinar gati 40 vite më parë, pra në vitin 1957, kohë kur u organizua edhe ekspedita shqiptaro-gjermane, nuk ka se si të mos ndjejmë akoma të freskëta plagët dhe dhimbjen e popullsisë çame. Është gjallë brezi që e ka parë me sytë e tij llahtarën dhe gjëmën e madhe. Fëmijët e viteve ‘44-’45 janë më të madhuar, por në sytë e tyre ruhen pamjet e tmerrshme të tra, gjedisë. Të vd, ekurit, lënë bokërrimave të tokës çame, u trokasin netëve dhe u prishin gjumin të gjallëve, trazojnë kujtimet. Por jo vetëm kaq. Është zhvendosur relievi i kulturës çame, janë zhvendosur vallet e tyre epike, këngët, baladat, përrallat, gojëdhënat. Dhe kjo është një zhvendosje e një lloji tjetër, më pak e dukshme, por më ulëritëse dhe më tragjike se plagët e bartësve të tyre.

Inçizimi i këngëve çame është bërë në Fier, Skelë dhe Babicë të Vlorës. Këngetarët ishin, siç pohojnë studjuesit, nga i njëjti fshat ose së paku nga e njëjta krahinë. Kështu këngëtarët e Skelës para vitit 1944, banonin në fshatrat Arpicë, Vola dhe Vaje të Gumenicës. Këngëtarët e Fierit ishin nga Mazreku dhe grupi i Babicës nga fshatrat midis Mazrekut dhe Margëlliçit. Vlera të mëdha për studiuesit e muzikës popullore ka transkriptimi i të 30 këngëve, bërë me profesionalizëm dhe kritere rigoroze shkencore nga albanologu Wilfried Fiedler, i cili që nga viti 1957 e deri sa ndërroi jetë, i kushtoi gjithçka kulturës dhe gjuhës shqipe.

Wilcfried Fiedler në vitin 1959, pas njohjes së thellë të shqipes, nisi punën si profesor i albanologjisë dhe si docent i saj, në Universitetin e Humboldit. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë, Prof.Wilfried Fiedler, nga viti 1991 deri më 1998, ka drejtuar katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin Ludvig Maximilian (Mynih). Wilfried Fiedler është edhe hartues i fjalorëve shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip(në vitin 1977), si dhe në vitin 1987 i librit “Gramatika e Gjuhës Shqipe” dhe në vitet 2004 dhe 2007 i librave “Sistemi foljor i Mesharit të Gjon Buzukut” dhe “Ndërtimi i Shumësit në Gjuhën Shqipe”.

Nga Enver Kushi

Marrë nga: Albumi Akordet e Kosoves