Do të mbahet sonte finalja e Festivalit të 58-të të TVSH-së.

Kur shikojmë në histori, në këto 58 vite të festivalit plot këngë kanë fituar edhe kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e muzikës shqiptare.

KultPlus ka zgjedhur dhjetë këngët që kanë dalë fituese të festivalit nëpër vite dhe të cilat tregojnë për fuqinë e këngëtarëve shqiptarë dhe krijimet e tyre të mahnitshme ndër vite. Këngët nuk janë më pak të mira dhe të arrira se tjerat që kanë fituar festivalin.

Elsa Lila – 1997

Në vitin 1997, Elsa Lila merr pjesë për herë të dytë në festival, me këngën “Larg Urrejtjes”. Që nga ajo kohë, kënga është një himn për paqe dhe dashuri, dhe po të dëgjohet edhe sot reflekton me realitetin shqiptar.

Anjeza Shahini – 2003

Anjeza Shahini – talent i dalë prej emisionit “Ethet e së premtes”, e fitoi garën e madhe me këngën “Imazhi yt”. Vitin pasues Anjeza shkon në Eurovizion me një version të mrekullueshëm të këngës.

Parashqevi Simaku – 1988

Në vitin 1988, Parashqevi Simaku triumfon në Festival me këngën “E duam lumturinë”, tekst i Pirro Çakos dhe kompozim i Agim Doçit. Që nga ajo kohë, kënga është ndër ato këngët legjendare së cilës i kthehemi shpesh.

Aurela Gaçe – 1999

Në vitin 1999, Aurela Gaçe i kalon të gjithë pjesëmarrësit duke e marrë vendin e parë me hitin “S’jam tribu”.

Alida Hisku, Petrit Dobjani, Valentina Gjoni – 1974

Në Festivalin e Këngës, të 13-tin me radhë, kënga “Vajzat e fshatit tim” shpallet fituese. Treshja Hisku, Dobjani dhe Gjoni arritën ta sjellin një këngë e cila dukshëm i ka bërë ballë kohës, e ardhur edhe në versione të ndryshme më vonë.

Rona Nishliu – 2011

Kënga “Suus” e Rona Nishliut nuk premtoi shumë para garës, por në fund doli fituese e Festivalit në fund të dhjetorit. Rona solli emocion të veçantë në kompozimin që më pas do të dëgjohej kudo në Evropë.

Ardit Gjebrea – 1991

Ardit Gjebrea, në festivalin e vitit 1991 e fitoi festivalin e madh me këngën “Jon”, një tekst i Zhuliana Jorganxhi dhe Xhankarlo Milone.

Vaçe Zela – 1976

Vaçe Zela, në mesin e fitoreve të saj në Festival, e numëron edhe fitoren e vitit 1976 me këngën “Nënë moj do pres gërshetin”. Këto ishin vite kur Vaçe Zela ishte në kulmin e karrierës si këngëtare.

Alberije Hadergjonaj – 1998

Alberije Hadergjonaj fitoi në festival në vitin 1998 me këngën “Mirësia dhe e vërteta”, edhe ky një himn i kohës.

Tonin Tërshana – 1983

Në mesin e disa fitoreve të Tonin Tërshanës në TVSH, në vitin 1983 ai fiton me këngën “Vajzë moj, lule moj”.

Burimi: Kultplus.com