Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur një vajzë e vogël çapkëne, shpalosi talentin e saj që në moshën 9 vjeçare.
Interpretimi i këngës së parë “Mori drandofilja e vogël”, nën drejtimin e violinistit, mjeshtrit Mark Kaftalli, befasoi specialistët dhe muzikantët e asaj kohe të cilët e afruan, si shumë talente të rinj për ta radhitur këtë këngëtare në plejadën e interpretuesve të këngës popullore qytetare shkodrane.


Dhe kështu ndodhi. Desi u rrit me këngën. Zëri i saj tingëllues, me një timbër të pastër, shkëlqimi i talentit të saj ishte një premisë që ajo të thirrej pa ngurrim në skenën e Teatrit “Migjeni” si këngëtare e estradës profesioniste duke u radhitur për krah kollosëve të jareve shkodrane, mjeshtrave Bik Ndoja “Nderi i Kombit” e Shyqyri Alushi dhe që nga ajo ditë nuk është shkëputur nga skena. Ajo është trashëgimtarja e denjë e brezit të këngëtarëve të mëdhenj shkodranë, është një nga zërat që ka dhënë kontribut të shquar për ta ruajtur traditën e muzikës popullore shkodrane.
Mukades Çanga, është këngëtare që ka dhënë kontribut shumë të madh në interpretimin e këngës qytetare shkodrane si brenda edhe jashtë shtetit, duke u bërë kështu edhe një përçuese e denjë e bukurisë dhe e vlerave artistike që ka ajo brenda melosit të sajë të pastër shqiptar. Ajo me zërin e saj përçoi artin e këngës së gjallë shkodrane dhe ka merita të pa përsëritshme artistike.


Ja si shprehet në vlerësimet e tij shkrimtari dhe dramaturgu i njohur prof. Fadil Kraja: “Nëqoftëse do të flasim për ditët e sotme mund të themi pa hezitim se Mukades Çanga është një pikë referimi për këngën popullore qytetare shkodrane, që fillon nga ajo dhe vazhdon me këngëtarë të tjerë që për fat të mirë i kemi me shumicë”.
Artistët gjithmonë i këndojnë njëri tjetrit dhe ishte zëri brilant i Desit që vargjet e një teksti kushtuar Legjendës së këngës popullore kosovare, Ismet Peja, të krijuara nga autori i këtij shkrimi dhe me muzikë të mjeshtrit Ilir Zoga i dhanë vlera një bashkëpunimi kombëtar i cili u pasua dhe me bashkpunime të tjera që hapin rrugën në të ardhmen e bashkimit kombëtar.
Desin nuk e bëjnë të madhe titujt, por lidhja me këngën dhe me qytetin e saj ku ajo e ndien veten gjithmonë një vajzë shkodrane./
Ramazan Çeka

Loading...