Përjashta shoferi i ri i dha shenjë se kishte mbërritur. Babai u ngrit nga kolltuku dhe hapi pak perden duke vështruar në oborr:
-Ç’makinë të paskan dhënë more qerrata, si të kryeministrit!- i tha të birit që po nxitonte të vishej në korridor.

– Drejtor kontrabande biri i nënës, e meriton! – tha nëna ndërsa po shikonte edhe ajo nga ana tjetër e perdes makinën e re të të birit.
– Jo kontrabande moj nënë, por antikontrabande, nuk janë njëlloj, – tha ai ndërsa mori në dorë qesen plastike ku që në mbrëmje kish futur këpucët e vjetra. Ishin një palë këpucë të lodhura nga riparimet vërtet, por ai kish qejf ti riparonte herë pas here tek miku i tij këpucar Çif, atje në dyqanin e vogël në fillim të rrugicës. Me Çifin edhe kur i çonte edhe kur i merrte këpucët i pëlqente të bënin një dorë muhabet.

Këpucari Çif nuk kish ndryshuar mendim ndaj tij edhe kur ai ditën që i bleu këto këpucë 25 vjet më parë i çoi për ti vënë pafta hekuri një ditë para se të nisej për në Bulqizë ku e kishin emëruar mësues matematike, edhe kur vjet më vonë e sollën instruktor në Komitet të Rinisë, edhe kur pas të 90- tës filloi punë në dogana, edhe tani që Çifi se dinte akoma që e kishin emëruar drejtor të antikontrabandës ai ish i sigurt që kur të shfaqej me këpucë në duar në prag të dyqanit mjeshtri do ta priste me fjalët: “ Në rrugë të ndershme këpucët rrojnë gjatë !” Mirëpo shoferi i ri i kish hapur derën e fuoristradës dhe ai e kuptoi se as edhe një minutë kohë nuk mund të humbiste me mikun e tij Çifi këtë herë.

-Çoji po deshe ti këto këpucë tek ai dyqani i vogël atje dhe thuaji mjeshtrit se do të vij ti marr mbasdite, – i tha ai shoferit duke i lënë qesen me këpucë në dorë.

5 orë më vonë tek kthehej me fuoristradën e re nga porti i Shëngjinit ndjehej shumë i kënaqur nga operacioni i parë që sapo kish drejtuar në port. Pronari i anijes që kish sjellë frigoriferë, lavatriçe , televizorë, kolltuqe të shtrenjta me dokumenta fallso rrinte si i zënë në faj dhe nuk protestonte ndaj asnjë veprimi të njërëzve të tij. I kish vënë një gjobë goxha të madhe, diku tek 100 mijë dollarë, dhe ndërsa uli perden e xhamit të derës së mbrapme të fuoristradës gati e tha me zë mendimin se sa do t’i bëhej qejfi kryeministrit kur të mësonte lajmin.

Me të kish qenë në shkollë të mesme , në fakt kryeministri ishte në vit të parë kur ai po mbaronte gjimnazin, por ia kish përmendur vetë se ja kish pëlqyer shumë poezitë që mësuesja e letërsisë ia jepte për koment viteve të para. “Mbanin pak erë dogëm , por ishin të ndjera, megjithatë , – i kish thënë kryeministri edhe dje kur e kish marrë në telefon për t’i komunikuar emërimin. Ai i kish kujtuar dhe atë historinë e dy baballarëve të tyre partizanë, që kishin fjetur në një shtëpi të varfër në një fshat të Lezhës dhe në mëngjes e zonja e shtëpisë, një grua plakë kur i kish përcjellë ngaqë s’kishte ç’tu jepte për të ngrënë kish këputur në kopsht kastravecin e farës, një kastravec i trashë dhe i verdhë që i ati i thoshte gjithmonë se nuk i hiqej nga mendja se sa antikastravec ishte me farat e tij si prej kungulli.

Kryeministri i kish thënë hapur se i besonte ndershmërisë së tij edhe pse ai kish punuar doganier në kohën kur opozita e sotme ishte në pushtet. Më kanë thënë se ke mbetur me këpucët e gjimnazit akoma, kish thënë fjalët e fundit të karakteristikës së tij kryeministri që prej javësh ishte në sulmin e ashpër të opozitës për korrupsion në dogana. Në gazetat e Tiranës jepeshin shifra marramendëse se sa humbiste shteti nga kontrabanda në dogana. Prandaj nuk na rritën pensionet neve, thoshte i ati kur dëgjonte pasqyrën e shtypit çdo mëngjes tre herë radhazi. Sikur të gjitha këto para që i fute në buxhet të shtetit sot të shkonin për shpërblimin e veteranëve sa do të merrnin secili prej tyre, pyeti veten ndërsa ndjeu se po kotej nga një gjumë i lehtë. Ndoshta sa për një birrë, dy bërxolla dhe pesë lekë panine për secilin, kujtoj menynë e pas mësimit tek “ Tymi” në kohën e gjimnazit që u shijonte aq shumë….

Por….zilja e telefonit e zgjoi nga kujtimi i ëmbël. Me përtesë të madhe i hodhi një sy ekranit. Instiktivisht, edhe pse në makinë, u çua në këmbë. Në vend të numrit në ekran ishte shfaqur emri i kryeministrit.
– Ku je? – dëgjoi zërin e tij
– Sapo lashë Shëngjinin. Kam…
– Vetëm je?

Ai kuptoi se duhet të dilte nga makina që shoferi të mos dëgjonte bisedën. I bëri shenjë atij të ndalonte duke hapur krahun. Tre metra nga vendi ku ndaloi, në krah të djathtë, filloi shtrirjen e saj këneta. Në ato pak sekonda se kuptoi si i shkoi në mendje historia e asaj foke që ishte shfaqur në muajt e fundit të komunizmit dhe me klithmat e saj dëshpëruese mbetur në batak kish frymëzuar lloj – lloj hamendjesh.

– Tani po, – i tha kryeministri ndërsa ngriti jakën e palltos dhe futi mes saj dhe veshëve celularin.
– E mora vesh që ke bërë punë të pastër. Urime!
– Falëminderit zoti kryeministër!
– Por dëgjo si është puna…

– Urdhëroni zoti kryeministër.
– Pronari i asaj anijes…
– Po zoti kryeministër…
– Më thanë që ishte sjellë shumë mirë…
– Po zoti kryeministër…

– E, ai është djali i asaj plakës që tit eti dhe tim eti u lagu buzën në luftë më atë kastravecin…
– Po zoti kryeministër…
– Ata akoma jetojnë në atë shtëpi më mure balte, kuptove!
– Si urdhëroni zoti kryeministër!

– Hajt mirëardhsh dhe mos harro shkruaj ndonjë vjershë rrugës!
– Si urdhëroni zoti kryeministër!

Tek i afrohej në mbrëmje shtëpisë së tij me makinën fuoristradë ai ndjente akoma ti digjnin veshët. Kujtoj se sa e turpshme kish qenë për të skena kur kish hipur në anije me proçesverbalet e gjobës 100 mijë dollarëshe në dorë dhe i kish grisur në sytë e pronarit të anijës dhe marinarëve. I tingëllonin në vesh fjalët “ Hajde ç’vete këtu more ç’vete!”që dikush, njëlloj si i ati kur habitej shumë me padrejtësinë që dëgjonte në pasqyra shtypi, përdori kur ai bëri të zbriste nga kuverta e anijes. I dukej vetja sikur ishte dhjerë në pantallona. Xhamin e dritares e mbante hapur dhe me kokën jashtë i bërtiste shoferit : “ Nxito të lutem, nxito!”

I ngjiti me një frymë shkallët e shtëpisë së tij dhe kur nëna hapi derën në korridor i ati në mes të tij me sy të zgurdulluar përsëriste : “Hajde ç’vete këtu more ç’vete!” Nëna e sqaroi se sapo ai në mëngjes kishte lënë mbrapa rrugicën me makinën e kontrabandës disa burra kishin ardhur me frigorifer, lavatriçe, televizorë dhe kolltuqe të reja fare, nga më të mirat në treg, i kishin marrë të vjetrat dhe i kishin hedhur në plehra. I ati nuk i kish ndalur dot.

Ai kuptoi gjithçka. Bëri të zbresë shkallët poshtë, të shkonte të merrte këpucët e vjetra tek mjeshtri Çif kur në derë u dha shoferi i tij me dy qese të mëdha plastike në duar. Në secilën prej tyre në numrin e këmbës së tij kishte këpucë, shumë këpucë.

– 5 palë i ke të zeza, 5 palë i ke të kuqe! Ne të antikontrabandës nuk përdorim këpucë të riparuara. Të vjetrat i ke tek plehnat, – shpjegoi shoferi.
“Jaaashtë!!!”- ulëriti ai, por …vetëm me mendje. Shtyu derën e banjës dhe u fut të bëjë një dush.

“Floke te lagur” Mars 2005