Kështjella e Kastrit në Vig të Mirditës.

Eshtë ndër monumentet e rëndësishme të Mirditës.
Kështjella e Kastrit (Kalaja Qytet) gjendet në një sheshore, ku bashkohet lumi i Gjadrit me atë të Vomës, në kryqëzimin e rrugës Shkodër-Orosh dhe Lezhë-Pukë-Prizren.

Sipas arkeologut Gjerak Karaiskaj: “Kështjella e Kastrit është ndërtuar mbi rrugën e rëndësishme ushtarako-tregtare, Lissus-Naissus (Lezhë-Nish), në kryqëzimin e saj me rrugën që lidhte Shkodrën me Oroshin”.

Në librin e tij “Udhëtim permes rajoneve të Drinit dhe të Vardarit”, të botuar në vitin 1867, albanologu Johan Georg von Hahn, përmend edhe kështjellën e Kastrit në Vig të Mirditës. Sipas autorit, tradita vendase, në qytetin e shkatërruar të Kastrit, shihte vendlindjen e Gjergj Kastriotit.

Kështjella e Kastrit ka një sipërfaqe prej 5600 m², mbrohej prej 12 kullash, ka dy porta hyrje në meset e anëve lindore dhe perëndimore, të mbrojtura secila nga dy kulla drejtkëndëshe.

Në një studim për Kastrin, prof. Zef Nekaj nga Domgjoni i Mirditës, ndër të tjera shkruan: Sipas traditës vendase, kështjella e Kastrit ka qënë “gjytet i vjetër i Merditës” dhe zotërim i Kastriotëve.

Sipas prof. Nekajt, në dimrin e vitit 1937, ishin përmbytur nga ujërat e lumit Gjadër, disa fshatra të zonës: Mnela, Kalivaçi, Vigu, etj. Ujërat e Gjadrit kishin shkatërruar një pjesë të madhe të kështjellës së Kastrit. Sipas prof. Nekajt, rrënojat e shumta në afërsi të Vigut, tregonin se Kastri kishte qënë një qytet i hershëm.

Sipas arkeologëve, Kështjella e Kastrit është ndërtuar në vitet 313-320 pas. e. sonë.

| MIRDITA:Histori dhe aktualitet |