Riza Lahi

Kosovari Agim Spahiu porositi nga një pulë të pjekur me patate për ne të dy në një tavolinë përjashta lokalit..Në Tiranë kishte ardhur vera dhe ai sapo kishte ardhur nga Suedia. Kur, ja, ca më tej, po kalonte me shtatin e lartë si llastar, me hapat e gjatë e të qetë, i vetëm, ish-piloti gjuajtës Koço Biku. “Ky ka ulur vetë I tretë një aeroplan serb të armatosur deri në dhëmbë, në Rinas!”

Agim Spahiu shqeu sytë dhe kërkoi ta ftoja me çdo kusht në tavolinën tonë. Agimi ende ka në shpatullën e djathtë nishanin e një plumbi që ka marrë gjatë demonstrative të ’81-shit kur kish hyrë të demonstronte me rininë kosovare, ndërsa ishte i veshur me rrobet e milicisë, ku shërbente. Koço Biku refuzoi duke më buzëqeshur, si gjithmonë. Ky burrë, një nga ish shefat e mi plot kulturë, zemërbardhë, shembull i modestisë, korrektësisë dhe besnikërisë ndaj gjithçkaje që lidhet me emrin “atdhe”, më ka dashur shumë. Ai kishte punë. ia bëri me dorë edhe drenicakut tim me mirësjellje, dhe u largua. “Gimo, ai serbi quhej Bozhidar dhe, Koçua, kur ai nuk pranoi të hante, por kërkonte një cigare, ia ka dhënë gjithë paqetën e tij”. “O Rizë! Nuk ke ra ti ndonjëherë në duar të serbëve. Të të kishin kapë ty rob ata, ta kishin qitë qumështin e nanës”. “Po, ja, ky është ndryshimi mes dy mentaliteteve, traditave, kulturave, more Gimo!”

 

XXX

 

Në kafe “Mesdheu” me shef Koçon dhe mikun tonë Milo Budini, ish oficer i Rinasit dhe, ja, po evokojmë atë ditë të paharruar të aviacionit luftarak të vendit tonë… Një natë më parë, me 20 korrik 1967, regjimenti i Rinasit kishte patur deri vonë fluturime natën; kishin mbaruar rreth orës dy pas mesnate. Piloti 31 vjeçar Mahmut Hysa, komandanti i “Grupit Ajror”të Regjimentit të Aviacionit Rinas, nga fshati Maminas, refuzoi të shkonte e të flinte në shtëpi, mbasi qe shumë vonë. Ai ende banonte familjarisht në fshat dhe atë natë nuk kishte ndonjë mjet transporti që ta çonte komandant Hysën në Maminas. Ai vendosi të flinte në një nga dhomat e gatishmërisë së regjimentit. Në të zbardhëllyer, mbërritën në Rinas pilotët e gatishmërisë, dy djem të rinj 23–24 vjeçarë, Koço Biku dhe Roland Sofroni, të cilët, nuk kishin fluturuar atë natë. Ende nuk kishin filluar nga fluturimet e natës ata. Udhëheqësi i fluturimeve të kësaj gatishmërie, piloti Bardhosh Hasani, edhe ai nuk kishte shkuar në shtëpi, ngaqë, sikurse edhe Mahmuti, edhe ai kishte fluturuar natën. Edhe ai po vazhdonte të flinte në gatishmëri, sikurse Mahmuti.

Të dy djemtë, pilotët e çiftit të gatishmërisë së regjimentit për atë ditë, si kontrolluan dhe një herë personalisht gjendjen e aeroplanëve të “çiftit rojë”, si raportuan në Vendkomandën Qëndrore se kishin ardhur dhe se gjithçka ishte plotësisht gati; si morën edhe programin shtetëror të fluturimeve të asaj dite në tërë territorin e vendit, liruan pak lidhëset e këpucëve edhe u shtrinë që të bënin edhe një tjetër sy gjumë…

 

Koço Biku: Eh… Mahmuti i shkretë… Kishte fjetur fare pak dhe e kishte mbaruar krejt paketën e cigareve. Edhe unë e pija, jo shumë, more, 7-8 cigare në ditë, ama e mbaja gjithmonë paketën me vete… Sapo kotesha, kur ndjej se një këpucë po i binte këpucës sime. “Hajt, çohu, të pimë cigare”… ”Po lërmë, o komandant Mahmuti të fle edhe pak.!” “Hajt, hajt, çohu! Gjumash! Na e nxirr paqetën se më është mbaruar e imja”! “Po, ja ore, merre paketën e pi sa të duash, po më lër të fle edhe pak!” Ai, prapë me këpucë. “Boll fjete se budallallepsesh kur fle shumë, gjumash! Çohu ta pijë bashkë…hajt se do të të tregoj diçka të bukur!”

Dreq o punë! Do t’i zgjonte të gjithë ai. Bëra ç’bëra dhe u ngrita. Ai doli që nga korridori jashtë ndërtesës që mos t’u vinte tymi i duhanit atyre të tjerëve që po flinin. Unë, isha ende në korridor dhe s’e kisha ndezur akoma. Kur m’u bë se dëgjova një zhurmë nga jashtë. Nuk i kushtova ndonjë farë rëndësie. Por pashë Mahmutin se si hapi krahët me cigaren ne buzë…po shihte nga qielli dhe, veç ka buçitur si i çmendur, siç bërtitet në raste alarmesh: “NJËËËËËËËSHIIIIIIIIIII”.

Dhe flaku cigaren e u sul përpara me shpejtësi skëterre drejt dy avionëve të gatishmërisë. Edhe unë pas tij me sa fuqi që kisha.

 

Normalisht, detyrën shtetërore për t’u vërvitur të parët në ajër në rast alarmi e kishin dy pilotët që ishin në urdhrin e ditës. Por tigri i ajrit Mahmut Hysa , nuk llogariti asgjë. Hapësirën ajrore të atdheut e kishte shkelur dikush atë agim. Kush vallë ishte ai shkelës. Serb, grek, italian…? Hysa u vërsul të ndeshej me të. Mund të ishte i armatosur deri në dhëmbë, mundet jo. Kush e dinte? Djemtë shqiptarë të ajrit nuk e kanë llogaritur jetën e tyre kurrë në emër të mbrojtjes kombëtare; në emër të qiellit tonë. Mahmuti kërceu në aeroplanin e komandantit të çiftit roje, pra të Koços. Koço Biku, të tjetrin, ngjitur me ‘të.

Ishin dy aeroplanët më të shpejtë të vendit tonë në atë kohë; të përafërt me avionët më të mirë që kishin në armatim grekët, serbët apo italianët – MIG 19.

Tetë burra të tjerë në “Dhomat e gatishmërisë”, shpërthyen, edhe ata, nëpër destinacionet e veta. Urdhra, të folura me zë të lartë, dinamizëm …asnjë e ecur; që të gjithë vraponin

Nxitim…nxitim…nxitim… Motorët e Mahmut Hysës nuk u ndezën “çakmak”, me të parën. Motorët e Koços, ndihmuar nga tekniku Aleks Mitros, menjëherë. Sekondat vraponin me nxitim skëterre.

 

Koço Biku: Mahmuti e kish pikasur avionin që përtej ndaj dhe dha alarm. E pashë, sigurisht edhe unë. Po vinte që nga drejtimi i Qafës së Tujanit. Ndërsa po bënin përpjekjen e dytë për lëshimin e motorëve tekniku me Mahmut Hysën, ky ktheu kokën nga avioni ynë dhe ma bëri me dorë. Qartë. Urdhri i tij ishte të mos prisja asnjë sekondë, askënd. Të mos e prisja atë, pra. Jepi ti, Koço! O burraaa!!!!

Mahmut Hysa ishte komandant në çiftin tonë. Ai po bënte përpjekjet për lëshimin e aeroplanit, ndërsa unë kapa brezin e ngritjes. Ndjeva kufje zërin e Vendkomandës së Rinasit – zërin e Kalem Torrës….Si the? Çfarë ndjenja në ata çaste kur po rendja drejt “mysafirit”? Gjithçka ndjenja qe përqendruar në “Shpejt!!!”.

 

Vëmendja, psikologjia, ndjenjat, shpirti, gjithçka e pilotit Koço Biku, ndërsa nuk ia ndante syrin aeroplanit të huaj që ishte rreth 800 metro, ishte përqendruar, gjithçka, vetëm në “institucionin“ – “shpejt”!!! Si të arrinte sa më parë “atë”. Me çdo kusht. Me tërë forcën. Asnjë ndjenjë tjetër, asnjë merak, kujtim, meditim, asgjë – asgjë tjetër veçse…. aman, ta kap…ta arrij atë plehrë!

 

Koço Biku: Për 3–4 minuta e arrita. Zura vend pas tij 200 metro, jo 300 metro larg sa është rregullorja për të hapur zjarr, dhe i raportova Kalem Torrës në radio për shenjat e flamurit të avionit me të cilin tanimë ndodheshim vetëm për vetëm. Dukej qartë sipas flamurit në bord, se ishte aeroplan i forcave ajrore serbe… Menjëherë hapa edhe topin e tretë; e kisha harruar pa hapur atë. Dalloheshin qartë dy bombat e varura në të dy krahët dhe predhat e tija reaktive. Për herë të parë ndjeva një si makth, si siklet në veten time…

 

Në trurin e djaloshit tani buçitnin vetëm tamtame beteje. Nuk kish llogaritur asgjë, përfshirë edhe faktin që ishte i vetëm

Gjithë shëndet, me atë organizëm të fortë dhe të ri, Koço Biku i ngjante një luftëtari të vijës së parë që nuk është plagosur kurrë. Por, oh, ai ishte edhe një luftëtar që, gjithashtu, nuk kishte parë gjak njerëzish të vrarë me pushkën a dorën e tij, kurrë.

Mendja po punonte me saktësi. Ishte tanimë brenda rrezes së hapjes zjarr. Urdhri nga poshtë vinte që të mos qëllonte assesi avionin që kishte shkelur hapësirën tonë ajrore. “Mbaje në vëzhgim në të gjitha lëvizjet e tija! Qartë? Në asnjë mënyrë ‘zjarr’ pa urdhër”. Piloti 23 vjeçar hapi ‘zjarr’ me aparatin fotografik të luftimeve në ajër, që e përdornin gjatë stërvitjeve. Tani, mjaftonte që të shkelte butonin dhe ‘ai’ do të ishte i asgjësuar; do të binte në tokë diku i mbytur në flakë. Tanimë Koço Biku kishte mësuar të qëllonte mirë në ajër. Si kishte ngecur nja dy herë ne fillim, se qe kthyer “bosh” nga “luftimi ajror”, kish mësuar tanimë aq mirë, sa, gjithmonë e sillte filmin plot me “predhat në shenjë”.

Gishtin e kishte te butoni i hapjes “zjarr”. Mjaftonte që ta shtypte dhe… gjithçka përfundonte. U kujdes që të mos e shtypte padashur butonin me bulëzën e gishtit. Do të ishte skandal. Jo vetëm për të por për… Shënjestra kishte një njeri brenda. Mbase moshatar i tij, me shpirt, me gjak, me familje a me një të dashur.

Ishte mbytur në djersë. Shënjestra i lëvizi paksa dhe ai e rregulloi menjëherë. Po sikur ai t’i jepte gaz e të sulej drejt Tiranës; ja tek ishte ajo. Të sulej dhe të lëshonte të dyja bombat. Të bënte shkrumb kushedi se sa njerëz të vendit të tij. Ja tek ishte. Dy herë u mat të kërkonte të hapte zjarr e të mbaronte punë me të. Nga poshtë sërish ndjeu që e porositën të mos hapte zjarr në mënyrë kategorike. Atyre çasteve në kokën e djaloshit kumbonin me ritme të lartë tamtamet e betejës; të vjetra, të panjohura më parë për askënd, të ardhura që nga foshnjëria e njerëzimit Ndërkohë,ndjeu në krah…

 

Koço Biku: E ndjeva një fllad ngrohtësie – më qe afruar Mahmuti fare pranë. Ma bëri me shenjë që t’i afrohesha në krah, siç më qe afruar ai, pilotit të huaj. T’i afrohesha dhe t’i bëja shenja që të vinte për ulje. Ia dallova qartë siluetën e tij – kokën në shlemafon dhe me maskën e oksigjenit. Mahmuti ndenjti i tërhequr pas. Po vinte edhe një MIG–19 tjetër. Nga indeksi i tij, kuptova se po vinte komandanti i njërës nga skuadriljeve, Gëzdar Veipi…

 

Në Rinas ishte edhe “hoteli i beqarëve“. Komandant i Skuadriljes, Piloti Gëzdar Veipi po flinte një gjumë të lezetshëm pas fluturimit të natës. Gjithmonë kur bëheshin fluturime natën, dita e punës niste dy a edhe tre orë më vonë se normalisht. Kënaqeshe me gjumë mirë e mirë. Ai po flinte i veshur vetëm në mbathje banjoje në atë vapë korriku. Kur…në mes të gjumit, ndjeu ca zhurmëra të pazakonshme dhe, sapo dëgjoi dikë nga poshtë hotelit se kishte shkelje të hapësirës ajror, kërceu nga krevati siç ishte dhe u sul si bishë me të katra … u gjend pranë një avioni, të cilit i kërceu sipër si një kali që po pret të zotin. As maskë oksigjeni, thuajse krejt i zhveshur, siç ishte ngritur nga krevati; së paku një palë këpucë të kishte veshur se të përcëllonin shputat e këmbëve. Një avion serb i armatosur deri në dhëmbë, me predha reaktive dhe bomba, ndodhej përmbi Rinas, përmbi qendra të banuara, mu fare kryeqytetit të atdheut. Koçua me Mahmutin ishin mbërthyer me atë. Po sikur ai të hapte zjarr, të hidhte bombat apo…apo t’ia therte për të ikur nga kishte ardhur? Bah! Ai ka vetëm një rrugë. Të ulej. Të ulej i kapur rob.

Gëzdar Veipi zuri vend pranë dirigjentit të këtij operacioni në ajër, Mahmut Hysës, që, për më tepër, kishte marrë pjesë edhe në një kapje tjetër në ajër, ca vite më parë…

 

Koço Biku: I bëra me shenjë pilotit serb; ia bëra duke tundur krahët, që të rrotullohej për djathtas dhe të vinte për ulje. Ai nuk m’u bind. U kthye majtas. Distanca jonë u rrit. M’u bë sikur donte t’ia mbathte. Mahmuti ma bëri me shenjë që do ta ndiqte ai atë, menjëherë, kurse unë, t’i shkoja pranë atij. Ashtu bëmë.

 

Piloti serb Bozhidar, 25 vjeçar ishte si i shushatur tanimë. Ai ishte mësuar në aerodromin e tij të kthehej për ulje duke u rrotulluar djathtas dhe ashtu veproi. Ishte nisur për qitje–bombardim dhe kishte humbur orientimin. Ky ishte shkaku që ndodhej në këta rrethana. Sigurisht që ai e dinte fare mirë mënyrën se si ta korrigjonte këtë lajthitje të tij mëngjesore për të mos rënë rob. Mjaftonte një “bojevaja”, një “kthesë luftarake”, pra, një kurs i kundërt me marrje lartësie dhe t’u lije glasën… Glasën nuk ua lije dot, se. Ndodhej në “shoqërinë” e tre MIG 19dhe në një vend, ku, siç mërmërisnin kolegët e tij, të qëllonin pa paralajmërim. (Së paku nga dy burime, pas hapjes së Shqipërisë, kemi marrë informacionin se, në hartat luftarake të pilotëve të NATO-s, kufiri i Shqipërisë ishte i shënuar me vijë të zezë dhe të trashë; një shirit, që porosiste pilotët se nuk duhej kapërcyer assesi ai, sepse mbi qiellin e tyre, shqiptarët të qëllojnë pa paralajmërim dhe për të të vrarë).

Ndërsa Koço Biku vazhdonte të sillej përmbi aerodrome, piloti serb, nën mbikëqyrjen shoqëruese prej Mahmutit dhe Gëzdar Veipit, tanimë po ulej në Rinas.

Sapo u ul, fiku motorin dhe… kishte mbërritur gazi me shefin e shtabit të regjimentit Vasil Qeraxhiun, me dy pilotë – Bajram Hita dhe Bardhyl Lubonja.

 

Koço Biku: Ata i hodhën mbi kokë një thes robit, e morën në makinë dhe…

Pse ia hodhën?

Po të mos shihte, ore, sa e si ishin aeroplanët… e dërguan menjëherë në ambulancë.

Ne të tre përfunduam në dhomën e gatishmërisë, ku na sollën për të ngrënë të dy mëngjeset bashkë. Morëm vesh që shefi i shtabit të repartit, që dinte ca serbisht, Vasil Qeraxhiu, po e pyeste robin, por ne ende nuk e kishim parë kë kishim kapur. Ndërkohë, një Fiat i kuq. Të habitur pamë njëri-tjetrin… Që andej dolli ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu… Ai na përgëzoi nxehtësisht dhe, sigurisht që shau jugosllavët. Kishte marrë me vete edhe fotografin e ministrisë. Ai na bëri një fotografi që të tre neve: Mahmutit, Gëzdarit dhe mua….

Erdhi pasdrekja. Robi ndodhej larg nga dhoma e gatishmërisë …Ende nuk e kisha parë nga afër as avionin e as pilotin serb që e ruanin me roje. U nisa. Meqenëse më ishin mbaruar cigaret, bleva një “Diamant”….A më lanë rojet me automatik te dera ku rrinte Bozhidari? Po, si jo, ore. Ishin ushtarë të repartit e më njihnin, mua, oficerin e tyre.

 

Koço Biku pa prenë e tij dhe të dy shokëve se si rrinte i menduar. Ishin parë një herë sy më sy në ajër. Erdh radha të shiheshin sërish. Koçua, dashnori i natyrës, luleve serenatave, mirësisë tani po shihte një njeri fatkeq. Një djalë të ri që kishte rënë rob. Ndjeu një ndjenjë mëshire për fatin e tij, gjithsesi, të turpshëm. Bozhidari e kishte hequr pjesën e sipërme të kominosheve se ishte shumë vapë. Rrinte në kanotiere, mbytur në djersë jo vetëm nga vapa. Një kryq i varej në qafë.

Të dy pilotët u panë sy më sy. Robi nuk kishte futur asgjë në gojë. E kishte lënë ushqimin aty të paprekur.

Djaloshi shqiptar nxori paqetën dhe i bëri me shenjë nëse donte një cigare. Robi pohoi me sy dhe me kokë. Në sytë e tij nuk shihej urrejtje por pikëllim. Koçua ia hodhi në prehër paqetën e sapo blerë, të pa nisur, i buzëqeshi me mirësjellje, dhe u largua ta linte tjetrin në vetminë e tij…

 

Koço Biku: Duket sipas një marrëveshjeje, avionin e çarmatosur, ua kthyem sërish ushtrisë serbe. Erdhi ta merrte inspektori i aviacionit jugosllav. E priti komandanti i aviacionit shqiptar, Edip Ohri. Gjuajtës Bombarduesi G-94 ishte ekuivalent me gjuajtës–bombarduesin me të cilin mbaronin shkollën pilotët tanë, MIG–15….E? A u mblodhëm të tre net ë pinim një gotë? Treshja jonë? Oh, jo.

 

Po ku janë sot tre protagonistët e asaj dite ku shkëlqeu vetëmohimi dhe dashuria e pakufishme për atdheun dhe qiellin mbi Shqipëri të djemve tanë?

Njëri nga ata, Mahmut Hysa, pikërisht i vetmi nga pilotët shqiptarë që ka marrë pjesë në uljen forcërisht të dy aeroplanëve të huaj, nga tre gjithsej që kanë ulur forcat ajrore shqiptare gjithsej, nuk rron më.

Ja se çfarë tregojnë Milo Budini, prej 23 viteve deshifrant i laboratorit të foto-zbulimit; që të dy komshinj të Hysës, si dhe Koço Biku – që të dy banues në të njëjtin pallat në atë kohë.

 

Milo Budini: Komandant Mahmuti vdiq më 6 prill 1981; ishte e diel, ora nëntë e darkës; diagnoza e vdekjes ka qenë cilësuar “vdekje e bardhë”. Ai kishte dalë në punë të dielën. Ishte shumë i mërzitur.

Koço Biku: Vdiq një javë pas humbjes së dy pilotëve të regjimentit që drejtonte ai, pilotëve Sabri Toçi dhe Armando Gjoka. Ata ranë duke fluturuar në një avion gjuajtës dyvendësh. Mahmuti ishte shumë i dhimbsur me shokët, i donte pafund. Unë banoja në një kat më poshtë katit të tretë të Mahmutit. Atë natë i kishte ardhur nëna e tij e verbër nga Maminasi, fshati i lindjes së tij, që ai nuk i humbi lidhjet kurrë me të. I donte familjen dhe fshatin e lindjes, si dy gjëra të shenjta. Mahmuti nuk e la të shoqen, Nadiren, që t’ia lante këmbët nënës; jo, jo, i tha, do t’ia laj unë. Si mbaroi, ndërsa nëna vazhdoi të rrinte e qetë në minder, Mahmut Hysa u ngrit të lante duart në lavaman, dhe, që andej, ra në tokë i vdekur. Ra rëndë dhe fëmijët e mi, në katin më poshtë, pra, klithën në një kohë: “U, ra xhaxhi Mahmuti”. Ndërkohë, në derën tonë trokitën duke qarë fëmijët e pilotit që kishte dhënë frymën e fundit.

Milo Budini – Edhe unë u sula; po i bëja të shkretit frymëmarrje artificiale, por më kot; Koçua po merrej me mjekët, thirrjen e tyre.

Kurse e ëma, vetëm thoshte me gjysëm zëri: “Mos më lëvizni!”. Nëna e kishte ndjerë menjëherë se çfarë kishte ngjarë.

Koço Biku: Ku është tekniku im Aleks Mitro? Oh, me atë kemi qenë miq që në shkollën e mesme. Ai është nga një fshat i minoritetit maqedon në Shqipëri–Pusteci apo Liqenasi. Ky oficer ka qenë korrekt, i pabujë, i pafjalë; shembull i mjeshtërisë dhe patriotizmit. Sot mbahet ende; mbahet mirë dhe vazhdojmë miqësinë tonë të bukur dhe konstante , që në shkollën e mesme, në teknikumin financiar.

Po Gëzdar Veipi, me se merret sot? Është një burrë i fortë, truplidhur; gëzon pensionin si oficer dhe atë të veçantë prej piloti, siç e gëzojnë e tërë kjo sagë burrash të ajrit shqiptar, vazhdon të lozë shah si një mjeshtër i vërtetë, lexon libra, pi cigare shumë dhe, modest e i ndershëm deri ne adhurim, vuan në heshtje shfarosjen e racës shqiptare të pilotit gjuajtës…

tiranaobserver.al