Eleni Laperi

Dy fjalë sot për Nikolla Idromenon, i cili u lind 157 vjet më parë, në 15 gusht të vitit 1860 në Shkodër. Fëmija i dytë i Arsen Idromenos dhe Roza Saraçit, Kola, si e njohim më shumë, u rrit nga një nënë e dashur dhe e qeshur dhe nga një baba që e donte punën dhe librat. Pranë tryezës së tij plot skica projektesh arkitekture e libra u zbulua edhe dhuntia e djalit për artet.

Edhe pse Kola u lind e u rrit një kohë kur vendi ishte kolonia më e skajshme e perandorisë gjigande osmane në rënie, e cila kurrë nuk ofroi ndonjë gjë të mirë për kulturën shqiptare, i ati e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.

Gjithë jetën e tij Kolë Idromeno, krahas përkrahësve e miqve si Pjetër Marubi, Palokë Kurti, Filip Shiroka, Ndre Mjeda etj., ia kushtoi kultivimit të kulturës në qytetin e Shkodrës. Ai ishte një prej nismëtarëve të themelimit të arkitekturës, pikturës e skulpturës realiste dhe fotografisë shqiptare, duke na lënë një trashëgimi me vlerë në këto fusha.

Loading...

“Kola me shembullin e vet personal tregoi se ky vend duhej të shndrrohej në një komb të qytetnuem i cili qytetnim fitohet duke punue”, shkruan për Idromenon Lec L. Çoba në kujtimet e tij. “Deri në vdekje kryesorja për artistin ka qenë ‘puna’: as për një çast nuk ka pas turp të punojë”. Çoba shkruan se Idromeno lexonte shumë libra të gjinive e fushave të ndryshme, si fizikë, kimi, astronomi, arkitekturë, fotografi, artet e bukura e letërsi botërore në gjuhët italisht, frëngjisht e gjermanisht.

Edhe pse e dinte se “kurrë nuk janë çmue sa duhet shkrimtarët e artistat, e në vendin tonë edhe ma pak çmohen”, edhe pse të vetmin ‘muze’ që mund të ‘vizitonte’ në vendin e tij ishte fotografia, ai ndoqi dhuntitë e tij deri në fund, duke çelur nga asgjëja rrugën e pikturës realiste në Shqipëri.

Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare. Sepse ende sot kultura e arti shqiptar nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur prej pushtetarëve, të cilët kurrë nuk e kuptuan se sa i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm është roli i tyre për përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat./Gazeta Shqip