Fatmira Nikolli – Duhet të ketë hyrë në studion e Kolë Idromenos, me shaminë e bardhë, napë në kokë, me hapin e lehtë. Rrudhat i dalin në pah dhe tregojnë një grua mbi të 70-at, me nofulla të futura brenda, me gjasë nga dhëmbët e rënë. Është kapur në profil. Në kokë mban një kapele tip ‘hikers’ dhe një palë syze ‘vintage’ në formë rrethore (që mbase janë edhe syze piloti). Nëse nuk do dije emrin e fotografit që ka fiksuar këtë çast, do mund të mendoje shumëçka. Plaka me rrudha, me napën mbi krye ku shquhet edhe qëndisma e lehtë, me syze e kapelë është shndërruar në një zonjë shumë ‘stil’. Prapë do të mbeteshim të paqartë mbi statusin e saj social, nëse shpatullave të imta nuk do të kishte hedhur kapotën e vjetër. Nga supet i shquhet qartë qepja e shkujdesshme me dorë. Gjithë imazhi për të ndryshon. Zonja me kapelë, me shumë gjasa është një grua krejt e zakonshme të cilës Kolë Idromeno, i kërkoi një ditë të pozonte për të. Me dy aksesorë, e moshuara ka marrë pamje tjetër, që tradhtohet vetëm prej qepjeve të palltos.

Fotografi Idromeno i ka dhënë një jetë tjetër të përjetshme gruas që në rrethana të paqarta ka hyrë në studion e tij. Ironikisht, jeta që ajo pati një çast të vetëm për ne, është përjetësia e saj, fiksuar vetëm nga ky imazh. Kjo fotografi është në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku u çel dje ekspozita “Kolë Idromeno. Retrospektivë” me piktura, kostume, skica dhe fotografi të mjeshtrit poliedrik të artit shqiptar, vëllain e “Motres Tone” e babain e pikturës së parë realiste shqiptare.

EKSPOZITA
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli, në hapje të ekspozitës tha se Kolë Idromeno nuk do shumë fjalë, pasi është figurë e spikatur e artit shqiptar. “Ka lëvruar në pikturë, fotografi, vizatim arkitekturë, muzikë. Ai është figura më e kompletuar e më multidisiplinare në artin shqiptar. Unë kam pas nderin të punoj me disa këshilltarë për këtë ekspozitë si Eleni Laperi për pikturën, Afërdita Onuzi për kostumet dhe Zef Paci për fotografinë”, tha drejtori i GKA-së. Vërejti se në këtë retrospektivë, nuk shohim vetëm “Motrën Tone” dhe “Dasmën Shkodrane”, por të gjithë miqtë e familjarët e autorit të shtënë në veprat e tij si personazhe. “Veprat janë të bashkuara të restauruara, si ato që janë në pronësi të GKA-së edhe ato të muzeut ‘Oso Kuka’ apo Galeria së Arteve në Shkodër. Kjo është ekspozitë retrospektive që nis me autoportretin e autorit”, vërejti ai.
Nikollë Idromeno u lind në Shkodër më 15 gusht të vitit 1860. I ati, Arsen Idromeno, një shqiptar nga Parga, ishte vendosur në Shkodër në vitin 1856. Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Roza Saraçin në vitin 1858. Nikolla, ose Kola si e njohim ne më shumë, ishte fëmija i dytë i çiftit Idromeno, pas vajzës Antonia, e lindur më 1859.

Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër. Veprat e tij janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939). Nikollë Idromeno u nda nga jeta në 12 dhjetor të vitit 1939.

PIKTURA DHE DETAJET QË FSHEH
Një analizë më e hollësishme e Eleni Laperit, studiuese e artit pamor, ndalet më gjatë te vlerat e “Motres Tone”, portretit të Mati Kodhelit, kostumet “Dasmës shkodrane”, “Autoportretit” të autorit që e shfaq atë rreth moshës 70-vjeçare apo një portreti të panjohur më parë të Imzot Çobës kur ishte veçse fëmijë.
Por, ajo që vlen të marrë më shumë vëmendje është vepra e tij me bazë religjioze, jo aq prej tematikës, se sa prej trajtimit.
Më 1890, kur ishte diku te të 30-at, Idromeno pati një porosi për pikturë nga një frat. Kishës i duheshin pikturat e tij për t’u shpjeguar malësorëve Biblën dhe për t’u treguar se cilat ishin mëkatet që nuk duhej të bënin. Për këtë seri, “Idromeno ka punuar me kënaqësi të madhe sepse ka bërë skica për to, por edhe ka bërë fotografi për skena të ndryshme, ka marrë shokët të pozojnë të veshur ose gjysmë të zhveshur”, thotë Laperi.

Tabloja “Dy rrugët” tregon se si Idromeno e ka pasqyruar në pikturë, parajsën e ferrin. Ai e ka ndarë në gjysmë tablonë, parajsën në pjesën e sipërme dhe ferrin në pjesën e poshtme. Peizazhi i parajsës është marrë nga Kodra e Tepesë, që është në vendin ku është ngritur kalaja e Rozafës. Nëse pjesa e parajsës mbahet në ato tonet e kaltra e të qeta, një gjallëri e jashtëzakonshme e pothuaj festë është në pjesën e ferrit. Ka disa hipoteza për devocionin e tij: Mikel Prenushi thotë që Idromeno ishte ateist, Mark Zadeja thotë se ishte shumë besimtar, ndërsa Odise Paskali që e ka takuar më 1931 e mban mend si ateist. Por, për Laperin, përtej besimit, Idromeno ishte artist ndaj kur sheh këtë tablo beson se ai është kënaqur gjatë procesit të punës.

Idromeno ka vënë në vepër edhe veten e tij. Në një prej grupeve që janë të destinuar për në ferr, madje kanë kaluar dhe portën e tij, ai mban në duar një violinë e veçantë me 8 tela që e kishte modifikuar vetë. E përdorte në festat që organizonte. Kjo violinë, vëren Laperi, e përdorur shumë në kulturën e folklorin nordik, ishte një violinë që nuk pranohej nga kisha sepse thuhej që atë violinë muzikantëve ua kishte mësuar djalli.
E gjithë skena e poshtme e veprës përcjell të gjitha mëkatet që të çojnë në ferr. Piktori vë në të gjakmarrjen, vrasjet, vë betimet e rreme, vë fëmijët që keqtrajtojnë nënën, vë fallxhorët, kurnacët.

Një detaj interesant që studiuesja vëren nga kjo vepër, janë dy portat. Porta e parajsës të kujton fundin e gjilpërës ku futet peri. Ilustrimi evokon frazën e njohur se, “mëkatari do hyjë në paraja aq sa ç’hyn deveja në vrimën e gjilpërës”. Ndërsa Portën e Ferrit, Idromeno e bën të madhe. Ajo ngjan me Portën e Top Kapisë, me Portën e Lartë të Stambollit. “Flamujt e kuq mbi të, nuk janë të rastësishëm. Janë flamujt e kuq otomanë. Ai gjen mënyrën për të thënë se ferri i shqiptarëve ishte Porta e Lartë”, shënon studiuesja.
Por, vepra nuk ndalet vetëm te këto detaje që dalin në dritë nga studimet. “Këtë tablo Idromeno e ka marrë në dorë edhe pas 1910-ës. Krejt pranë portës së ferrit, shquan Edit Durhamin dhe konsullin francez në Shkodër, Aleksandër Degrand, i cili më 1901 botoi një libër ku ka 4 fotografi të veprave të Idromenos”, thotë Laperi. Duke vërejtur se kjo është tabloja ku ai shfaqet si piktor profesionist, kujton se Aleksandër Degrand kur e përshkruan në librin e tij, thotë se Idromeno kishte pikturuar një liqen të rrethuar me pemë në ferr. Siç duket, ai në fillim ka dashur të vërë liqenin për ta bërë sa më real e për ta lidhur me Shkodrën, por më vonë e ka kthyer në një lulishte.
Në pjesën e sipërme të veprës, nga porta e parajsës e deri në qiell, duket se shquhen dy shqiptarët që çuan Zojën e Shkodrës në Gjenacano, pas pushtimit otoman të Shkodrës, ku legjenda thotë se Zoja iku nga Shkodra.

“Dy burrat ndodhen në afreskun e kishës së Zojës në Gjenacano në Romë, ku ka shkuar figura e Zojës së Shkodrës. Në atë tablo, ku piktori italian tregon arritjen e Zojës në Gjenacano, janë edhe ata dy burra: supozoj se mund të jenë Giorgio dhe De Sclavis, dy shkodranët që çuan ikonën atje”, thotë studiuesja.
Para të gjitha veprave me temë fetare si “Dy rrugët” apo “Kur hin dreqi mrena”, gjenden skica dhe fotografi, që janë veçse skena të vogla të kompozime e të mëdha të piktorit. Kjo nxjerr në pah jo vetëm procesin e tij të punës, por edhe përgatitjen e madhe që ai bënte para një vepre të tillë. “Këto seri tregojnë se Idromeno punonte para për veprat. Ai ka bërë një seri skicash e fotografish. Ka marrë shokët e tij dhe i ka vënë të pozojnë në pozicionet që do duheshin për kompozimet e mëpasshme. Janë shokët e tij, humoristë të qytetit”, thotë Laperi.

FOTOGRAFIA
Në pamje të parë janë vetëm dy burra, jo më shumë se në të 30-at e tyre që po pozojnë. Duhet pak vëmendje për të parë, se ndërsa njëri është tejet serioz, tjetri si në foto, e çlirëta që bëjmë ne sot, ka nxjerrë gjuhën për të përqeshur me shaka mikun e tij. Fotografi nuk është përpjekur ta fshehë këtë detaj.
Në një tjetër, një oficer është ulur në karrige dhe pozon. Ka në krahë dy fëmijët e tij, të dy, pa të brendshme. Hija e rëndë e ushtarakut që pozon me mustaqet përdredhur ‘zhbëhet’ nga lakuriqësia e fëmijëve që del në pah qartazi, qoftë edhe prej pakujdesisë së t’et që e mban shikimin të mbërthyer nga objektivi. Një zotni me kapele republike që teksa kalon lumin me gomar duket si ku bie, një fëmijë që pozon në këmbë ndonëse duket nga pas një burrë që e ndihmon të mbajë ekuilibrin. Fotografitë e Idromenos, bartin dhe ngërthejnë sa prekjen e kuruar të artistit, po aq edhe ‘gabimet’ njerëzore që duket se janë lënë aty qëllimisht. Dyzimi oficer i kuruar dhe fëmijë të zhveshur mundet të haset në secilin imazh që ka lënë ai.

Studiuesi Zef Paci thotë se si figurë poliedrike, ai ndërron habitatin e Shkodrës, duke sjellë nga arkitektura orientale në një arkitekturë neoklasike e baroke. Realizon piktura, portretin e parë laik, kompozimin e “Dasmës Shkodrane”, piktura me motive religjioze, portretin e Mosinjor Çobës. Është edhe muzikant që ka luajtur me violinë e trombon nëpër orkestrat e bandat e qytetit, që asokohe quheshin “Daulla e qytetit”. Zef Zorba ka treguar se kur ishte fëmijë kishte ndërtuar një elektroshok për vetitë kurative. Ai ishte i joshur ndaj alkimisë e këtë joshje e kishte edhe ndaj fotografisë. “Ka marrë mësimet e para te Marubi e mandej ka shkuar në Venecia. Kur kthehet në Shkodër, ka ndjerë potencialin e mediumit të ri, siç është fotografia.

Studioja e tij është e dyta që hapet në Shkodër. Ajo që është e rëndësishme për personin e tij, është se eklektizmi dhe poliedriticiteti i tij i bën t’i ndajë artet nga njëri-tjetri. “Te piktura ndjen procesin në punën e tij, ndërsa te fotografia, me mjeshtërinë që ka e kompozimin – ajo ruan fragrancën e tharmin e jetës. Kur e bën fotografinë, ndjen dozën e vërtetësisë dhe sheh njerëzit e rrugës”, thotë Paci. Pranon se përzgjedhja është bërë duke pasur parasysh Idromenon poliedrik dhe eklektik. Fenomen i ushqyer prej kureshtjes si dhe inteligjencës së tij për të përzgjedhur e dalluar ndërmjet kërkesave të kohës, mungesave, ndërmjet mundësive ekskluzive të mediumit që përdorte. “E veçanta është se ai sa arrin të inskenojë në studio dhe rivënien në skenë të fotografisë, aq edhe ai del në rrugë dhe fotografon duke kapur çastin. Mbase s’janë foto të përsosura, por kjo e bën artistike e të veçantë. Fotot ndërkaq, prej se vijnë nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nuk kanë pas asnjë sqarim që të tregojnë për të”, thotë ai, ndërsa vëren se në njërën prej tyre, “fëmija që mban librin, mund të jetë Simon Rrota”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKA deri më 8 shtator 2019./Gsh.al