Fatmira Nikolli  – Aktori i njohur italian Michel Placido në mbështetje të kauzës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar do të vijë të japë shfaqje. Ka qenë ky lajmi i bujshëm dhënë mbrëmë nga regjisori Edmond Budina në sheshin kur prej 18 muajsh protestohet, prej 13 muajsh përditë e prej 10 ruhet ditë e natë, e prej së mër-kurës pas rrethimit 15 orësh nga policia është marrë nga Aleanca që e mbron kundër projektit të qeverisë për ta shembur.

Regjisori konfirmoi ardhjen e ‘Komisar Katanit’ ndërsa teatri u rihap të shtunën me shfaqjen e Mehdi Malkaj “Marr Guximin”. Placido do luajë në skenën e TK-së “Gjashtë personazhe kër-kojnë autor” dhe do të vijë pa shpërblim. Siç konfirmon Aleanca, ai është treguar shumë i lumtur që të bëhet pjesë e artistëve që vijnë e japin shfaqje në mbështetje të kauzës për ruajtjen e godinës. Pos Placidos në skenë do vijë edhe Arben Bajraktaraj ndërsa teatri po vihet në funksion me mbështetje vullnetare dhe me gjenerator pasi tashmë i janë prerë uji dhe dritat

Sheshi i protestës
Takimin e mbrëmshëm e hapi Bert Budina, i cili tha se teatri po merr funksionin e tij të plotë me shfaqje. Pas Mehdi Malkës do kemi shfaqjen “Emigrantët” nga artistë shqiptarë që janë emigrantë. “Para këtyre akteve nuk ka diktaturë që nuk dorëzohet. Ndaj ne do ta mbajmë në punë teatrin, sepse nuk mund të vijnë të prekin një teatër në punë”. Budina tha se “Ambasadorja franceze ka ardhur të shohë se çfarë po bëhet këtu. Ajo nuk deshi të prononcohej, por si duket do të shohin me prezencën e tyre atë që po ndodh”. Në përgjigje të reagimit të Vangjel Kozmait që kundërshtoi vënien në skenë të pjesës së tij nga Malkaj, Budina u shpreh se “autori ka thënë se Mehdiu shkon pas politikës. Çfarë pushteti ka opozita? Në emër të Aleancës sk’a dalë asnjë politikan të flasë.

S’mund të paragjykojnë e të thonë se është e politizuar. Ne nuk futëm politikën të përballej me policinë të mërkurën. U përballëm vetë me policinë. Ata erdhën të na mbështesin. Erdhi dhe Arben Malaj, çfarë do të thotë kjo? Mehdiu i dha vlerë atij teksti. Me interpretimin e tij e ngriti në shkallën e duhur atë tekst”. Në vijim, arkitekti Maks Velo tha se është shumë gabim që aktorët japin prononcime për gjendjen e teatrit. “Aktorët mund ta vënë në dukje. Por si rregullohen është puna jonë si arkitektë. Jo aktorët të dalin të thonë me tallash e pa tallash. Të mos hyjnë në probleme teknike. Rama s’ka nevojë të mbledhë deklaratat e artistëve. Të japë deklaratat e veta. Po s’ka ç’të japë se ka 20 vjet që nuk vjen në teatër. Ju e mbani mend kur erdhi Rama kryeministër.

E nisi me rregullimin e kryeministrisë. E shumë mirë bëri. Por ai bëri atë tavanin me hekura. Ministria e futi në mbrojtje dhe e hoqi nga trashëgimia. Pra, nuk mund ta lëmë të bjerë meqë do ndihmë. Se ne nuk jemi si Adhamudhi që i thoshte Lululeshes: Të dhemb krahu, prije. Shembuj ka sa të duash. Ai ka marrë Marko Petreskin dhe po e bën Dajtin dhe Bankën. Pra, po të dojë e bën Petreski”, u shpreh Velo. Ndërkohë rreth orës 22:00 të mbrëm-jes u vu re një prani e shtuar e forcave të policisë përreth teatrit. Për ç’arsye Aleanca bëri thirrje qytetarëve të vinin për të bërë roje gjatë natës.

Burimi: GSH.AL