Nga Vepror Hasani

Njësitë që i jepnin tonin dhe fizionominë pazarit, që e mbushnin atë me veprimtari gjatë gjithë ditëve të javës ishin dyqanet. Në dyqanet kryhej kryesisht prodhimi i mallit dhe tregtimi i tij. Aty kryheshin gjithashtu edhe shërbimet e ndryshme.

Nga ana urbanistike, pazari i Korçës dallohet për një strukturë mjaft kompakte dhe një rregullsi thuajse gjeometrike. Një rrjet i rregullt, me rrugë të drejta që ndërpriten ndërmjet tyre me kënde kryesisht të drejta, kufizojnë parcelat e mbushura me ndërtime. Ky rrjet ka kushtëzuar konfiguracionin gjometrik të ndërtimeve, që ndonjëherë janë shmangie nga format drejtkëndore. Në blloqe të formuara në këtë mënyrë, dyqanet janë të vendosura në grup ose të vargëzuara njëri pas tjetrit.

Përgjithësisht ato ishin të grupuara pas zejeve. Kështu dyqanet e këpucëve, rrobaqepësve, teneqexhinjvem samarxhinjve, lëkurpunuesve etj, gjendeshin të rreshtuara njëri pas tjetrit, ose të mbledhura në një zonë të caktuar.

Në vendosjen e punishteve luante rol zeja dhe klientela. Lëkurwpunuesit ishin vendosur buzë lumit, samarxhinjtë, saraçët, zilexhinjtë që kishin si klientelë kryesisht fshatarë, zinin vend në periferi, pranë pazarit të vogël, pazarit të kafshëve dhe në rrugën e Voskopojës, zakonisht pranë haneve. Kjo e kufizonte mjaft qarkullimin e kafshëve nëpër pjesën qëndrore të pazarit

Zejet që prodhonin për një klientelë më të gjerë e më të qëndrueshme si, rrobaqepësit, këpucarët, kallajxhinjtë, bakejt, kapelapunuesit etj, kishin zënë vend në qendër të pazarit. Shpesh zejet e grupuara i jepnin emrin rrugëve, ashtu si emërtonte sheshet malli që tregtohej. Takoheshin emërtime të tilla, si “rruga e rrobaqepësve” “e këpucarëve”, “e kallajxhinjve” etj

Pergjithësisht dyqanet janë dykatëshe. Një numër i madh i tyre kanë dhe bodrume. Skema më e zakonshme planimetrike është njëkthinshe në çdo kat. Kur dyqani i përkiste zejtarit, kati përdhe shërbente në të njëjtën kohë edhe për prodhim edhe për tregtim. Ai është i pajisur me vitrina të mëdha që hapen në rrugë. Vitrinat sigurojnë një dritë të mjaftueshme për zejtarin dhe shërbejnë njëkohësisht për ekspozimin e mallit të prodhuar për shitje. Në një kënd vendoseshin shkallët e ngushta prej druri që e lidhnin me katin e dytë. Funksioni i katit të dytë ka qenë i ndryshëm. Ai përdorej për depo (magazinë, ose për punishte). Në rastin e parë, kati ka lartësi të vogël dhe ndriçim të pakët. Hapësirat e vogla të dritës nuk kanë kanata xhami, por vetëm kapakë metalikë dhe skara hekuri. Në rastin tjetër, kthinat e katit të dytë janë më të pasura me dritare me përmasa më të mëdha dhe të pajisura me kanata xhami. Më vonë, me diferencimin e një shtrese tregtarësh të pasur, fillojnë e ndërtohen dyqane vetëm për shitje. Po kështu, katet e sipërme të dyqaneve zakonisht bëhen të përdorshme si punishte ose në disa rase, si zyra

FURRAT E BUKËS
Përveç dyqaneve, në Pazar kishte edhe një mumër të madh (deri në njëmbëdhjetë) furash pjekje, të shpërndara në çdo pikë të pazarit. Ndryshe nga furrat e mëhallave, të cilat piqnin edhe tava, në furrat e pazarit prodhohej vetëm bukë. Dikur në të gatuhej edhe paçe, por me një vendim të esnafit të furrëtarëve, u ndalua gatimi i saj me pretekstin se qelbej tregu

ARKITEKTURA
Në aspektin arkitektonik, ndërtimet e pazarit të Korçës dallohen për një unitet të tipareve thelbësore, që shprehen në zbatimin e skemave kompozicionale të njëjta, në përdorimin e metodave, materialeve e teknologjive ndërtimore të qendrueshme e të përparuara dhe në kërkesën për një trajtim të pasur arkitektonik e dekorativ. Në të njëjtën kohë, si rrjedhim i periudhave të ndryshme të ndërtimit dhe i shtresave të ndryshme zejtaro-tregtare me fuqi jo të njëjta ekonomike, për pazarin e Korçës është karakteristike dhe një larmi formash e trajtimesh

Nga blloqet e dyqaneve të mbetura deri në ditët tona del qartë karakteri i përgjithshëm i pazarit të Korçës, rruga e zhvillimit në kohë e koncepteve dhe tipareve kryesore arkitektonike, konstruktive e dekorative
P. Thomo, “Korca, urbanistika dhe arkitektura”, f., 210, 212, 215)

Nga Vepror Hasani