Nga Vepror Hasani
Prej këngëve të Abaz Hajros drithëroheshin gjithë këngëtarët. Ishte virtuoziteti i tij që emociononte si këngëtarët me përvojë ashtu edhte këngëtarët e vegjël. Kompozimet e tij ishin njerëzore, të kapshme, të pëlyeshme, emocionuese, të paharrueshme, sikur vinin prej qiellit. Në festivalet e fëmijve çonte këngët të mrekullueshme. Jorgjeta Lalazi rrëfen fëmijërinë e vet si këngëtare:“Kënga më bënte të drithërohesha e gjitha. Kisha nisur të këndoja që kur isha në klasë të parë. Kisha marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijve dhe çdo vit isha vlerësuar me çmime. Këndoja me shoqen time Alma Subashi, me Astrit Koçibellin, me Afërdita Laçin, me Arsen Buzalin, me Ilir Qafzezin etj. Tasi Poda ishte udhëheqës artistik, Abaz Hajro dirigjonte, kompozonte dhe luante në fisarmonikë.” (V. Hasani “Solistja e grupit ”Nostalgjia”, Jorgjeta Lalazi: Ju rrefej jetën time”)Abaz Hajros i duhej të mendonte për këngët e muzikës së lehtë, për këngët popullore, për këngëtarët e Estradës së qytetit, për kupletet, paroditë, pantonimat etj:“Me krijimin e Estradës së Ushtaritë e cila ishte e dyta që u hap në Shqipëri pas asaj të Tiranës, Spanja u aktivizua duke kënduar këngë popullore e të muzikës së lehtë. Në vitin 1960, në Estradën profesioniste të qytetit të Korçës, ajo doli si soliste kryesore me këngë të kompozuara nga Abaz Ajro dhe kompozitorë të tjerë…” (Raimonda Moisiu, “Tingulli i zemrës e ka emrin serenatë”)Abaz Hajro njihte çdo dashuri të qytetit, çdo dhimbje dhe brengë, çdo pikë loti të rrënë prej syrit. Njerëzit i kërkonin që loti i padukshëm i tyre të bëhej serenatë, dhe ai ulej dhe kompozonte.
Këngëtarja Spanja rrëfen:
“Abaz Hajro ua u gjente “telat” serenatave. Këto ishin tamam serenata, si përshembull “Sofati”. Kjo serenatë lindi për dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati duke qëndisur:Shkoj përditë rrugës sate si më parë,por më parë të kisha ty,sot kam mall.
Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh).
Serenata tjetër e Abaz Ajros:“Ti më erdhe në netët e qeta”. Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartte kjo serenatë. Jeta ka çaste të bukura, çaste mërzitje e gëzimi, veçmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjeçe dhe isha nën “ethet” e dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike, po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti: -Çfarë ke? Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që solli tekstin e serenatës, që përmenda më lart”. (Rajmonda Moisiu, “Spanja Pipa, artistja që theu tabutë”)
Edhe kënga e mëposhtme u kompozua prej Hajros në pragun e një viti të ri, kur jashtë dëbora shtrohej si qilim, kur bota festonte, por dikush e vetmuar rrinte në shtëpi…I këndohet trishtimit që ndoshta ngandonjëherë vjen edhe pa arsye, por ndoshta edhe nga diçka që duhet mbajtur e fshehtë, edhe pse brenga të mundon:“Sonte festë ka e gjithë bota,botë moj gjithmonë paç gëzim,verë e kuqe derdhet nëpër gota,bora jashtë shtrohet si qilim.Të gjitha shoqet në gostira vanëvetëm unë sonte nuk festoj,trimin e zemrës, që s’e kam pranë,me mendime do ta shoqëroj…”.Kështu u krijua edhe kënga tjetër ku dhimbja dhe dashuria, ndarja dhe malli rrinë bashkë, por ti nuk ia thua dot askujt; vetëm kënga të çliron shpirtin:Ti më erdhe në netët e qeta,në krahët e mia si demon,më dehe me puthjet e fshehta,si ëndrra që vjen edhe shkon…Fisarmonika e Abaz Hajros nuk heshti asnjë çast; ajo ishte atje ku ishte dhimbja dhe trishtimi i njerëzve. Vasil Ballauri sjell një panoramë më të plotë të përpjekjeve të Abaz Hajros:“Për rreth 25 vjet (a më tepër), në dekadat e vështira të viteve 60 e 70, në botën e vërtetë shpirtërore të rinisë, botë kjo që shfaqej fshehurazi e trazuar prej melodive e këngëve gjatë mbrëmjeve të dikurshme të vallëzimit, një rol qendror në qytetin e Korçës luajti fisarmonika e papërsëritshme e rrëqethse, vajtuese dhe sidomos virtuoze e Abaz Hajros.”(V. Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)
Abaz Hajro mbajti gjallë serenatat e Korçës edhe në vitet e komunizmit, kur këto këngë nuk i shihnin me sy të mirë. Kështu shprehet muzikologia Mikaela Minga:“Nuk janë kënduar me lehtësinë e viteve të para apo kohës së lulëzimit, por në Korçë serenatat janë kënduar gjithmonë. Krahas saj ka pasur edhe autorë që kanë krijuar këngë të cilat ndonse nuk këndoheshin në skenë u bënë shumë të njohura. Ndër ta shumë të rëndësishëm për t’u përmendur janë kompozitori dhe fisarmonicisti Abaz Hajro, apo autori i vargjeve Aleko Skali”(Ani Jaupaj, “Si u ruajtën serenatat korcare”)Kontributin e Abaz Hajros për ruajtjen e serenatës Korçare e vë në dukje edhe Spanja Pipa:“Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se kompozitori dhe fisarmonicisti i shquar korcar Abaz Hajro ua gjente “telat” serenatave. Ato ishin tamam serenata…” (Rajmonda Moisiu, “Rrëfehet Spanja Pipa me serenatën ndër buzë”)
Krijimtaria e Hajros është gjallë edhe sot e kësaj dite. Ende këndohen serenatat e tij. Ai ishte pjesëmarrës i përhershëm në koncerte e festivale, krijues i këngëve qytetare të Korçës; pjestar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Drejtues i Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës që nga viti 1956. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Lindi më 25 mars 1930 dhe u nda nga jeta në 6 shtator 1996. (V. Hasani, “Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog”)Kurse këngëtari Gaqo Prifti thotë:“Mjafton të dëgjosh vetëm këngët e tij dhe do të kuptosh sa i madh ishte dhe çfarë botë të gjerë shpirtërore kishte.” (Shirma Mnga, “Gishti i tij rridhte mjaltë”)
Në shenjë nderimi ndaj vepër së Abaz Hajros, prej disa vitesh, ai ka bustin e tij në lagjen ku lindi dhe jetoi, por shumëkush mendon se Hajro nuk ishte krijuesi i një lagjeje por kompozitori që i këndoi me pasion Korçës, ndaj busti i tij duhet të jetë në qendër të qytetit. Kështu mendon edhe skulptori Bujar Sula, i intervistuar nga gazetari Tonin Froku, i cili thotë se Abazi i dha jetën Korçës:“Abazi ishte ikona, e serenatës korçare, këngët që ka bërë Abazi janë të pavdekshme, janë korniza të mrekullueshme për kengën. Abazit i takon të jetë në qendër të qytetit. Këngët e Abazit i këndojnë korçarët e mirëfilltë, njerëz me kulturë, njerëz me horizont. Ishte i jashtëzakonshëm. Ai i dha jetën Korçës…” (Tonin Froku, “Ku duhet të vendoset busti i Abaz Hajros”)Dalja në skenë e kompozitorit të famshëm Abaz Hajro nuk ishte e rastësishme, Korça ka patur shoqëri muzikore që nga vitet 1670, dhe më parë, por kjo e vërtetë është lënë në heshtje. Na ndiqni fundjavën që vjen, do të mësoni më shumë për shoqëritë e para muzikore të Korçës, për këngëtarin Muço që i këndonte Ali Pashë Tepelenës dhe për shumë sazexhinj të tjerë.