Nga Lavdrim Lita

Një ndër godinat më të rëndësishme të historisë së Shtetit Shqiptar ishte Parlamenti, ku deputetët debatonin me një kulturë të jashtëzakonshme teknike e filozofike për gjatë jetës politike të viteve 1921- 1944.

Me ardhjen e komunistëve kjo godinë u bë Teatri i Kukullave në Tiranë, si për të thënë se tash e tutje koha do të kishte marioneta dhe spektatorë. Godina e vogël në qendër të Tiranës, e damkosur nga komunistët Teatri i Kukullave, është godina e parë e ndërtuar me fonde publike në Shqipëri.
Ajo është në një mënyrë, vepra e parë e Shtetit të Pavarur Shqiptar.

Themelet e saj janë hedhur në vitin 1917 nga ushtria austro- hungareze, duke synuar ndërtimin e një spitali publik i cili do të përforconte atë pranë Sahatit, në një vit të rënduar nga epidemia e Murtajës. Spitali nuk u ngrit kurrë dhe Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes, vendosi të ngrejë aty Shtëpinë e Oficerëve. Projekti ndërroi rrugës dhe pak kohë me pas, ajo u be godina e parë e Parlamentit Shqiptar.

Një godine e ngritur me këtë funksion dhe që u bë për shumë vite arenë e debateve parlamentare të fazës së parë dhe të hershme të pluralizmit shqiptar. Një dëshmi e trashëgimisë sonë historike, e oratorisë së Nolit, Delvinës, Zogut, Vrionit, Gurakuqit, Vlorës dhe shumë personaliteteve të tjerë, që janë në një lloj mënyre baballarët e parlamentarizmit shqiptar.

Tani kur shikon sesi është katandisur parlamenti shqiptar kohët e fundit të vjen të thuash komunizmi ndoshta ka ikur, por regjisorët, aktorët e skenografia është e njëjta. Vetëm spektatorët kanë ndryshuar, mjerisht vetëm në moshë, që duatrokasin, lotojnë e gëzojnë në teatrin e kukullave.