CIA i ka kushtuar një rëndësi situatës pas çlirimit të vendit nga regjimi nazifashist. Teksa sot përkujtohet kjo datë, për amerikanët komunistët arritën të bënin për vete njerëzit duke premtuar mirëqenie ekonomike. Por që më pas situata ndryshoi sepse kushdo që dilte kundër eliminohej.

Prill 1958

Rezistenca anti-komuniste në Shqipëri

Standardet e vazhdueshme të ulëta të jetesës që prej marrjes së pushtetit nga komunistët në 1944, kanë qenë një faktor madhor në disidencën e përgjithshme që mbizotëron mes popullatës. Marrja e pushteti nga komunistët u ndihmua nga premtimet e tyre për “pushtet të popullit” dhe reforma që do i garantojnë atij “lirinë, tokën dhe ushqimin”. Programi i pavarësisë nga regjimet e huaja dhe i përmirësimit të gjendjes sociale e ekonomike, gjetën jehonë kryesisht te të rinjtë, intelektualët dhe fshatarët e varfër në Shqipërinë jugore dhe qendrore, ku ishte dhe mjerimi më i madh nga sistem i ashpër i shfrytëzimit feudal nga pronarët e tokave. Por edhe pas 13 vjetësh regjimi komunist jo vetëm që nuk po plotësonte premtimet e përmirësimit të standardit të jetesës por kishte vendosur një regjim ekonomik fragmenti i dhe shtypjeje, që nuk ishte dëgjuar as në kohën e turqve otomanë. Qeveria ka pranuar vazhdimisht se tentativat për përmirësimin e bazës ushqimore nuk kanë pasur sukses dhe se gjatë disa periudhave të caktuara të vitit, situata e ushqimit bëhet kritike. Nga ana politike janë dy faktorë që sjellin pakënaqësinë e gjerë ndaj regjimit. Së pari, është lidhja ideologjike e komunistëve në pushtet me Jugosllavinë, që i bën ata të huaj, dhe si një instrument i sllavëve për të dominuar vendin. Ashtu si dhe rezistenca ndaj perandorisë otomane që qëndroi për pesë shekuj, edhe sot regjimi komunist kundërshtohet si diçka e huaj edhe pse liderët e tij janë shqiptarë. Dhe së dyti janë besimet e hershme në lirinë e individit dhe urrejtjen ndaj autoritetit qendror. Asnjë qeveri e shkuar shqiptare, e huaj apo vendase, nuk ka qenë kaq mizore në vendosjen e autoritetit ndaj malësisë në veri dhe fshatarësisë në zonat jugore dhe qendrore. Liritë individuale janë shtypur plotësisht, ndërsa jeta e fshatit e cila më parë ishte qendra e shumicës së aktiviteteve sociale e politike, tashmë është vënë nën kontroll të zyrtarëve komunistë. Detyra e këtyre të fundit nuk është shërbimi nda fshatarëve por të sigurohen që të zbatohen programi dhe politikat e urryera të regjimit. Opozicioni më i madh ndaj regjimit vjen nga zonat malore të veriut të cilët refuzojnë ndërhyrjet në jetën ekonomike dhe familjare.

Feja

Feja nuk duket se po luan shumë rol në rritjen e disidencës, ndoshta prej këtyre dy arsyeve. Së pari, feja në Shqipëri e ka pasur të vështirë të ofrojë në front të bashkuar kundër komunizmit, pasi popullata është e ndarë në tre besime: myslimanë, katolikë dhe ortodoskë, respektivisht me masë 70 për qind, 10 për qind dhe 20 për qind. Pushteti e ka shfrytëzuar dhe nxitur këtë ndarje. Ritet fetare të shqiptarëve kufizohen në vetëm ruajtjen e traditave dhe festave, ndërsa ndarja e besimeve të popullsisë është bërë sipas periudhave të ndryshme të influencës së tyre, prej pushtimit otoman, në kishën greke në lindje e juglindje të vendit deri në vitin 1922, në influencën katolike të kishës katolike gjatë pushimit italian, e kështu me radhë. Myslimanët dhe ortodoksët janë kthyer në vegla të regjimit komunist pa shumë vështirësi. Ndërsa katolikët kanë shprehur më shumë opozicion ndaj regjimit komunist dhe rrjedhimisht janë dënuar më rëndë prej tij. Megjithëse regjimi komunist ka arritur të nënshtrojë tre institucionet kryesore fetare në Shqipëri, ai nuk ka arritur të zhdukë zakonet dhe ndjenjat fetare të popullit. Megjithë propagandën anti-fetare dhe masat shtypëse, shqiptarët vazhdojnë të marrin pjesë në shërbesat kishtare dhe ruajnë traditat e besimit. Fshatarët shqiptarë, të cilët përbëjnë rreth 80 për qind të popullsisë prej rreth 1.5 milionë banorë, refuzojnë të punojnë ditët e festave dhe njihen për therjen e deshëve gjatë festave fetare myslimane. Në disa zona të vendit presionet e kërcënimet nuk kanë pasur efekt prandaj pushteti ka përdorur forcën ndaj atyre që ka etiketuar si zakone të prapambetura dhe që dëmtojnë ekonominë e vendit. Disidenca ndaj regjimit duket se ka mbetur e fortë mes të gjitha klasave. Me përjashtim të zyrtarëve të lartë të ushtrisë e administratës, dhe burokracisë së partisë, nuk ka grupe të tjera që përfitojnë nga regjimi komunist. Edhe refuzimi ndërkombëtar i Stalinit nuk pa pasur efekt në liderët komunsitë shqiptarë të cilët vazhdojnë masat e shtypjes pa avantazhet e zbutjes së kontrollit. Një numër i madh i popullsisë janë ende në burgje dhe kampe përqendrimi.

Bujqit

Shqipëria është përgjithësisht një vend fshatarësh e bujqish, të cilët janë gjithashtu elementi më i madh anti-komunist. Siç u tha më sipër, gjatë luftës lëvizja komuniste gjeti mbështetje më të madhe në jug te fshatarët e varfër e pa tokë. Ky grup përfitoi nga reforma e vitit 1945-1946, por pak më vonë u zhgënjyen përsëri me vendosjen e taksave të rënda të qeverisë dhe kuotat e detyrueshme të dorëzimeve të prodhimit. Mes masave të tjera që sollën shtimin e pakënaqësisë ishin sekuestrimi i kafshëve blegtorale dhe sistemi i kolektivizimit, që u bënë me anë të terrorit të policisë komuniste. Fshatari shqiptar është zakonisht një individualist i ashpër, krenar për pavarësinë e tij, dhe as nuk do t’ia dijë për ideologjinë komuniste. Por me gjithë rezistencën e tyre ndaj regjimit fshatarët nuk arritën të shmangin kolektivizimin që po vazhdon të aplikohet nga regjimi. Kjo pakënaqësi fshatare është dhe shkaku kryesor i disidencës në forcat e armatosura, mes të rinjve jashtë qyteteve dhe mes fshatarëve që janë punësuar në fabrikat e hapura pranë qyteteve apo në miniera. Rinia shqiptare, si ajo rurale dhe urbane nisi rezistencën ndaj pushtuesve italianë menjëherë pas pushtimit. Por më vonë komunistët e kamufluar në Frontin Çlirimtar Kombëtar gënjyen shumë klasa të popullsisë me anë të sloganeve patriotike dhe i përfshinë në flamurin e tyre. Kështu që rinia u bë shtylla kryesore e lëvizjes komuniste gjatë luftës. Por shpejt zhgënjimet erdhën pas zbulimit të qëllimit të vërtetë social, ekonomik dhe politik të tyre. Deri në vitin 1950 propaganda komuniste kishte humbur efektin mes të rinjve të cilët po provonin në kurriz të tyre punën “vullnetare” varfërinë dhe pabarazinë ekonomike.

Punonjësit industrialë dhe të administratës

Përveç një numri relativisht të vogël që janë ngritur në poste drejtuese në industri, klasa punëtore nuk ka fituar asgjë nga regjimi komunist, siç ishte reklamuar më herët prej tyre. Rrogat janë të ulëta, çmimet zakonisht të larta, ndërsa mallrat pa racion ose nuk gjenden ose janë shumë të shtrenjta. Ka presion të vazhdueshëm për të plotësuar normat e prodhimit dhe arritjet i atribuohen teknikëve e metodave sovjetike. Dënimet për vonesat apo gabimet në punë janë të rënda ndërsa puna vullnetare duhet të kryhet rregullisht, ashtu si dhe takimet e propagandës së partisë. Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, edhe punëtorët mezi presin ditën kur do të çlirohen nga regjimi komunist. Në këtë kategori përfshihen edhe nëpunësit e nivelit të ulët të cilët kanë të njëjtat kufizime si klasa punëtore.

Kleri dhe intelektualët

Klasa e mesme në epokën para-komuniste përbëhej nga elementë të vjetër që kishin punuar shumë në krijimin e një vendi të pavarur, dhe të rinjtë e rritur në vitet 1920 ishin përfshirë nga idetë dhe kultura perëndimore. Disa nga intelektualët e rinj, kryesisht mësues, punonjës administrate, ushtarakë dhe gazetarë, ishin të zhgënjyer me sjelljen e mbretit Zog gjatë viteve 1925-1939, prandaj kishin tendenca të drejtoheshin nga e majta e politikës. Prandaj gjatë luftës ata mbështetën lëvizjen komuniste. Ndërsa të tjerë kundërshtuan lëvizjen komuniste duke luftuar kundër saj në formën e Ballit Kombëtar, i cili u firmua me elementë nacionalistë të djathtë, si të rinj dhe të vjetër, të cilët duket se parashikuan katastrofën në rast të sukseset të komunistëve. Megjithëse një numër i lartë intelektualësh anti-komunistë janë përzënë nga vendi ose burgosur dhe ekzekutuar gjatë ardhjes së tyre në pushtet, ka ende një grup të fortë elementësh të mbetur të pakënaqur, të shikojnë drejt çlirimit. Numri i intelektualëve te të cilët regjimi mund të mbështetet është shumë i vogël. Siç u tha më sipër kleri mysliman dhe kristian në Shqipëri është detyruar t’i nënshtrohet regjimit të Tiranës ndërsa zyrtarët katolikë janë eliminuar tërësisht. Por urrejtje e fortë ekziston mes klerikëve të mbetur, veçanërisht katolikëve të cilët kanë potencialin më të madh të rezistencës. Në forcat e armatosura morali është gjithashtu i ulët dhe shumica e njerëzve ndjehen armiqësorë ndaj regjimit në Shqipëri. Kjo armiqësi vjen nga masat e ashpra të pushtetit ndaj atyre që bëjnë rezistencë mes rekrutëve të ushtrisë. Sistemi i gradave në forcat e armatosura rrjedh kryesisht nga familjet fshatare dhe si i tillë nuk konsiderohet i papërshtatshëm. Kjo dallohet nga fakti se forcat e armatosura nuk janë përdorur asnjëherë me sukses në luftën nda bandave të rezistencës në rajonet veriore, ndaj të cilave është angazhuar vetëm Sigurimi. Shumica e oficerëve zgjidhen në detyrë për nga besnikëria ndaj partisë por gjithsesi gjatë dy viteve të fundit fushatat e lëvizjeve dhe shkarkimeve kanë qenë të vazhdueshme. Në fund të vitit 1955 e në fillim të 1956 shumë oficerë u shkarkuan duke sinjalizuar disidencën e tyre ndaj regjiit, edhe pse kjo asnjëherë nuk arriti në fazë të organizuar.

21 mars 1957

Progres raport i aktiviteteve të vitit dhe i planeve

Monitorimet e transmetimeve përgjatë kufirit grek kanë raportuar për një dëgjim të mirë të tyre shumicën e vitit 1956. Edhe nga raportimet e refugjatëve shqiptarë mësohet se programet dëgjohen në Shqipëri dhe po bëhen gjithnjë e më të ndjekura. Shumica e refugjatëve raportojnë të kenë parë fletushkat e propagandës dhe raportojnë se ato dhe pakot e lëshuara kanë ngritur moralin e popullatës anti-komuniste. Gjatë vitit 1957 është vështirësuar më shumë ardhja e inteligjencës nga brenda Shqipërisë si dhe nga ministritë franceze e italiane. Sa i përket broshurave, mungesa e grupeve në terren, e avionëve dhe mungesa e motit të favorshëm për shpërndarje me anë të erës, po vazhdon të reduktojë efektin e fletushkave, të paktin deri në nga fundi i 1957, kur do të jenë ta gatshëm të tjerë avionë për lëshimin e fletushkave në Shqipëri. Të tjera plane madhore për 1957 përfshijnë nisjen e transmetimeve nacional komuniste dhe intensifikimi i fushatës së letrave ndaj zyrtarëve të mesëm të partisë. Gjatë vitit 1956 janë bërë transmetime të përditshme propagande dhe sipas informacioneve të marra nga refugjatët programet dëgjohen gjerësisht. Dy ish-anëtarë të partisë komuniste shqiptare që janë arratisur në Greqi thanë se tekstet e propagandës së transmetuar kanë influencuar jo vetëm anti-komunistët por edhe anëtarët e partisë, dhe po shpërndahen me anë të gojëdhënës. Sipas raportimeve të refugjatëve nga zonat jugore, transmetimet dëgjohen mirë dhe megjithë tentativat për zhurmim të tij, ato nuk kanë funksionuar për arsye të transmetimit në disa frekuenca njëherësh dhe në frekuenca të afërta me Radio Tiranën, apo me teknika të tjera për shmangie të zhurmuesit.

Shumica e refugjatëve raportonin se lëshimet e broshurave dhe artikujve të tjerë kishin efekt pozitiv te popullata, duke i bërë të mendonin se bota nuk i kishte harruar, teksa nxiteshin të rezistonin ndaj regjimit apo të largoheshin drejt Greqisë. Kemi pasur shumë pak raportime për efekt negativ të broshurave, pasi në shumicën e rasteve njerëzit i interpretojnë ato si një premtim për “çlirim” nga vendet Perëndimore.

Pengesat e hasura

Pengesa kryesore për vitin 1956 ka qenë mungesa e inteligjencës së freskët nga Shqipëria. Megjithë kërkesën tonë për bashkëpunim nga ambasada Italiane dhe ajo më pak e njëanshme franceze, është marrë shumë pak apo fare informacion. Gazetat apo publikimet e tjera nga Shqipëria na vijnë disa javë apo muaj me vonesë, kështu që jemi të varur nga transmetimet e Radio Tiranës për lajme nga brenda vendit. Gjatë vitit 1956 ka pasur shumë më tepër refugjatë sesa vitet e tjera, dhe kemi pasur disa vështirësi nga autoritetet greke për marrjen në pyetje të refugjatëve. Gjendja e keqe e vazhduar shëndetësore e disa prej agjentëve tanë vendas dhe nevoja për të shkuar në SHBA e dy prej nesh, ka na lënë disi me mungesë stafi.

Aktivitetet

Grupi ynë transmetoi një program 16 minutësh, katër herë në ditë, në dy frekuenca njëherësh gjatë vitit 1956. Rreth tre programe të reja shkruhen çdo javë. Secili prej tyre përsëritet disa herë dhe në këtë mënyrë arrijmë deri në 185 orë transmetim në muaj. Me rastin e revoltave në Poloni dhe Hungari, kemi transmetuar disa programe të veçanta pa planifikim me slogane patriotike dhe literature nacionaliste, çka e ka çuar kohën tonë të transmetimit në rreth 220 orë në muaj. Prej prillit 1056 kemi zvogëluar promovimin e NCFA deri në mospërmendjen e tij krejtësisht. Temat tona janë bërë më pak militante e anti-komuniste, ndërsa sulmet ndaj personazheve komuniste i kanë lënë vend gradualisht vënies ë dukje të dështimeve të komunizmit shqiptar, duke e ilustruar kë të me shembuj konkrete. Duke besuar se shumica e audiencës tonë janë komunistët shqiptarë, kemi nisur të vëmë theksin mbi paragrafin 6 të direktivave, duke sinjalizuar se nuk jemi absolutisht kundër qëndrimit të tyre në pushtet por vetëm kundër disa prej politikave komuniste. U kemi bërë apel për të dezertuar me premtime sigurie, mbrojtjeje dhe ndihme ekonomike. Tema jonë kryesore e propagandës ka qenë fushata e “presionit nga poshtë”, ku ne përpiqemi të bindim popullin shqiptar për rezistencë me anë të mjeteve jo të dhunshme dhe metodave për vënien nën presion të regjimit, në mënyrë që ai të nisë të bëjë lëshime. Në vend që të përsërisim linjën e programeve të Zërit të Amerikës dhe BBC, të cilët japin lajme të brendshme, programi ynë përbëhet nga galmet e Shqipërisë dhe interpretimi i lajmeve nga bota, sa i përket interesit të tyre për popullin shqiptar.

Programi i broshurave

Sipas programit të broshurave janë bërë tre lëshimë mbi Shqipëri gjatë vitit 1956, me rreth 8 milionë fletushka. Një tentativë për mision lëshimi me shpërndarjen e erës u desh të braktisej prej kushteve të motit. Në fletushka u jemi përmbajtur kryesisht temave të përsëritjes së ofertës së ushqimit, denigrimin të Stalinit dhe përmbledhjeve të lajmeve nga bota e vendi. Morëm në pyetje disa refugjatë në vitin 1956 të cilët raportuan se i kishin parë broshurat, por shumica e tyre njihnin më mirë broshura të lëshuara para vitit 1956.

Fushata e letrave

Gjatë vitit 1956 kemi kryer fushatën e letrave me titull “Socialisti në ekzil” drejtuar zyrtarëve të mesëm të partisë. Tre tekste të ndryshme propagande u janë dërguar rreth 230 zyrtarë të partisë. Ato u janë dërguar atyre prej qyteteve në Itali, SHBA, Parisi e Stambolli, në dukje, nga persona “marksistë të vërtetë”, të cilën kundërshtojnë mënyrat e përdorura nga regjimi Hoxha-Shehu, nën dominimin sovietik në Shqipëri. Qëllimi i saj është inkurajimi i anëtarëve të moderuar të partisë të kundërshtojnë aëntarët radikalë, siç janë klika e Hoxhës e Shehut. Gjatë vitit janë marrë në pyetje një maksimum prej 40 refugjatësh shqiptarë, të zgjedhur si më të arsimuar nga rreth 180 që kanë kaluar në Greqi. Përveç informacioneve mbi efektin e transmetimeve, marrjet në pyetje kanë dhënë një masë të pasur informacioni të detajuar mbi situatën e brendshme dhe mënyrat e përdorimit të propagandës.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/