Nëse te “Libri i zi i komunizmit” (Harvard University Press, 1997) – i ardhur edhe në shqip në gjysmën e dytë të dekadës së parë, pas rënies të tij në mbarë Evropën e Lindjes – po edhe në dhjetëra libra të tjerë shkruar e botuar këtu, janë të përshkruara thuajse në të gjitha format e mënyrat makabritetet e asaj diktature monstruoze. Libri i sapopublikuar i Elektra Çapalikut sjell një pjesë ende të eklipsuar të asaj “hemisfere” të botës sonë, të cilën rrethanat historike na e sollën ta jetonim.

Nëpërmjet të dhënave të të parit, mëson edhe se numri i viktimave të këtij terrori në botë shkon në rreth 94 milionë njerëz në pak më shumë se një gjysmë shekulli, po ke kuptuar e mësuar gjithashtu se viktimizimi ka qenë i shumësojshëm; me burgime të gjata e tortura përtej imagjinatës, me internim e ekzekutime kanibaleske. Kurse prej të dytit, pra, librit të sapodalë – “Magazina e komunizmit Shqiptar” (“The Warehouse of Albanian Communism”) – nëpërmjet realizmit statik të fotos së objektit, e pa e ndjerë nevojën me i komentue ato, shfaqet krejt një shoqëri, e gjitha e atrofizueme.

Një shoqëri e mbyllur si në një karantinë, ku jeta lëvrin nëpër një zonë të limituar brenda vetëm 28 mijë kilometrave katrorë. Një jetë me gjymtyrë të mpita, po edhe me kujtesën a vizionin krejt të shtrembët e të deformuar për bashkëkohësinë e për të ardhmen gjithashtu, sq sa e ke të vështirë të përcaktosh se ku ndahet ajo cipë e hollë – më shumë imagjinare sesa reale, që bën dallimin midis utilitares, asaj të domosdoshmes pra, për të gjalluar dhe të pak më përtejmes, aty ku do të gjendeshin sende të tjera që, krahasuar me të parat, mund të çmoheshin si “luksi” i kohës.

Luks për shembull do të qe një kostum a një palë këpucë që do të mund të arrinin te ti nga përtej kufirit, mbasi të kishin kaluar kontrollet e kontrolleve, veshje që më pastaj ty do të të nxirrnin më në pah e të zhvendosnin në një pod disi më lart se ajo turma e madhe sa krejt populli yt. Ose një këmishë najloni(!) me të cilën do të mund të “shënjoheshe” kudo, që rrallë e me mik mund ta gjeje pasi të kishe ndarë mënjanë gjysmën e rrogës mujore (ani pse ajo qe prej asisoj materiali, që po të guxoje të mbështillje trupin tënd me të në një paradite a pasdite vere, ai trupi yt do të lagej e ndragej disafish prej djersës që stimulonte ajo rrobe, aq e shpifur dhe antihigjienike si veshje). Po me dukje fort të preferueme(!) Vetëm e vetëm se vinte nga jashtë e nuk gjendej në “merkaton” stereotipe, si të prerë në një gërshërë që na rreshtonte të gjithëve ne si… kinezë maoistë.

Në merkaton ku një mall që rrallë a hiçkund mund të gjindej në vende të tjera, ishin triskat e tollonat. Triskë për bukën, triskë e mandej tollon për ushqimet, për mishin, për bulmetin, triskë… Triskë gjithashtu edhe për veshmbathjen. Gjithçka e racionuar, sa me mbajt frymën si frymor e paksa shpirtin si njeri. Kështu në 1946-n, kështu në ’50-n, kështu në ’60-n… deri në ’90-n e ’91-in e ’92-in kështu…

I konceptuar si një magazinë “rraqesh” të vjetra, edhe fotot e triskave, me atë letrën e vrugnuar e të shtypshkruar keq, trishtueshëm keq si një pasqyrë e kohës së përdorimit, janë aty në librin e Elektrës.

Në libër janë rreth 500 objekte të epokës. 500 objektet më të përdorura gjatë kohës së komunizmit. Janë imazhe të përzgjedhura dhe të grupuara në kapituj, si: Triska e tollona, pra; Mobilie; Elektroshtëpiake; Pajisje ngrohjeje dhe gatimi; Ndriçues; Telefona, aparate fotografikë dhe orë; Enë kuzhine; Kafe e takëme kafeje; Cigare dhe takëme duhani; Ujë dhe lëngje të tjera; Ushqime; Pije alkoolike; Veshje; Shtresa dhe mbulesa; Lavanteri; Lojëra; Artikuj shkollorë; Pajisje zyre; Biçikleta e motoçikleta; Lekë si dhe objekte të tjera të ndryshme. Në libër, përveç objekteve të paraqitura, gjenden edhe një numër aktesh të botuara në gazetat zyrtare, foto private si dhe faksimile dokumentesh.

Imazhe të gjithçkaje që përdorej asokohe. Veçse disa syresh nuk ishin të zakonshme, bile ishin të rralla fort. Bie fjala, një biçikletë qe e mundur të ishte për të gjithë. Në Shkodër nuk kishte familje që s’e kishte, së paku një të tillë. Biçikleta ishte mjeti i transportit për në punë për të gjithë, po edhe si mjeti mbështetës i shëtitjeve në “piacë” (!)…

Kurse motoçikleta… jooo. Ajo nuk qe një “rraqe”- pronë private; aq të pakta ishin sa do të mund t’i dispononin me autorizim vetëm disa agronomë a veterinerë, të cilët fundja e justifikonin “luksin” që kishte motoçikleta me pluhurin që hanin rrugëve e rruginave të arave të kooperativave a fermave bujqësore, ku shpenzonin më shumë se gjysmën e njëzetekatërorëshit të një dite…

Ndër reliktet e çmuara për mua, është edhe faksimilja e dy gisht letre burgu, e ruajtur në familjen e Pjetër Arbnorit. Xhafer Xhomo (i burgosur në Burrel) i shkruan bashkëvuajtësit Pjetër Arbnori: “Sh. Pjetër Arbnori”, Dh. Nr.1. Sh.Pjetër. Viti 1972, qoftë për ju dhe familjen tuaj të shumëvuajtur, një vit fatbardhë. Xhafer Xhomo…

E ka shumë e shumë relike kësisoj. Që për dikë ngjallin nostalgji e emocion, për të tjerë nga gjenerata e fundit, besoj se do të ngjallin mjaft kureshti. Siç ngjallin kureshti, në vendet e qytetëruara sendet dhe orenditë e epokës. Elektra Çapaliku na e ka sjellë këtë mundësi. Më së shumti, si “melhem” për të kuruar kujtesën tonë të dëmtuar rëndë. Mos u kurseni e merreni këtë gjë të dobishme…/Telegrafi.com