Agjensitë e huaja të lajmeve, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë Kongresit të PPSH mbajtur më 10 qershor 1991, kur edhe ndryshoi emrin në PS dhe drejtimin e mori Fatos Nano.

Vihet re se gazetarët e huaj janë fokusuar edhe tek fjala e shkrimtarit të madh Dritero Agolli, e cila sikur shihet, është shume kritike.

“Bërtitjet tuaja” iu drejtua Dritero Agolli sallës, kur salla filloi të reagojë kundër tij, “jashtë çdo civilizimi janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt!”

Radio “Zëri i Amerikës” 11 qershor 1991

Sot shkrimtari i njohur Dritëro Agolli mbajti një fjalim në Kongresin e 10-të të PPS-së.

Siç vihet në dukje në reportazhin që vijon, fjalimi i zotit Agolli ngjalli interesim të madh dhe shkaktoi debate të ashpra në radhët e delegatëve të kongresit.

Rinovimi i partisë, tha D.Agolli, mund të bëhet vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet kryesore të PPSH-së.

Gabimi kryesor, tha ai, ishte diktatura e hekurt që vendosi Enver Hoxha për të mos lejuar asnjë mendim të lirë. Kushdo që kishte një mendim tjetër nga i tij zhdukej.

Kushdo që ngrihej kundër izolimit lidhej me zinxhirë, kushdo që ngrihej kundër tufëzimit, i cili rrënoi plotësisht fshatin, përplasej në qeli.

Nën maskën e kolegjialitetit miratoheshin vendime të marrëzishme. Kur nuk gjendej naftë, burgoseshin inxhinierët e talentuar të akuzuar për spiunazh.

Praktikisht u zhdukën të gjithë anëtarët e mëparshëm të Byrosë Politike dhe të KQ-së.

Ata që mbetën u bënë servilë, lakmitarë dhe karrieristë.

Lufta e klasave u kthye në një terror në gjirin e popullit dhe të partisë. U rrit kulti i Enver Hoxhës, kulti i Partisë dhe kulti i Sigurimit të Shtetit. Morën përmasa të papara abuzimi, ryshfeti, u shemb tradita e burrërisë shqiptare. Zyrtarët e lartë bridhnin nëpër botë në një kohë që populli vuante.

Gabimi i dytë, tha zoti Agolli, ishte vija ekonomike, që varfëroi deri në ekstrem Shqipërinë, në këtë kohë, sipas burimeve nga Tirana, në sallën e kongresit bëhet një zhurmë e madhe.

Delegatët provincialë fillojnë të bëjnë thirrjet në kor: “Parti-Enver jemi gati kurdoherë”. Shumë prej tyre kërkojnë që t’i pritet fjala zotit Agolli, të tjerë kërkojnë që ai të nxirret jashtë nga kongresi dhe nga partia.

Shkrimtari i shquar e priti me gjakftohtësi këtë stuhi enveriste dhe duke iu drejtuar kongresit tha: “Me këtë qëndrim që po mbani këtu ju po provoni se PP-ja nuk do të rinovohet. Thirrjet tuaja jashtë çdo civilizimi janë shprehje e një partie që po jep shpirt”.

Mes thirrjeve histerike të mjaft delegatëve, Dritëro Agolli vazhdoi të bëjë analizën e rrugës së PPSH-së që e çoi Shqipërinë në katastrofë.

Ai vuri në dukje humbjen e interesimit për punën, stimulimin e njerëzve të paaftë dhe luftën kundër të aftit, luftën kundër çdo gjëje të bukur.

Gabimi i tretë, vazhdoi D.Agolli, ishin shkelja e të drejtave të njeriut, nxitja deri në ekstrem e luftë së klasave, plotfuqia e agjentëve të Sigurimit të Shtetit, Shefat e kuadrit gërmonin biografitë e njerëzve.

Njerëzit trembeshin nga njëri-tjetri. Kushdo dyshohej se ishte spiun.

Gabimi i katërt ishte politika e jashtme e izolimit të plotë. Dje na ofroheshin kredi dhe nuk i pranonim, ndërsa sot kërkojmë kredi dhe asnjeri nuk na jep. Frika e hijes së E.Hoxhës, theksoi D.Agolli, nuk e le PP-në të rinovohet.

Në kongres e mori fjalën edhe presidenti Ramiz Alia. Ai fajësoi udhëheqjen, duke përfshirë edhe veten, për gjendjen e rëndë që po kalonte vendi. Ai foli në përgjithësi për gabime dhe për shkelje të të drejtave të njeriut, por në përgjithësi fjalimi pati pak elementë konstruktivë.

13 qershor 1991

Lajme për Shqipërinë: Komunistër shqiptarë përfundojnë kongresin në Tiranë
(Reuter)

Jan Kremar shkruan: Partia Komuniste e Shqipërisë e përfundoi kongresin e stuhishëm prej katër ditësh me një emër të ri dhe një udhëheqës të ri, por liberalët theksojnë se ai nuk mundi të eleminojë trashëgiminë e themeluesit stalinist.

Kongresi emëroi ekonomistin liberal 38 vjeçar Fatos Nano si udhëheqësin e ri të mërkurën në darkë dhe zgjodhi një komitet qendror prej 81 anëtarësh me një përzierje liberalësh dhe përkrahësish të vijës së ashpër, pas një debati të gjatë dhe të ashpër.

Liberalët në parti shpresonin se kongresi do të bënte një shkëputje të qartë nga 46 vjetët e sundimit autokratik, por theksuan se ata u zhgënjyen nga rezultati.

“Përmbajtja e debatit tregon shkallën e reformës për të cilën ka nevojë partia… Shumë anëtarë nuk kuptojnë thelbin e këtyre reformave”, theksoi Spiro Dede, liberal i zgjedhur si nje nga sekretarët e partisë. “Nuk është thjesht një problem i ndryshimit të emrit, është një problem i ndryshimeve thelbësore”, shtoi ai.

Në kongres, liberalët u përleshën me anëtarët e vijës së ashpër lidhur me trashëgiminë e ish-diktatorit Enver Hoxha, portreti prej bronxi i të cilit i vështronte delegatët nga pjesa e mbrapme e sallës. Shumë delegatë kritikuan dënimin e Hoxhës nga shkrimtari Dritëro Agolli për vrasjen ose burgimin e kundërshtarëve dhe çuarjen e Shqipërisë në shkatërrim ekonomik, moral dhe social.

Agolli, i cili u zgjodh në Komitetin Qendror të partisë dhe në Byronë Politike prej 13 anëtarësh pas një debati të gjatë, u zotua se do të rinovojë tërësisht partinë.

“Ne shprehim dëshirën për të rigjallëruar dhe për t’i provuar vendit dhe botës se ne do të jemi në gjendje të luajmë një rol të rëndësishëm në një shoqëri pluraliste”, theksoi ai./Tema