TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ -Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar ftesën që i është dërguar filologut Lasgush Poradeci për të marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe filloi punimet në Tiranë më 20 nëntor 1972. Kongresi përfundoi punimet më 25 nëntor të po atij viti me përpilimin e Rezolutës së Drejtshkrimit, e cila u nënshkrua prej 87 delegatëve të saj.

Për të kujtuar këtë ditë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka sjellë një prej hollësive të atij Kongresi, ftesën e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Universitetit të Tiranës drejtuar filologut Lasgush Poradeci dhe dëshminë lëshuar atij si delegat i Kongresit, me numër rendor 54.

Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare.

Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi.

 /gj.mima/ /a.g/

Burimi: Agjensia Telegrafike Shqiptare – http://ata.gov.al/2019/11/20/foto-kongresi-i-gjuhes-shqipe-arkivat-publikojne-ftesen-per-lasgush-poradecin/