Periudha nga vitet e fundit të Perandorisë Osmane deri të vitet e fundit të vendosjes së hyqmit italian mbi Shqipërinë karakterizohen nga ngjarje historike të cilat në themelin e tyre kanë luftën dhe marrveshjen, dy kundërshti që i ndërsjellen njëra – tjetrës duke pritur prishjen e njërës për krijimin e tjetrës. Kontribut në këtë periudhë dhanë edhe rilindasit të cilët duket sikur e monopolizuan artin dhe kulturën e kohës, por kjo nuk është e vërtetë. Ndonëse qeveritë e shumta shqiptare, të cilat të nisura nga mungesa e stabilitetit nuk mendonin tjetër gjë përveç pushtetit, jeta artistiko – akademike vazhdonte të ekzistonte.

Në dokumente të cilat kanë humbur gjatë periudhës komuniste, por në të cilat referohet revista e Kolegjit Saverian “Elçija e Zemrës së Krishtit” flitet për konkurse në të cilat Kolegji nderhoej thuajse gjithnjë me çmime.

Konkursi i parë ishte ai i mbajtur me urdhër të drejtëpërdrejtë nga Mussolini i cili kishte kërkuar që me rastin e “Lindjes së Romës” me datë 21 Prill të mbahej një konkurs hartimesh, vlerësimi i të cilëve do të bëhej nga profesorë italinë. Konkursi u mbajt dhe çmimin e parë për konkurentët joshqiptarë e mori Luigj Benussi, ndërsa diplomën e nderit e mori Ndoc Sahatçija i cili më vonë do të bëhej meshtari që do të dëshmonte në gjyqin kundër martirit Atë Mati Prendushi.

Edhe Perandoria Osmane, ndonëse ishte në grahmat e saj të fundit, organizonte çdo vit konkurse mes nxënësve që e nxënin më mirë gjuhën turke. Valija i qyteteve i nderonte nxënësit fitues me çmime të ndryshme, ku më kryesori ishte një sahat ari i punuar me ornamente turke.

Ndërsa Italia e cila rrugën drejt pushtimit të mendjeve të njerëzve provonte ta shtronte nëpërmjet propagandës, në Shkodër kishte gjetur një qytet italidashës e italishtfolës. Faik Konica pat thënë “Unë, sa kohë qëndorva në Shkodër, s’kam dëgjuar nja fjalë në shqip. Kaq i ka hi italishtia Shkodrës, saqë italianët që venë besojnë se janë në Itali.” Kështu, nëpërmjet konsullit të saj të përgjithshëm shpërndante diploma artistike dhe medalie nderi për të gjithë nxënësit që e nxënin italishten shpejt.

Por Kolegji Saverian nuk priste vetëm vlerësimet nga të jashtmit, por edhe vetë, çdo fundviti, sipas sistemit evropian, i jepte nxënësve diploma nderimi par arritjet e tyre. Siç shkruhet në numrin sepcial të “Elçija e Zemrës së Krishtit” botuar me rastin e 50 vjetorit të Kolegjit, nxënësit e prisnin këtë eveniment i cili ishte i larmishëm:

“Shumë nxitim u jep nxënësve, sikur gjithnjë ju ka dhënë, ndarja e përvitshme e lulëzuar e çmimeve, zbukuruar herë me akademi letrare e muzikore, herë me konferenca historike e shkencore, herë me shfaqje teatrore e me recitim poezishë.”/Andreas Dushi/Konica.al/