Koprracia është “dhunti”

Një koprraci i erdhi një mik në shtëpi. Me të zënë vend miku, koprraci thirri të birin dhe i tha:”Dëgjo këtu more bir! Sot më ka ardhur një mik i shtrenjtë dhe i dashur, prandaj shko na bli ndonjë kile mish, nga ai më i mirë ëëë?”
Djali vajti dhe pas disa minutash u kthye pa blerë asgjë.
I ati e pyeti:”Ku e ke mishin more?”

I biri i tha:”Vajta tek kasapi dhe kur i kërkova mishin më të mirë, më tha:”Do të jap një pjesë mishi, si të ishte gjalpë.”
Me vete mendova:”E përse të mos blej gjalpë në vend të mishit?” Kështu shkova në baxho dhe i thashë:”Më jepni gjalpin më të mirë që keni!”

Shitësi ma ktheu:”Po, do të jap ca gjalpë si të ishte shurup.”
Me vete mendova:”Përse të mos blej shurup në vend të gjalpit!” Kështu vajta dhe kërkova shurup. Shitësi më tha:”Do të jap një shurup të kristaltë si ujë bjeshke.”

Me vete mendova:”Nëse është kështu, ujë bjeshke kemi në shtëpi!” Kështu u ktheva pa blerë gjë.”

I ati i tha:”Pa pa pa çfarë djali i zgjuar që je! Por kursimin që ke bërë, e ke shpenzuar në këpucë, të cilat kushedi sa të janë ngrënë nga këto ecejake nga njëri dyqan tek tjetri.”

I biri, duke buzëqeshur ia ktheu:”Jo baba jo. Pata veshur këpucët e mikut!!!” /ekuiliber/

Nga Elmaz Fida