Nga Mark Brunga

Rreth 10 vite më parë, në shoqërinë e të vëllait Xhovanit, u ndodha në mjediset e banesës së Raq Paskalit në qytetin e Gjirokastrës. I rrethuar mes pikturave të shumta që kishte krijuar dhe vijonte të pikturonte vetë me shumë vullnet, ai reflektonte qetësi dhe përkushtim. Njeri me interesa të shumtë në jetë, që kishte arritur të linte gjurmë në shumë fusha, duke shijuar sikurse e kanë cilësuar, një kokteil pasionesh. 

Pasi njihje sado pak jetën e tij, deri diku me nota aventureske, do të kuptoje se tashmë në kapërcyellin e të 70-ave ky njeri me energji djaloshare, ishte hedhur në krahët e një dashurie të veçantë që e reflektonte në ballin e menduar dhe dritëhijet e ngjyrave të penelit. Kishte filluar që të kërkonte më shumë qetësi, por pa iu ndarë hapësirës së ngjyrave…

Duke pirë kafenë dhe shijuar glikonë të shërbyer me shumë finesë nga bashkëshortja e tij, Frida, që kishte qenë dhe dashuria e parë e tija që e kishte shoqëruar më pas gjatë gjithë jetës, mësuam më me hollësi për një jetë të veçantë e mrekullisht të bukur, të cilën Sokrat Papadhopulli, gazetar e matematicien, e kishte cilësuar si jetën e njeriut më poliedrik të Gjirokastrës, si një nga ata njerëz që përbëjnë memorien kulturore të qytetit gjatë viteve ‘60-90. Në një gjysmë shekulli, vijonte Papadhopulli, nga familja Paskali mund të përfitoje në shkencë, art, sport, filozofi dhe fusha të tjera që kanë kontribuar. Ndërsa skulptori Stefan Papamihali e kishte cilësuar si simbolin e amatorizmit në fushën e sportit e të artit, si një person që po të ishte arsimuar në shkolla profesionale, do të qe një talent i madh. Miku im Engjell Serjani, gazetar me diapazon të gjerë njohjeje, e kishte krahasuar me Xhek London…

Në këtë mjedis të veçantë, bisedat zgjaten dhe orët kaluan pa u kuptuar. Gjatë pritjes së ngrohtë, që mbeti e paharrueshme, Raqi më tregoi, dhe më pas më dha disa kujtime të veçanta, të cilat i përdora në këtë shkrim, fillimisht për një ngjarje të veçantë, aventurën e raftingut të parë të realizuar me një trap primitiv me mikun e vet të rinisë në lumin Vjosë në korrik të vitit 1964. Si kujtim i asaj dite korriku, që natyrisht duhet shënuar si datë historike sportive, tashmë ka mbetur vetëm një foto e realizuar vjedhurazi, pasi fotografët kishin frikë që të fotografohej ura e Përmetit, pasi duke qenë afër kufirit, mendonin se ishte një objekt strategjik. Me këtë foto që na kujton ndonjë fragment nga filmi “Odiseja”, nisi dhe odiseja aventureske e 2 të rinjve nga Ura e Përmetit dhe përfundoi në zyrat e Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, ku në vend të luleve i priten tek ura e Mifolit me shënjestrën e një pushke gjermane të kohës së Luftës së Dytë…

9 korrik 1964, dita e parë e aventurës 

Ishin të rinj në moshën 24 dhe 21 vjeç. Raq Paskali nga Gjirokastra dhe Gjon Baldini nga Shkodra u përshëndetën nga mbarë populli i dashur përmetar në aventurën e tyre rinore, që s’kishte guxuar ta bënte kush më parë në këtë lumë të palundrueshëm. Të ishte thjesht një kuriozitet mbi “virgjërinë” e natyrës apo pasion rinor për kontakte me një peizazh magjepsës që lidhet me ujin e kristaltë të Vjosës në muajin korrik dhe bukurinë e kanionit, në të cilën ajo gjarpëron. Në fakt është diçka që edhe sot me shumë qarkullon si legjendë megjithëse heronjtë e “legjendës” si rrallëherë në këto raste, janë realë. 55 vite më parë ata realizuan raftingun e parë në ujërat e lumit Vjosë jo me kanoe, as me barkë, por me një trap që e kishin montuar vetë me 10 trarë nga 6 metra të gjatë. Pa asnjë mjet mbrojtës përveçse një kamerdare me pulla të ngjitura te gomisti.

Të paktë janë ata që e dinë historinë apo aventurën e këtij udhëtimi, për shkak se shtypi i kohës, sipas Raqit, nuk e pasqyroi këtë ngjarje, ndërkohë që kërkesa ndaj Kinostudios për ta filmuar atë u shoqërua me mosbesim prej tyre. Leja për këtë lundrim të rrezikshëm u mor në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Ishte një udhëtim i vështirë, ndërkohë që për kohën tonë mbetet i pabesueshëm… Ato çaste Raqi i kujton: Sa mbërritëm në sheshin para turizmit, u takuam ballë për ballë me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Si rrokëm duart me përzemërsi, na pyeti, “Hë, jeni gati për nisje? Pa shikoni te lumi, njerëzit kanë dalë t’u përcjellin…”. Mua, vijon Raqi në kujtimet e tij, m’u bë një si lëmsh në gjoks. Po bëheshim epiqendër e kërshërisë së gjithë qytetit. Njerëzit po linin punën e gjithçka. Në kujtimet e tij, Paskali ka detajuar se kur kanë hipur 2 të rinjtë mbi trap, populli po gumëzhinte më fort se Vjosa. Ura ngjante si një ballkon mbushur me tifozë. “Syri, shkruan ai, më zuri fotografin e qytetit, Kriston nga Dropulli”.

-Kristo, shkrepe bre burrë!- i fola

-Nuk na lejon Sigurimi- bërtiti ai- Nuk lejohet fotografimi i urës.

-Shkrepe ore, ç’janë këto që thua! Pastaj s’ke punë me urën ti… Ja merrmë këtu mbi trap, tek po nisemi.

Ndërkohë në breg plasën brohoritjet. Dy guximtarët u dhanë lopatave dhe trapin e morën ujërat e rrëmbyera të Vjosës. Që në fillim ata u përballen me të papritura befasuese. Nuk arrinin të sodisnin pamjet e lëna pas, sepse rrjedha kishte marrë shpejtësi dhe trapi e çante ujin si aeroplani ajrin në pikiatë. Rrjedha i tërhoqi me furi. U përpoqën ta drejtojnë trapin me lopata për në qendër të lumit, por ishte e pamundur. Kështu ata e mbajtën mend për një kohë të gjatë se si 300 metrat e para i përshkuan me shpejtësi të madhe sikur po ecnin në një tren ekspres. U nisën në paqe nga ura që u duk si qetësi parajse dhe pas pak minutash shijuan, sikurse e cilësuan, një shpejtësi skëterre.

Mes rreziqeve të shumta

Kusuret e të rinjve nuk kanë të sosur. Sapo nisen, në afërsi të një shkëmbi dhe guve të rrezikshme, trapi përmbytet. Shpella nënujore desh u mori jetën. E gjithë skena e përmbytjes është parë nga ura e Përmetit ku ishin mbledhur “fansat” e të rinjve aventurierë, që kishin kuturisur të marrin përsipër diçka që s’e kishte bërë kurrkush më parë. Pasi kaluan rrezikun e parë, ata vijuan rrugën, ndërsa shumë prej miqve të tyre i kanë përcjellë me mendimin se Vjosa nuk mund të kalohej. Në fshatin Kutal i pret aventura tjetër me rrezik koke. Trapi përplaset dhe humbet, ndërsa ata kuptojnë se gjenden në shpellën e nënujshme. Në kujtimet e tij, Paskali shkruan: Shpella ishte si një sallë e nëndheshme, që vendasit i quajnë stena. Të tilla në Vjosë ka plot dhe barinjtë në kohën e vapës shpien kopetë, ndërsa ne na kishte marrë me vete sasia e madhe e ujit. Falë stërvitjeve paraprake nën ujë, ne mundem të rezistonim në kohëzgjatje nën ujë. Ishte errësirë e madhe dhe fati na ndihmoi që të gjenim rrugën e shpëtimit. Një rreze dielli prej zenitit se si depërtoi te ne. Ishte rrezja e jetës. U dhamë këmbëve dhe duarve me forcë, se ajri në mushkëri po na mbaronte. Drita po shtohej. Ishim në dalje të skëterrës…. Më vonë doli dhe trapi nga shpella…

Vigjilentët e Mifolit kapin trapin me dy ‘diversantë’

Në ditën e katërt të aventurës më 12 korrik, lumi fryhet tej mase. Kanë rënë shira të rrëmbyera gjatë natës dhe kanë vazhduar gjatë ditës. Ata që e njohin Vjosën në raste të tilla, e dinë mirë se çfarë rreziku kanë kapërcyer 2 aventurierët heronj. Po ata kishin tashmë edhe një eksperiencë lundrimi në këto kushte. Po kushtet ndërronin shpesh. Pasi lanë prapa Selenicën, lumi u zgjerua si liqen sepse po dilnin nga zonat kodrinore në ato fushore. Shiu i rrëmbyer dhe vetëtimat janë rrezik tjetër. Rrufetë u bien nga afër. Pasi kaluan urën e Mifolit, aventura ka një të papritur tjetër. Një zë burri u thërret: Hej, ju, ndaloni dhe ngjituni lart!

-Çfarë keni me ne, pyesin udhëtarët lumorë me indiferencë. Një nga kooperativistët e zonës u drejton tytën e një pushke të gjatë gjermane. Shtegtuesit lidhin trapin dhe ballafaqohen me pritën: Çfarë jeni ju more diversantë?

-Unë jam mjek, ndërsa ai tjetri është student, u përgjigjet Raqi duke parë herë ata fshatarë ‘vigjilentë’, herë grykën e pushkës.

-Që nga po vini?

-Që nga Përmeti.

-Me ata drurë erdhët deri këtu?

-Posi. Është një mjet i thjeshtë lundrimi që quhet trap.

-Do vini me ne…

Kur ballafaqohen në zyrat e kooperativës ‘ushtare’, Raqi ka përshkruar momentin me hollësi: Çohuni! Ishte e bërtitura që na shkundi nga një apati dremitëse. Hapëm sytë dhe vumë re se sapo kishin hyrë me vrik dy oficera të Sigurimit të Shtetit. Njëri pyeste dhe tjetri shënonte në një letër.

-Nxirrni çdo gjë që keni!- foli ai që pyeti fillimisht.

Nxora nga xhepi rreth 2000 lekë që më kishin mbetur. Tregova edhe kamerdaren mbi të cilën po rrija. I ktheva xhepat nga astari. Ra shamia e lagur. Gjonit i tha të hapte çantën. Gjoni i nevrikosur e ktheu përmbys. U mbush dyshemeja me thërrime buke…

-Pse erdhët nga Përmeti me trap dhe jo me makinë?

-Se ne jemi sportistë dhe donim të provonim nëse e sfidonim dot Vjosën…

-Unë të njoh ty Raqi– tha njëri prej tyre.

-Si më njeh?- e pyeta.

-Kam mbaruar të mesmen zooveterinare. Isha më poshtë teje. Të mbaj mend mirë. Megjithatë do të vini gjer në degën e Fierit…

Kjo ishte historia e një udhëtimi të vështirë ku ‘heronjtë’ ndalohen nga populli vigjilent në Mifol dhe përfundojnë të shoqëruar si diversantë në Degën e Punëve të Brendshme në Fier, me protagonistë Raq Paskalin dhe Gjon Baldinin. Raqi është një personazh i njohur në jug, ndërkohë që miku i tij pas 50 vitesh të kësaj kokëkrisjeje aventureske, në korrik 2014 u kthye nga Italia dhe takohet me mikun e paharruar në qytetin e Përmetit, nga nisi rrugëtimi mbi ujërat e rrezikshme të lumit që kishte marrë shumë jetë njerëzish.

Me qindra qytetarë përmetarë u bënë dëshmitarë të këtij udhëtimi, i cili u shoqërua me dy rreziqe qysh në hapat e parë të tij: Përmbysja e trapit te guri i qytetit dhe kalimi i një guve aty ku lumi është përballë fshatit Kosinë. Raq Paskali pas 50 vitesh, në vendin nga dikur nisi ky udhëtim, tregon se itinerari i këtij udhëtimi ishte ai që kishte zgjedhur prej natyre vetë lumi Vjosë. Kishim plan, vijon ai, të mbërrinim në Adriatik të pinim një “gllënjkë” ujë të kripur. Udhëtimi zgjati 4 ditë duke ndaluar në Këlcyrë, Memaliaj, Selenicë dhe u mbyll në urën e Mifolit, ku kooperativistet duke i marrë për diversantë lajmëruan policinë dhe të dy “heronjtë e Vjosës” përfunduan në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit nga ku u lanë të lirë vetëm pasi u sqaruan rrethanat. Gjon Baldini, në vendin nga ku nisi lundrimi, pohonte se ky udhëtim është një pikë fikse e jetës së tij, nga ato ngjarje që e bëjnë të bukur jetën. 

Veç të tjerash, ai tregoi se nuk harronte kurrë mikpritjen e banorëve të Këlcyrës, Memaliajt dhe Selenicës. Kur e pyesnin për masat mbrojtëse që kishin marrë për këtë udhëtim, Gjoni pohoi se e vetmja masë e tillë ishte një kamerdare makine, ndërkohë që nuk harroi të sqarojë se përse nga ky udhëtim ka vetëm një fotografi si dëshmi. Fati i trapit të ndërtuar me aq mund ishte shitja e tij si lëndë drusore në kooperativën e Mifolit dhe përdorimi i të hollave që dy miqtë e këtij lundrimi të ktheheshin në vendbanimet e tyre, njëri në Tiranë dhe tjetri në Gjirokastër. Këto kujtuan 2 miqtë në atë korrik të vitit 2014, ku krejt pa bujë u festua kjo ngjarje në qytetin e Përmetit, megjithëse ishte një 50-vjetor i veçantë, që për historianët e raftingut përbënte udhëtimin e parë në Shqipëri me mjet primitiv, në një nga lumenjtë më të rrezikshëm dhe në një nga kanionet më të bukura të vendit tonë. Duke parë teknikat dhe mjetet moderne që përdoren sot, këtij akti të realizuar në kufijtë e të pamundurës, do t’i rritet vlera në vijimësi…

Burimi: Mapo.al

Advertisements
Advertisements