Tre artistë të njohur dhe shumë të suksesshëm shqiptarë në botë: Inva Mula, Olen Cesari dhe Genc Tukiçi,  së bashku do të bashkohen në një koncert në Teatrin Kombëtar të Zadarit, në Kroaci.

Të ardhurat e mbledhura nga koncerti, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti në Shqipëri. Koncerti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kroaci.

“Diva e shkëlqyer e operës Inva Mula, e njohur për publikun për rolin e saj tërheqës të Diva e Lagunës Blu në filmin Elementi i Pestë, një këngëtare me zë të pazakontë engjëllor, do të interpretojë të premten, më 27 Dhjetor në 20:00 në CNT Zadar”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Zadarit.

“Inva Mula është një nga yjet më të mëdha të operës në botë, një divë muzikore me energji dhe emocion të jashtëzakonshëm vokal. Edhe pse njihet më shumë për publikun e gjerë për rolin filmik të Diva e Lagunës Blu nga filmi Elementi i Pestë, repertori i mrekullueshëm i artistes përfshin një larmi rolesh. Inva Mula ka kënduar në skenat më të famshme dhe ka bashkëpunuar me artistë të shquar nga e gjithë bota”, theksohet në njoftim.

Po ashtu, “Një nga violinistët më të mirë në botë, Olen Çezari, dhe kompozitori dhe pianisti Genc Tukiçi, do të performojnë së bashku me Inva Mulën”.

“Një pjesë e të ardhurave nga biletat do të dhurohen në një fond për tërmetin në Shqipëri”, – theksohet në njoftimin nga Teatri Kombëtar i Zadarit.

Burimi: Konica.al