Flet kantautori i njohur Kujtim Prodani, në një rrëfim ekskluziv mbi të madhin Agim Prodani, babanë e tij dhe njëkohësisht babain e muzikës së lehtë shqiptare: “Prindërit e mi nuk kanë bërë dasmë, madje fejesën e tyre e kanë shpallur me këngë. Kënga titullohej “U trashëgofshi për jetë e mot” dhe është dhënë në emisionin e Radio Tiranës “Radio Posta” që jepej të dielave dhe lidhej me artopalantë gjigantë dhe transmetohej edhe në Sheshin Skënderbe dhe spikerja anonçoi fejesën e Agimit me Anitën në 1957. Por nuk janë martuar, Agimi e mori Anitën direkt në shtëpi, gati një rrëmbim.

Familja e Anitës kanë qenë shtëpi partizanësh, nga babai konsideroheshin me cen në biografi. Një absurd. Babai im nuk u lejua të studionte dhe kreu Institutin Pedagogjik. Në fillimet e tija të rinisë punoi shumëçka, edhe retushier e kurrë nuk u lejua të dilte jashtë shtetit, as për arsye ose nevoja shëndetësore. Kjo për arsye absurde. Gjyshi im prefekt ndihmoi luftën me sa kishte mundësi, strehoi ilegalët. Por pikërisht njerëzit që strehoi, duke qenë se në shtëpinë e një prefekti nuk mendohej të kishte ilegalë, pikërisht ata bënë që gjyshi të dënohej pas lufte 6 vjet burg, më pas halla e më pas edhe xhaxhai im me 8 vjet burg. Por me sa unë kam kuptuar, qëllimi ishte për të goditur Agimin. Por im atë ishte aq i mençur, aq largpamës e i kujdesshëm sa nuk e kapën dot.”

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Me Kujtimin nuk isha takuar për një bisedë të shtruar që në intervistën e tij për Albanian Free Press më shumë se një vit më parë. Më 11 Shkurt ati i tij, i madhi Agim Prodani do të festonte 91 vjetorin e tij e duke marrë shkas nga kjo por edhe sepse gjeniu i muzikës së lehtë ishte shumë i rezervuar brenda “parajsës” së muzikës së tij, shumë pak dihet e njihet mbi jetën e artistit. Djali i Zenel Prodanit, prefekt për 13 vite, degë e rëndë e Prodanëve nga Erseka, një nga familjet më të njohura e potente shtetformuese shqiptare, Agim Prodani mund të kishte pasur, në cilindo vend tjetër, afërmendsh, një jetë të mrekullueshme. Premisat ishin të gjitha. Një familje aristokrate, me kulturë brilante, më ndjenja kombëtare e atdhedashëse e me një qytetari e dhembshuri njerëzore të mëkuar me breza. Edukim ekzemplar që në vegjëli, ëndrra shumë. Por ja që nuk ndodhi kështu. Agim Prodani dhe familja e tij nuk e pati aspak të lehtë jetën por përsëri buruan perla, një krijimtari e jashtëzakonshme, që, sipas meje, shkon në gjenialitet.

Këngët e kompozuara nga Agim Prodani dhe interpretuar nga Anita Take kanë udhëtuar nëpër botë, madje kjo ndodh edhe sot. A mund të më tregosh pak më shumë për këtë sepse më bën kurioze?

Kam dëgjuar në familje që e drejta e autorit, në vitet ’50 e ’60 funksiononte. Pllakat me këngët e prindërve të mi kanë shkuar në të gjitha vendet e lindjes edhe në Rusi, në Moskë, në Korenë e Jugut e deri në Kinë. Kur e mendoj sot përsëri habitem se si është e mundur që në ato vite, e drejta e autorit, që sot aq pak respektohet, në ato vite zbatohej. Dy herë në vit vinin paratë në bankë dhe shteti shqiptar ua jepte artistëve. Hajde merre vesh se si ndodhte kjo. Gjë kjo e paimagjinueshme për atë kohë. Madje mund të them se bëhej fjalë për shifra të konsiderueshme, madje të mëdha, për ato vite. Kjo gjë u ndërpre kur u prishëm më Rusët. Kujtoj që Anita më ka treguar se ka qenë shtatzënë me mua dhe donte që me ato para të blinin shtëpi, por më pas vendosën bashkërisht që të merrnin një apartament me ato para dhe ashtu u bë. Kjo ishte hera e fundit që të ardhurat e të drejtës së autorit të pllakave të tyre u derdhën në bankë sepse ndodhi prishja e marrëdhënieve me Rusët. Sot e kësaj dite pllakat e Agimit dhe Anitës shiten akoma. Kam takuar virtualisht njerëz që në YouTube postojnë këngë të Anitës, të huaj e kam fjalën, rusë, rumunë, bullgarë.

Janë këngë të kënduara në gjuhën shqipe apo në gjuhë të huaj?

Edhe në gjuhë të huaja. Anita arrinte të mësonte shumë shpejt tekstet në gjuhë të huaj. Merrte në duar një këngë ruse apo rumune e i duhej ta këndonte në darkë në ambasadë dhe e përpinte për një pasdite.

Po kuptoj që në ato vite paskemi qenë në të njëjtën nivel me Italinë p.sh ku këngët e Sanremos këndoheshin edhe në gjuhë të huaja…

Është një foto bardhë e zi ku është Anita që shoqëron jashtë shtetit Vaçe Zelën, sepse ajo ishte vetëm 15 vjeçe e duhej ta shoqëronte një i rritur. Jeta artistike ka qenë shumë më ndryshe se sot. Këngët e Agimit Prodanit ishin veçanërisht të vlerësuara në Moskë dhe është vlerësim i madh se në ka popull me kulturë artistike, them unë, ata janë rusët. Kur perceptohesh nga ata, imagjino si mund të reagonte pjesa tjetër e globit e në këtë periudhë të artit thua me vete ha ha ha paskemi qenë mirë kur paskemi qenë keq.

Kam një mbresë të nënës time që kujton Anitën me kapele me pupël që dilte nga makina që ngiste Agimi, ndoshta dasma e tyre ka qenë..

Atë kapele e kemi në shtëpi. Që ta dish ti, Agimi ka qenë me makinë që 13 vjeç duke qenë djalë prefekti. Agimi nuk luante as me top apo me lodra, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, por merrte makinën e të atit, natyrisht pa lejen e tij, vendoste disa jastëkë dhe ecte nëpër Tiranë. Ka qenë shumë i pasionuar pas makinave. Prindërit e mi nuk kanë bërë dasmë, madje fejesën e tyre e kanë shpallur me këngë. Kënga titullohej “U trashëgofshi për jetë e mot” dhe është dhënë në emisionin e Radio Tiranës “Radio Posta” që jepej të dielave dhe lidhej me artopalantë gjigantë dhe transmetohej edhe në Sheshin Skënderbe dhe spikerja anonçoi fejesën e Agimit me Anitën në 1957.

Por nuk janë martuar, Agimi e mori Anitën direkt në shtëpi, gati një rrëmbim. Familja e Anitës kanë qenë shtëpi partizanësh, nga babai konsideroheshin me cen në biografi. Një absurd. Babai im nuk u lejua të studionte dhe kreu Institutin Pedagogjik. Në fillimet e tija të rinisë punoi shumëçka, edhe retushier e kurrë nuk u lejua të dilte jashtë shtetit, as për arsye ose nevoja shëndetësore. Kjo për arsye absurde. Gjyshi im prefekt ndihmoi luftën me sa kishte mundësi, strehoi ilegalët. Por pikërisht njerëzit që strehoi, duke qenë se në shtëpinë e një prefekti nuk mendohej të kishte ilegalë, pikërisht ata bënë që gjyshi të dënohej pas lufte 6 vjet burg, më pas halla e më pas edhe xhaxhai im me 8 vjet burg. Por me sa unë kam kuptuar, qëllimi ishte për të goditur Agimin. Por im atë ishte aq i mençur, aq largpamës e i kujdesshëm sa nuk e kapën dot.

*Familja Prodani, djathtas prefekti Zenel Prodani me familjen tij, majtas kujdestarja e familjes me djalin e saj. Një foto e rrallë e viti 1930. edhe për emancipimin që shfaq, ku prefekti e konsideronte kujdestaren si pjesë të familjes.

U përpoqën aq shumë ta “rrethonin” duke i kapur motrën e vëllanë, ta dobësonin e mposhtnin, por nuk e kapën dot. Kjo që po them është e re për publikun sepse publiku i sheh artistët nga larg e shpesh mendon se sa të bukur e të lumtur janë ata. Në 1957 instancat e partisë u njoftuan se Agimi po fejohej me Anitën. Ata kishin qenë 5 vite kolegë me në mes thjesht një simpati kolegësh. Anita, vajzë shumë e re, thirret në Komitet Qendror, dhe një person të cilit nuk dua ta them me emër, e këshillon ose urdhëron që të mos fejohej me Agimin. Anita me dy vëllezër komunistë, sipas tyre, ndërsa Agimi i deklasuar. Nonsensi është se disa njerëz shumë të afërt të këtij personi ishin strehuar në shtëpinë e gjyshit tim prefekt dhe shpëtuan kokën. Pas lufte këta njerëz e dënuan 6 vite. Anita nuk pranon dhe e shpreh me vendosmëri që ajo e donte Agimin e do të fejohej. Kur çohet dëgjoi shprehjen e fundit: “Atëherë do ta shikojmë këtë punë, partia apo ti!”. Pasoi një presion psikologjik dhe një luftë e madhe ndaj saj, e cila e detyroi që në kulmin e një artisteje, Anita të largohej nga skena e shpartalluar shpirtërisht. Nuk e pranoi kurrë, por e detyruan të kalonte një depresion shumë të rëndë. Por ishte grua e mençur dhe më thoshte gjithmonë që derisa në kohën kur duhet të ngrinin kokën nuk e bënë, nuk ka pse të kujtoheshin historitë më pas. Unë po e tregoj sot sepse të gjithë e dimë se çfarë të bënte sistemi atëherë. Ajo u largua për 10 vite nga skena e në këtë periudhë arrestohet i vëllai i Agimit, Mehdiu, një nga njerëzit më artistë të butë në këtë botë.

Një kitarist i jashtëzakonshëm. 8 vjet burg dhe dëshmitarë i dolën njerëzit me të cilët hante bukë. Agjitacion propagandë, e për çfarë? Pse këndonte e luante në kitarë këngë italiane e angleze. Në ato kohë nga fonoteka e Radio Tiranës u hoq e gjithë krijimtaria e Agim Prodanit, u zbraz fare, nuk jepej asnjë këngë. Na njoftuan që jeni në listë për internim. Babai u ngjit mbi një shkallë të vogël, mori në duar fizarmonikën e pluhurosur dhe i tha Anitës: “O Anitë, zërin nuk ta marrin dot, as këtë fizarmonikë mua nuk ma heqin dot. Do ushqejmë kalamajtë e do i rrisim edhe në fund të botës.” Për shumë kohë ne ishim me valixhe gati, me ankth, se të merrnin në të gdhirë. Unë isha i vogël e nuk kuptoja shumë por më vonë kupton se çfarë kanë hequr prindërit. Nuk e di as sot se kush u bë sebep që internimi nuk u bë. Agimi ishte aq i kulturuar, aq i zoti, aq i fuqishëm në artin e tij sa bëri atë që askujt nuk ja merrte mendja. E nxori Anitën pas 10 vitesh të rënda në skenë, në të parin recital të një këngëtari në Shqipëri. Anita hezitoi fillimisht, do të këndonte 25 këngë me regjisor Pirro Manin dhe drejtues artistik Alqi Karecon. Vetëm në Tiranë janë dhënë 70 koncerte, imagjino edhe rrethet.

Nuk kishte emocion më të madh për mua që rrija ulur në fund të sallës. Veçanërisht kur shikoje suksesin në publik, një sallë në këmbë, për 1 orë e gjysmë. Më pas u bënë disa regjistrime në radio Televizion dhe koncerti i fundit ishte në 1989. Anita do të nisej për një koncert në Elbasan, përshëndetet me Agimin në 12 në drekë dhe ikën. Ata thirreshin “o ba” dhe “o ma” siç i thërrisnim ne. Në orën 3 pa 10 Agimi iku nga kjo botë me hemorragji cerebrale. Dhimbjen e Anitës as nuk dua ta tregoj, edhe tani emocionohem kur e kujtoj atë ditë. Ajo kishte humbur edhe familjarë, por humbja e Agimit ishte për të humbja e shokut më të shtrenjtë të jetës. Çuditërisht Agimi i fliste për vdekjen e tij, donte ta parapërgatiste sepse e dinte se sa rëndë do e vuante ajo. Babai ishte shumë i lodhur, shumë i konsumuar. Po të shikosh foton e tij në “Lidhjen e Shkrimtarëve” ai ishte vetëm 57 vjeç por dukej shumë i plakur. Disa kolegë të tij ashtu ikën nga kjo botë, të rinj e me hemorragji cerebrale. Një plejadë krijuesish që ikën shpejt, të stresuar e të konsumuar.

Si ka qenë Agimi si prind, për sytë e tu?

Unë i kam hapur shumë telashe prindërve, në çdo datë 2 shtator, që në klasë të parë, mua donin të më përjashtonin nga shkolla. Nuk e di se kujt i ngjava kështu por unë e kam një shpjegim. Kur linda unë lindi Prodani i parë mes nipave, princi, dhe mbaj mend që nuk më dërguan as në çerdhe e as në kopsht. E kur Anita filloi punë në estradë, dikush do kujdesej për mua e unë e kam si nënë të dytë. Ajo jetonte në shkallën tjetër e ajo më çonte aty. Pra mua më mungoi socializmi dhe lodrat e bashkëmoshatarëve. Direkt shkova në shkollë. Në 2 shtator telefonojnë Anitën të vinte se do të më përjashtonin nga shkolla “Luigj Gurakuqi”, kisha goditur dikë me gurë. Imagjinonin habinë e Anitës, një djalë i rritur ashtu, në dukje aq i urtë, e që bënte këtë gjest. Kam shkuar nga shkolla në shkollë.

Ato që nuk i kisha bërë deri atëherë i bëra më pas, shpërtheva. Agimi ishte shumë kërkues sepse e dinte se në cilën rrugë po më dërgonte dhe më detyroi të mos përjetoja fëmijërinë. Më mbyllte me çelës për orë të tëra. Unë si fëmijë nuk e kuptoja se çfarë donte të thoshte të bëheshe artist e të dilje në krijimtari me “vëllezër ujqër” siç thoshte ai. “Ti duhet të shkëlqesh, po nuk shkëlqeve, me të gjithë këtë biografi që kemi, do të të mundin!”-më thoshte shpesh. Asnjë fëmijë nuk do të rrijë të studiojë, do të luajë jashtë. Po edhe pak frëngjisht se ai ishte frankofon, po edhe ca lexim më pas. Shumë kërkues e shumë serioz. Ai ka punuar me këngëtarët më të mirë të atij brezi dhe për këngën në festival punohej që një vit përpara, aq serioz ishte në krijimtari. Babai ishte muzikant autodidakt por me një pasion të madh për të krijuar muzikë të pastër shqiptare.

*Agim Prodani me në krah djalin e tij, Kujtim Prodani

Shpesh kam menduar që Agim Prodani, bashkë me disa krijues si ai, shkojnë përtej të qenit artistë, janë gjenialë..

Po të më pyesin se çfarë muzike dëgjonte babai im, do të habiten me përgjigjen. Ai nuk dëgjonte muzikë. Dhe e dini se pse? Nuk donte asnjë infiltrim në trurin dhe shpirtin tij krijues. Ai mbyllej në dhomë dhe krijonte mrekulli, perla. Edhe sot kur i dëgjoj, mendoj se po, ka diçka gjeniale këtu. Të kesh një prodhimtari të tillë të jashtëzkonshme, i pandikuar nga asnjë këngë, melodi ose muzikë tjetër. Një origjinalitet i rrallë, deri edhe unik.

Si ishin periudhat e tija të krijimtarisë?

Unë do i ndaja në dy epoka. Ajo e këngëve të dashurisë të cilat i buronin fare natyrshëm dhe pjesa pas viteve ’70 me një vrarje të paimagjinueshme të mendjes kur ishte fjala për të hedhur një varg e një refren. Ishte përgjegjësi e madhe të kishe në dorë jetën e familjarëve. Ai sistem nuk toleronte gabime por ky vetëkontroll i kushtoi shumë. Kam parë tim atë të mos dilte me muaj të tërë nga shtëpia nga ankthi dhe stresi se e survejonin po kështu ka ndodhur me shumë artistë në ato vite. Kur vinte momenti i festivalit rreshtoheshim të katërt përpara televizorit dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm sepse ishin të gjithë profesionistë. Ai sistem i ndau artistët në profesionistë dhe amatorë dhe nuk ksihte asgjë të keqe këtu.

Ishe një inxhinier e këndoje për qejfin tënd, një mekanik, një vajzë nga ndërmarrja “Migjeni” ose uzinat e fabrikat. Ishin krenarë artistët në cilindo pozicion. Sot thonë të gjithë që janë profesionistë or është fjalë e madhe kjo. Madje iku në ’89 e sa mirë që uk e pa me sytë e tij katrahurën ku hyri muzika e arti në përgjithësi. Shpirti delikat i Agimit nuk do ta kishte përballuar dot këtë që ndodhi këto vite, jo me Shqipërinë, me shqiptarët. E kështu sa mirë që edhe Anitën e largova nga Shqipëria për në Austri për shumë vite. Po ashtu jam krenar në këtë jetë që pata fatin që Anitën ta ngjis në skenë nga mosha 70 vjeçe deri në 80 vjeçare. Agimi nuk dinte të më thoshte “bravo”, të tjerëve po, neve bijve të vet jo. Por ja kam falur sepse e dinte se çfarë po bënte. Vetëm kur largohesha unë, i thoshte Anitës se sa bukur unë kisha shkruar këngën.

Ke ndonjë histori me të që do e veçoje?

Kam shumë por njërën e kam më për zemër. Ishte periudha e konkurrimit për në Institutin e Lartë të Arteve. Ai e kishte nuhatur që unë kisha talent dhe thirri disa nga miqtë e tij të ngushtë Tonin harapin, Kozma Laran, Fehim Ibrahimin, Tisha Dainë, Gjon Simonin, në shtëpi, që të më dëgjonin e që mos gabonte ndoshta në perceptim duke më pasur fëmijë. Në ato vite nuk parapëlqeheshin fëmijët e artistëve që të fitonin fakultetin, duhet të ishin nga klasa punëtore. Unë fillova të ndjeja përgjegjësi mbi shpatulla sepse kisha mbi vete emrin e familjes. Po të mos fitoja? Më ka thënë një shprehje që unë do ta harroj vetëm kur të kem ikur nga kjo botë. Është një perlë, një filozofi jete.

E jetës së tij e përmbledhur në një fjali. Ishte mëngjes e unë do të shkoja të konkurroja pasi kisha një vit që vuaja nga pagjumësia sepse ndjeja kaq shumë përgjegjësi për konkurrimin. Vetëm 19 vjeçar por me qindra mijëra orë studimi, i mbyllur në shtëpi, sakrificë dhe përgjegjësi. Nuk kisha lënë partiturë pa “shqyer”. Ai më tha: “Djalë, ti do të shkosh të konkurrosh. Po dole i pari në konkurs, më i miri, ta dish prej meje se nuk do të të qasin në atë shkollë, do të ta gjejnë një kleçkë. Poooor po dole më mirë se i pari, nuk kanë ç’të të bëjnë në këtë jetë. Ik tani!”. Më puthi te flokët edhe ika. Po ta vrasësh pak mendjen, shikon se ai ka thënë shumë. Nuk ka moment të jetës time apo krijimtarisë time që të mos ta kem në mendje këtë këshillë ose filozofi jete.

Burimi: https://albanianfreepress.al