Mithat Frasheri
Mithat Frasheri

Në numrin e dytë të vitit 2016 të revistës “Hylli i Dritës”, profesor Alfred Çapaliku ka botuar një artikull me titull “Kujtimet brilante të Lumo Skendos”.

Lumo Skendo ishte pseudonimi i  Mit’hat Frashërit. Ai ishte djali i Abdyl Frashërit e nipi i Naimit e i Samiut të cilët e edukuan në pjesën më të madhe të jetës së tij. Ishte publicist, gazetar, shkrimtar e politikan i njohur. Si politikan, kulmin e karrierës së tij e arriti kur u vendos në krye të “Ballit Kombëtar”, ndërsa si shkrimtar e publicist, kulmin e arriti me veprën “Hi e Shpuzë”, botuar në vitin 1915 në Sofje.

Përkthimi që ai i bëri veprës “Gyjom Teli” të Lamartinit u vlerësua edhe nga Faik Konica, i cili shkroi një recension për të. Mes të tjerash, Konica dha vlerësimin e tij kritik: Fjalori tepër i gjerë, i pasur… me cilësi të shkëlqyera në farën apo burimin e mendimeve.”

Profesor Çapaliku në shkrimin e tij, botuar në “Hylli i Dritës”, i ndan kujtimet e Mit’hat Frashërit në disa nëndarje:

  1. Naim Bej Frashëri
Loading...

Në vitin 1901, nga Sofja, Mit’hat Frashëri nën pseudonimin Mali Kokojka, nxori nga shtypi një vëllimth me titull “Naim be Frashëri” i cili, sipas librit “Shkrimtarët shqiptarë” shkruar nga Ernest Koliqi dhe Karl Gurakuqi, ishte “…i pari jetëshkrim i hollësishëm i poetit apostull”. Katërmbëdhjetë vite më vonë, në veprën “Hi dhe Shpuzë”, Mit’hat Frashëri e kujton të ungjin në momentet e tij të fundit dhe e përshkruan atë duke lëvizur planet e personazheve:

Mithati: “Me Naim benë nuk humbëm një njeri të dashur… por një mësonjës, një këshillonjës, një atë!”

Një i mërguar: “I varfër vinja te Naim beu, i pasur shkonja, i urët vinja, i ngirur shkonja,  fjalët që na thoshte na shëronin zemrën.”

Një mik: “…nxjerr nga xhepi ‘Lulet e verës’  dhe na thotë: Paskëtaj, këto fletë janë të Naimit.”

  1. Një kujtim

Në kthimet e Mit’hatit pas në kohë, shpesh shfaqeshin varrezat në Eren – Çoj. I kujtoheshin homazhet që kryente ndaj Naimit e Samiut. Duke u përpjekur të mbante emocionet e ritakimit atje, me prozën e tij të veçantë ai e ringjall për një çast kulturologun, duke i vënë në buzë reciativin e tij në persisht kundër vdekjes:

“Tabutin virmani mbi një vend të lartë

që veriu të shpjerë erën time në mëmëdhe…”

Mit’hat Frashëri e portretizon Samiun si një njeri “të rrallë e plot mendje”. Duket qartë që ai ka mall për xhaxhain e tij të vogël, i cili ishte vëllai i udhëheqësit Abdyl dhe i lirikut Naim.

  1. Suliotët

Autori vendos në qendër të kujtimit disa vajza, nxënëse shkolle para provimit, të cilat nuk e dinë se nga janë. Familjet qysh para një shekulli kanë humbur tiparet e origjinës: gjuhën e dikurshme shqiptare, doket e zakonet karakteristike të vendlindjes, veshjen e fenë e tyre; por jo edhe vallen…

“Po dal! Çupat tani më s’po pyeten, kanë zën’ e kërcejnë. Ç’është kjo valle, kjo këng’ e njohur. ‘Lamtumirë o jet’ e ëmbël! … Sulotka…’ në gjuhën greqisht”

Është vallja e stërgjysheve trimëresha, e valëvitur mbi humnerë për të shpëtuar nderin, gjënë më të çmuar të jetës së tyre.

Si atdhetar, Mit’hat Frashëri dëshiron ta dredhë shaminë bashkë me çamet e vogla, që e shprehin vetvetiu, aq krenarisht identitetin. Si dijetar, Lumo Skendo shënon se heroizmi i grave suliote jo vetëm që ka hyrë në histori, por edhe ka dridhur pendat e artistëve të njohur evropianë, si poetit Bajron, apo të romancierit spanjol Gasper Nunes  de Arce.

Nga Andreas Dushi/Konica.al