ALFRED PAPUÇIU/ Vitet ikin dhe në kujtesën time këtë qershor mbeten të pashlyera rrëfenjat e tim eti për Ballkaniadën e vitit 1946. Shfletoj herë pas here dhe u kthehem koleksioneve të “Sportit” që më ka lënë im atë.

I mbaj si gjë të çmuar, së bashku me fotografitë e asaj Ballkaniade që po ia paraqes lexuesit të “Panoramës” për herë të parë. Besnik Dizdari, në përvjetorin e 80- të të “Sportit”, ndër të tjera ka theksuar se kurrë librat e tij për sportin nuk do të ishin botuar pa pasur mbi tryezë, përveç të tjerave, edhe “Sportin Shqiptar” të Anton Mazrekut, “Sportin” e Anton Mazrekut, të Tuni Papuçiut e të Koci Zengos, “Sportin popullor” të Filip Liços, të Osman Palushit, të Skënder Tupjes, të Agim Korbit dhe të Besnik Dizdarit. Im atë u nda nga ne papritmas, në një ditë të fillimit të qershorit 1975, pa mbushur 53 vjeç. Larg nesh. Në Shkodër, midis miqsh e dashamirësish që i donte dhe e donin dhe që njërin prej tyre e kishte pasur qysh në vitin 1945 bashkëpunëtorin më të ngushtë: të paharruarin Anton Mazreku.

(Lart) Loro Boriçi, Tuni Papuçiu dhe sportistët e Ballkaniadës (Djathtas) Tuni Papuçiu dhe Anton Mazreku gjatë Ballkaniadës, 1946

Edhe në çastet e fundit të jetës nuk donte të shqetësonte njeri, as kolegun e tij të dhomës. Iku, megjithëse të dashurit e tij do të donin ta kishin shumë më tepër pranë tyre, për të dëgjuar zërin e tij melodioz që u jepte jetë darkave midis miqsh, dasmave të të afërmve, gëzimit të afrimit të një Viti të Ri midis komshinjve. Nuk kërkoi asnjëherë për vete diçka, edhe pse i takonte më tepër. Punoi gjithë jetën me modesti. Mbi të gjitha ishte i ndershëm dhe krenar dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës së tij të shkurtër.

Gjithçka e motivonte dhe e bënte për të mirën e atdheut të vetë, të njerëzve të thjeshtë. Të afërmit dhe dashamirët e tij të shumtë do ta kujtojnë si njeriun e çiltër, me karakter, që të bënte për vete me zërin e tij kur kishte një gëzim në familje apo shoqëri, por që shprehte edhe keqardhjen e tij të thellë për fatkeqësinë e një miku apo të njohuri që u ndodhej pranë, me mish e me shpirt, për të kaluar dhimbjen së bashku. Sa herë, bashkëqytetarë të krahinës së tij vinin në Tiranë, për t’i ndihmuar Tuni i thjeshtë për një hall, për të takuar një mjek të mirë, për të treguar kujdesin e duhur, për t’i ndihmuar fëmijët që të shkolloheshin, duke njohur zemrën e tij të madhe, shpirtin e tij të dhimbshëm, gjerësinë e tij, megjithëse e dinin se ishte vetëm një punonjës i zakonshëm i shtypit.

Dhe ai me sa kishte mundësi i ndihmonte sikur të ishin njerëzit e familjes së tij. Pa kërkuar si shkëmbim ndonjë favor apo privilegj për vete apo familjen e tij. E vetmja gjë që më kujtohet, kur vdiq babai erdhën për ngushëllim shumë e shumë njerëz që nuk i njihja, por që me fjalë të thjeshta shprehnin mirënjohjen për të. Kishte nga ata miq si komentatori i shquar, Ismet Bellova, që e kujtonte për përkushtimin e tij në Ballkaniadën e vitit 1946. Dhe herë pas here përshëndeteshin si miq të mirë.

Tuni Papuçiu dhe Anton Mazreku në Ballkaniadë

Tuni Papuçiu, së bashku me shkrimtarin e njohur Jakov Xoxa, ideuan dhe nxorën gazetën “Përpjekja e rinisë” në Sevaster të Vlorës, ku Tuni ishte inkuadruar në Zonën e Parë Operative prej 1943. Pastaj veprimtarinë gazetareske e vijoi në Tiranë në gazetën “Sporti” (1945) si kryeredaktor i saj, duke qenë përkrah Anton Mazrekut në Ballkaniadën e vitit 1946. Në atë Ballkaniadë të paharruar do të gjendej gjithmonë përkrah Anton Mazrekut, siç e tregojnë dhe fotografitë bashkëlidhur, për të përjetuar emocionet e fitores së parë ballkanike për Shqipërinë që solli Loro Boriçi (1922–1984), kapiteni, simboli dhe legjenda e futbollit shqiptar.

Më fliste përherë me përzemërsi për të paharruarin Anton Mazreku, për Loro Boriçin e sportistë të tjerë, për të cilët ka shkruar me shumë dashamirësi në faqet e “Sportit” të viteve të para pas çlirimit Më thoshte se Anton Mazreku ka qenë një njeri fisnik, i dashur, me shumë kulturë, por tepër modest. Së bashku me të dhe disa shokë të tjerë, ata organizuan Ballkaniadën e vitit 1946, e cila doli me tepër sukses për Shqipërinë. Ruaj si relikte të rralla fotografitë ku im atë ka dalë me Anton Mazrekun, duke transmetuar drejtpërdrejt jashtë dhe jo në studio.

Gjithashtu, shumë shprehëse është fotografia kur ekipi i futbollit doli kampion i Ballkanit dhe të gjithë, im atë, Antoni, Loro Boriçi dhe ekipi kanë dalë tepër të entuziazmuar për atë fitore të merituar. Lorua i madh e kishte përqafuar dhe për disa çaste kishin shkëmbyer fjalët mbresëlënëse për fitoren e merituar. Babai edhe më vonë ishte takuar disa herë me Loron gjigant dhe kujtonin ato ditë të lavdishme të Ballkaniadës së 1946-ës. Im atë më thoshte gjithashtu se kur më vonë transmetonte Anton Mazreku ndeshjet e futbollit dhe unë shumë i vogël, qëndroja në dhomën ku dëgjohej zëri i tij kaq i dashur dhe kumbues për sportdashësit.

Tuni në atë kohë, si kryeredaktor i “Sportit” duhej të mbulonte pasqyrën e gazetës për ndeshjet. Ishte i përkushtuar dhe i duhej të qëndronte deri natën vonë që të dilte sa më mirë dhe e larmishme gazeta. Ashtu i përkushtuar dhe i papërtuar, siç qëndroi 11 vjet si “i freskët”, duke punuar natën në gazetën kryesore të vendit. Gëzimin e tij të papërshkruar, bashkë me të paharruarin Anton Mazreku për fitoren e madhe në Ballkaniadën e 1946, e ka shprehur dhe në shkrimet e tij të “Sportit” të asaj periudhe. Dhe ishte me të vërtetë mbresëlënëse, më tregonte babai. Vetëm pak ditë mbas përurimit, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” priti veprimtarinë e parë ndërshtetëse të futbollit e të atletikës në Europë: Lojërat Ballkanike.

Loro Boriçi me Kupën e Kampionit të Ballkanit në majë të podiumit të fituesve. Dhe ai vetë, Tuni, vetëm 23 vjeçar, duke ngritur krahët me entuziazëm për fitoren e merituar shqiptare. Babai kishte një respekt të veçantë sidomos për Anton Mazrekun, duke e cilësuar si një njeri tepër të formuar dhe që e ndihmonte shumë tim atë me përvojën dhe dijenitë e tij për sportin. Ai më theksonte se Antoni kishte një pasion të veçantë për letërsinë dhe shkrimet e tij dalloheshin për kulturën e tij të gjerë gazetareske dhe për argumentet dhe dijet e tij që e pasuronin artikullin apo shkrimin e Anton Mazrekut.

Ruaj si gjë të rrallë numrat e “Sportit” të asaj kohe, ku krahas shkrimeve të tim eti dallohen ata të të paharruarit, veteranë të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, të mirit dhe të dashurit, Anton Mazreku. Ishte nip i atdhetarit të madh shqiptar, një prej figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, Luigj Gurakuqit. Edhe ai u largua nga kjo jetë më 1969, duke lënë kujtimet më të mira për sportdashësit dhe miqtë e tij të mirë./PANORAMA.COM.AL