Kullat e Sahateve janë ndërtime që i takojnë periudhës osmane. Sipas arkitektit Sulejman Dashi e para kullë sahati “mendohet të jetë ndërtuar në qytetin e Shkupit rreth viteve 1560 – 70. Në shek. XVII kulla sahati kishin edhe qytetet e tjera të dëgjuara si Elbasani, Prizreni, Berati, Kruja, Shkodra, kurse në qytetet e Korçës, Prishtinës e Pejës esnafët i ndërtuan kullat rreth shek. XVIII. Kulla sahati ndërtojnë gjatë shek. XIX edhe qytetet më të reja zejtare si Kavaja, Tirana, Peqini dhe ndonjë qendër e vogël me karakter fshatar si Preza e Libohova. Kanë patur kulla sahati, gjithashtu, Durrësi, Gjirokastra, Kanina dhe Delvina.

Në qendrat e banuara shqiptare janë numëruar deri në 14 kulla sahati por që sot disa prej tyre nuk janë më. Ali Pashë Tepelena, Aqif Pashë Elbasani, Mehmet Pashë Bushatlliu dhe Haxhi Ethem Beu janë emrat që njihen si financuesit për ndërtimin e tyre. Ali Pashë Tepelena ndërtoi një në Gjirokastër dhe një në Libohovë. Mehmet Pashë Bushatlliu ndërtoi një kullë sahati në Shkodër. Më e vjetra që ende ekziston është kulla e sahatit të Krujës. Sahatet më i ri ka qenë ai i Vlorës, ndërtuar në vitin 1920 me një stil bashkëkohor, në të cilin ishin gdhendur simboli i Skënderbeut, shqiponjës dhe Ismail Qemalit. Këto “simbole të qyteteve” janë sot mbartës të një historie e tradite shumëvjeçare në një kohë që funksioni i tyre parësor i tyre është tejkaluar nga zhvillimet teknologjike.

Kulla e Sahatit Krujë. Është më e vjetra nga ato që ruhen sot, e ndërtuar rreth shekujve XI-XII si pikë vrojtimi. Autorë të ndryshëm e cilësojnë si kullë kambanash, kurse funksionin për sahat ajo e mori në shek. XVII. Ka një lartësi nga tabani rreth 16 m, fillon piramidale dhe vazhdon prizmatike me bazë katrore. Kolona guri që mbajnë sipër çatinë e drunjtë e mbyllin si kompozim.

Kulla e Sahatit Korçë. Është ndërtuar në vitin 1784, në oborrin e xhamisë së Iljaz bej Mirahorit me kontributin e tregtarëve vendas. Ndërtues sipas të dhënave të kohës ishin disa mjeshtra nga veriu i vendit. Kambana e saj peshonte afërsisht 40 okë (rreth 50 kg). Në vitin 1893, ora e vjetër me kambanë u zëvendësua me një orë të tipit më të ri. Kulla u shemb nga një tërmet i vitit 1960.

Kulla e Sahatit Kavajë. Është ndërtuar pranë xhamisë Kubelie më 1817 nga Ibrahim Bej Alltuni. Ndërtues ishin tre vëllezër nga Bardhora, ndërtimi i saj ka zgjatur tre vjet, gurët për të janë marrë me qerre nga Peqini. Sipas gojëdhënave pas përfundimit të punimeve Ibrahim Bej Alltuni i ftoi për drekë ustallarët dhe i vrau me pretekstin që të mos ndërtonin në vende të tjera.

Kulla e Sahatit Peqin. Është ndërtuar rreth viteve 1840 së bashku me xhaminë, si pjesë përbërëse e të njëjtit objekt. Nga tradita gojore mësohet se për ndërtimin e saj qenë shfrytëzuar gurët nga një faltore më e vjetër dhe realizimi qe kryer nga po ata mjeshtër, që kishin ndërtuar më parë kullën e sahatit të Tiranës. Ka tre kate dhe arrin lartësinë prej 21 metrash.

Kulla e Sahatit Elbasan. Nga të dhënat dokumentare Elbasani ka patur kullë sahati që në fillim të shek. XVII. Ka gojëdhëna se në Elbasan janë ndërtuar radhazi tri kulla sahati. E para në shek. XVII e përmendur nga Çelebiu, u rrënua para vitit 1854. Kulla e dytë prej druri, e ngritur gjatë viteve 1865-1869, dhe kulla aktuale e gurtë e ndërtuar në pranverë të vitit 1899.

Kullat e Sahatit Vlorë. Ndër Kullat me të reja të sahateve është ajo e ndërtuar në qytetin e Vlorës. Sipas të dhënave historike Sahati i Vlorës është ndërtuar në vitin 1920 me një stil bashkëkohor, në të cilin ishin gdhendur simboli i Skënderbeut, shqiponjës dhe Ismail Qemalit. Kohët e fundit kompleksi i tregut mbi të cilin ishte edhe Sahati është rikonstruktuar.

Kullat e Sahatit Durrës. Qyteti Durrës ashtu si qytetet e tjera të vendit ka qenë i dominuar nga një kullë sahati e cila ndodhej në qendrën e atëhershme të qytetit. Ka shumë foto të Kullës së Sahatit deri në vitin 1917, por edhe më parë. Ndërkohë në kohën e Mbretërisë Sahati i Durrësit u ndërtua si një pjesë integrale e ndërtesës së Bashkisë së qytetit.

Mapo.al