Një profil i rrallë për artistin e madh të humorit shqiptar: Nga Edmond Ismailati

Është tepër e thjeshtë për këdo që ulet e merr mundimin për të shkruajtur rreth universalit Agron Llakaj. Ai është tashmë një nga personalitetet më të njohura dhe më të shquara të humorit shqiptar. Afirmimi i tij tejet popullor nuk është aksidental, por as sekret.

Ai rrjedh në sajë të një interpretimi të larmishëm artistik e tepër origjinal, me karakteristikat e veçanta dalluese, gjë që përkon me lindjen e një talenti të rrallë. Talenti Agron Llakaj u lind më 24-Prill, 1960, në qytetin Memaliaj të rrethit Tepelenë me prindër Novruz (tepelenas) dhe Drita (gjirokastrite).

Shkollën 8-vjeçare e mbaroi në vendlindjen e tij. Arsimin e mesëm e filloi në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në kryeqytet, ku përgjatë studimeve të tij, në vitin e dytë u përjashtua, jo për arsye thyerje note në sjellje, por për shkak të luftës së klasave.

Ai si nipi i z.Veli Llakaj, ish-funksionar i instancave më të larta, me detyrat e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zv. Ministrit të Parë të Mbrojtjes së Ushtrisë Shqiptare, i akuzuar verbërisht deri në persekutim, bëri që kjo valë të ndërpriste edhe studimet e Agronit.

Agron Llakaj në klasen e 7- të në vitin 1974

Me t’u kthyer në vendlindje, mbaroi gjimnazin pa shkëputje nga puna. Si shumë të rinj, frontet e punës në minierën e qymyrgurit Memaliaj ishin të pashmangshme për atë kohë. Ai e ka filluar punën me (shkëputje) në një moshë tepër të re, qysh në moshën 13 vjeçare.

Si fillim ka punuar si punëtor në ndërtim dhe mbas moshës 16 vjeçare ka nisur punën në repartin e investimit në minierën e qymyrgurit të Memaliajt. Reparti ku ai ka punuar, është ai i mirëmbajtjes së Pusit Nr.2.

Në këtë repart të mirëmbajtjes që mbulonte furnizimin me tranversa prej druri, profile prej hekuri dhe materialeve të tjera që u duheshin minatorëve për të riparuar armaturat ekzistuese apo për të armatosur avancimin e punimeve të tyre në frontin e prodhimit, i çonte duke i shtyrë galeri më galeri që ndodheshin nëpër drejtime të ndryshme në thellësitë e nëntokës dhe përgjatë 8-orarëshit të punës, padyshim që do të përshkonte disa km për ta mbyllur atë.

Këto vagonë të quajtura ndryshe “shtrate” që shërbenin për transportimin e materialeve të sipërpërmendura, në shumë raste dilnin edhe nga shinat, problem ky që shkaktonte herë pas here edhe rënien e tranversave apo lëndëve të ndryshme që transportonte “shtrati”.

Kjo ia bënte punën më të rëndë Agronit, pasi jo vetëm që do të ushtrohej forcë për të hedhur në shina vagonin e ngarkuar të tipit “shtrat”, por edhe do të dyfishohej puna, pasi duheshin ngarkuar përsëri lëndët, e materialet dhe të shkonin në destinacion.

E gjithë kjo bëhej me krahë dhe në ato vite edhe pse Agroni ka qenë më i fizikshëm, pasi ishte koha kur luante edhe futboll me ekipin e të rinjve të “Minatori”-t, përsëri lodhej shumë, ku kjo e fundit, më vonë i ka dhënë edhe efektet anësore në shëndet si ajo e “hernisë diskale”, shqetësim ky që i shfaqet herë pas herë edhe sot nëse bënë punë apo ushtrime fizike.

Por edhe pse ai përballej dita-ditës me vështirësi nga më të ndryshmet, duke mos harruar këtu edhe lodhjet fizike dhe psikologjike, pasi kishe të bëje me nëntokën, përsëri ai gjente energji për të kënduar dhe bërë humor.

Këto të fundit i vinin nga batutat e çastit që dilnin përgjatë punës që tingëllonin sikur ledhatonin jo vetëm lodhjen e përzier me mërzitjen nga puna e rëndë por edhe për t’i paraprirë vështirësive të panjohura që mund të përballeshin në vazhdim.

Të gjithë ata që kanë patur fatin të punonin me Agronin, ruajnë kujtimet më të mira, jo vetëm si bashkëqytetar, por edhe sepse koha ikte shpejt dhe lodhjen nuk e ndienin, falë alegrisë dhe humorit të tij.

Të vetmin privilegj që kishte, ishte ajo që merrte ndonjë ditë pushim me të drejtë pagese (kur shkonin turne me trupën), përgjatë viteve në vazhdim, pasi u bë pjesë e trupës së Estradës së Pallatit të Kulturës së Memaliajt. Edhe në vitet 1978-1987 ka qenë i punësuar po aty, por pa u shkëputur nga jeta artistike që zhvillonte me trupën e Estradës së Memaliajt.

Përgjatë këtyre viteve ka pasur një gamë të gjerë aktivitetesh, ka luajtur me instrumentin trombë në bandën simfonike të qytetit, është aktivizuar futbollist me ekipin e të rinjve të “Minatorit” nën drejtimin e (e përkujtojmë) trajnerit të talentuar e mjeshtrit të sportit z. Karafil Asllan Çaushi, në vitet ’77, ’78, ’79, ku kanë qenë vitet më të arta të këtij Klubi, pasi për herë të parë në historinë e tij ka debutuar në kategorinë e parë. Por prirjet e Agronit synonin ngjitjen në skenën e teatrit.

Humori i tij që në fillimet ka qenë shumë fin, i këndshëm, tërheqës, nëpër rrethin e tij të ngushtë shoqëror dhe kolektivit ku ai punonte.

Njeri i dashur, gjithmonë të dhuronte ambient vëllazëror, bujari, buzagaz dhe ngrohtësi prej zemërgjerësisë së tij artistike dhe atë njerëzore që e bënin të gëzonte respekt të veçantë tek kushdo.

Ai që në fillimet e tij të para u prezantua si këngëtar i të gjitha zhanreve. Zëri i tij, i cili kapte me lehtësi çdo oktavë mbi pentagram, u mirëprit shumë shpejt, si nga publiku vendas dhe atij përgjatë turneve nëpër Republikë.

Siç dihet, jo rrallë, talentet nuk zbulohen, por shpërthejnë vetvetiu. Ato fillojnë që nga nuanca të mbarsura plot vlera shpirtërimi artistik e deri sa marrin formën e kompletuar.

Siç dihet, mbas vitit 1945 krahas zhvillimit të skenës teatrale, si domosdoshmëri, një hov të madh mori edhe teatri variete ku për publikun njiheshin si “estradat” i bazuar në humorin e hollë tradicional shqiptar.

Në këtë rrymë u shtua dhe inteligjenca artistike e Llakajt, ku vrulli i talentit të tij individual i dhuroi mundësi të reja, duke zbuluar skaje të pa prekura më parë nga skenat shqiptare. Shumë shpejt filloi njëkohësisht të dilte para publikut me repertorë parodikë, duke iu dhënë shanse të plota për shpalosjen e humorin të tij karakteristik.

Po aq të befasuar nga origjinaliteti por dhe aq fuqishëm u ngrit peshë salla nga duartrokitjet e pafundme që kërkonin të risillnin në skenë duke brohoritur sërish në ritme korale, Agroni… , për të riinterpretuar imitimet si, prezantuesin e parashikimit të motit z.Petrit Leka, spikerët e transmetimeve të lajmeve, këngëtarët profesionistë, aktorët, komentatorët e ndeshjeve sportive etj.

Tashmë Agroni kishte fituar statusin “I pa zëvendësueshëm” pasi asnjëherë nëpër ekranet bardhe -zi të TVSH nuk ishin parë të tilla imitime aq origjinale.

Në qytetin e Memaliajt ishte tepër e vështirë të të dhuronin duartrokitje, sidomos në atë të humorit. Them e vështirë të merreshin duartrokitje, pasi në këtë qytet artdashës, në ç’do rreth shoqëror ishte i pranishëm, alegria, humori miqësor, batuat efektuese, barcaletat, grupe të rinjsh të polifonisë labe që këndonin parqeve (vetëm në Memaliaj i shikoje) dhe të tjerë me serenata kitarash të hedhur krahaqafë e duke kënduar përgjatë brigjeve të lumit Vjosë, ironia fine me sens humori, shprehjet alegorike të shoqëruara me plastika të ndryshme deri tek ai i prezencës komike, bënë të mundur përveç trupës kryesore të pallatit të kulturës ku bënte pjesë dhe Agroni, në pesë lagjet ekzistuese të qytetit u ngritën tek secila trupë estrade ku konkurronin me njëra-tjetrën!

Këto aktivitete të detyronin që të kishe një prezantim më cilësor dhe dinjitoz e spektakolar për të shkaktuar duartrokitje të gjata frenetike. Këto duartrokitje vlerësuese, të përzemërta dhe artdashëse u bënë shumë shpejt pronë e universalit Agron Llakaj, që në prezantimet e para të tij.

Nën drejtimin e regjisorit të talentuar Agim Likaj ishte ndërtuar një bërthamë e mirë e cila njihej gjithandej sidomos në qytetet jugore me pagëzimin “Humori Memaliot” që përbëhej nga shumë humoristë të tjerë si Myzafer Abedini, vetë regjisori Agim Likaj, dhe i pazëvendësueshmi Agron Llakaj, të cilët ishin këta që mbanin peshën e varieteve.

Këtë virtyt befasues folklorik, rastësisht e kam zbuluar tek Agroni. Edhe pse isha në një moshë të vogël gjeta përkrahjen e regjisorit Agim Likaj ku më dha shanse të menjëhershme për t’ju bashkuar dhe unë trupës kryesore të “Estradës”, duke debutuar (për një kohë të shkurtër…) me numra shpejtësie si “Prestigjidator”.

Përgjatë udhëtimeve drejt skenave jugore, rrugës dëgjohej dhe kënga labe e kënduar me aq ligje burrërore nga Agroni, të cilën e interpretonte me aq debulesë dhe origjinalitet, ku të dridhurat e zërit labëror të afronin me vetë lashtësinë e kësaj mrekullie që ka mbërritur edhe në ditët tona.

Më shkonte shpesh në mendje, pse mos të jetë dhe ky një nga solistët e “Ansamblit Kombëtar”! Por talenti kishte lindur i shkruar! Ai duhej të bëhej aktor! Vitet 1982-1984 të cilat ishin kohët e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk u bënë shkas për ta shkëputur nga rruga e artit.

Të shkruash për jetën e Agronit duhen orë dhe ditë të tëra, por po sjell vetëm disa fragmente nga jeta e tij, por edhe që kanë lidhje me zanafillën drejt rrugës së artit, që e çuan atë në një ndër më të suksesshmit në Shqipëri. Bashkë me Agronin njihemi qysh në fëmijërinë tonë, pasi kemi qenë komshinj.

Më kujtohen shpesh ato vite, edhe pse kam qenë më i vogël në moshë. Mbas pallatit kemi patur një kopësht ku ishte dhe një fik i madh dhe me degë të shëndetshme. Ishte mbas dritareve të shtëpisë time dhe të Hamza Gumëz, pasi në atë kohë banonim me komshi po në të njëjtën hyrje të përbashkët.

Përgjatë pranverës, beharit por edhe në ditët me diell të dy stinëve të tjera, në hijen e shtatit të hardhisë, apo hipur nëpër degët e atij fiku shëngjin, shpesh kalonin kohën të rinjtë e asaj kohe si Enver Nurka, Hamza Guma, Përparim Llakaj, Skënder Kalemi, Ramiz Çaushi, Odise Liti, Agim Ismailati, Valter Molla, Asqeri Vrenozi, etj, dhe një prej tyre ishte edhe Agron Llakaj.

Midis lojërave dhe qyfyreve të moshës, shpesh dëgjohej edhe zëri i Agronit kur këndonte këngët e preferuara të moshës që këndoheshin në atë sistem. Në atë moshë Agroni duhet të ketë qenë 11 vjeç dhe binte në sy humori dhe zëri i tij.

Është rritur në një familje të madhe me katër vëllezër dhe tre motra (ku Agroni është i treti) ku nuk mungonte asnjëherë alegria dhe e bënte jetën e tyre më harmonike edhe pse jetonin në atë sistem. Por Agroni do ta fillonte karrierën e tij nga kënga, pikërisht kur ai ishte vetëm 16 vjeç.

Ashtu siç dëgjoheshin shpesh zërat e të rinjve memaliotë përgjatë punës, plazheve, udhëtimeve apo serenatave, një nga ata ishte edhe zëri i Agron Llakajt.

Ai që e dëgjoi dhe e sugjeroi që të shkonte për t’u provuar në Pallatin e Kulturës dhe të bëhej pjesë e trupës për të zhvilluar më tej këtë talent dhe ta shpaloste edhe përpara artdashësve memaliotë, ishte pjesëtari i trupës së Pallatit të Kulturës së qytetit Memaliaj, këngëtari Petref Goxhaj.

Petrefi ishte një këngëtar shumë i talentuar dhe i mirënjohur në skenat e qyteteve jugore, por fatkeqësisht ndërroi jetë në moshë shumë të re.

Me ftesën që iu bë Agronit nga Petrefi, ai u provua nga udhëheqësi artistik, Dhimitër Peri, i cili mbasi e dëgjon që të këndojë këngën “Nga llogorja s’luajmë kurrë”, i thotë Agronit “nuk bëni për këngëtar”. Por drejtori i Pallatit të Kulturës Xhafer Kuçi i thotë që “Ai këndon shumë mirë për tu bërë pjesë e Korit të burrave”.

Agroni pasi u bë pjesë e korit, filloi që të merrej edhe me imitime. Por ndryshimi lindi menjëherë! Me ardhjen e regjisorit Agim Lika në Pallatin e Kulturës (më datë 1 janar të vitit 1980), e gjeti Agronin atje.

Në atë kohë Agroni ishte këngëtar dhe imitues shumë i mirë ku imitonte komentatorët e futbollit si Ismet Bellova, Anton Mazreku, Ahmet Shqari, drejtuesin e emisionit “Trupi dhe shëndeti” Dr. Flamur Topi, prezantuesin e emisionit të kohës meteorologjistin Petrit Leka, këngëtarët Tonin Tërshana, Bashkim Alibali, Mentor Xhemali, Luan Zhegu, etj (ndërsa mbas vitit 1990 imitonte politikanët Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Alfred Moisiu, Spartak Ngjela, Bujar Leskaj, etj).

Regjisor Agimi e përkrahu menjëherë Agronin kur e pa se kishte sukses si imitues dhe se kishte veshë muzike, zërin e mirë dhe këndonte bukur, e afroi për ta aktivizuar me paroditë duke i futur ngjyrat e aktrimit, veprimet aktruese dhe këndonte paroditë bashkë me regjisorin Agim Lika. Më vonë vjen nga ushtria edhe humoristi Myzafer Abedini dhe kështu u krijua treshja e parodistëve memaliotë.

Mbas kompletimit të treshes që udhëhiqej nga Agron Llakaj, Myzafer Abedini dhe regjisori (aktor) Agim Lika, dalloheshin për interpretimet e tyre të larmishme, për rolet me plotë karaktere… por Agroni si lider i saj pasi kishte një zë melodioz dhe veshë muzike, dhunti këto që nuk e kishin lënë të stononte asnjëherë, mbulonte ndonjëherë edhe kur stononin dy parodistët e tjerë.

Agim Lika menjëherë pa filluar mirë punën si regjisor, filloi provat për të vënë në skenë komedinë “Dasëm pa nuse” e cila do të shfaqej në fillimin e muajit prill (pa mbushur mirë muajin e tretë të punës së tij).

Dikush nga aktorët e trupës nuk do të luante për arsye të ndryshme dhe regjisori Agim Lika zgjodhi Agronin duke i besuar e dhënë shtysë, i tha që “..do të luash një rol në komedinë “Dasëm pa nuse”.

Në këtë komedi Agroni aktronte me personazhin e Shero Nareti që simbolizonte një të moshuar që donte të martohej me një vajzë të re. Kjo shfaqje, korri shumë sukses ku Agroni krijoi një karakter shumë të spikatur ku dallohej bota e tij e brendshme dhe humori.

Agroni hezitoi për mos të luajtur, por qe këmbëngulja e regjisorit Agim Lika që i besoi rolin atij. Agim Lika, ishte ai që futi elementët e aktrimit profesionist si platforma regjisoriale, (siç ishte zbërthimi i veprës) punët në tavolinë, mizanskenat, gjimnastikat e gojës, frymëmarrjet, plastikat dhe ushtrime të tjera që e rritën profesionalisht.

Në vitet në vazhdim Agronit iu besua të luante edhe një rol në komedinë “Pallati 176”, ku e interpretoi me shumë profesionalizëm dhe gjithashtu pati sukses dhe vlerësim maksimal prej artdashësve memaliotë.

Por në sukseset e njëpasnjëshme që po korrte trupa e Memaliajt, ishte prezente jo vetëm talenti i Agronit që sa vinte dhe rritej profesionalisht duke u kthyer në një personalitet të skenave jugore, por edhe kontributi i tij duke e shkrirë natyrshëm atë edhe me aktorët e tjerë të trupës.

Këto arritje ishin tregues të pakundërshtueshëm që pasqyronin nivelin e trupës, e cila ishte duke u rritur dhe i kishte kaluar nivelet e aktrimit amator dhe me guxim do të jepnin shfaqje për herë të parë në qytetin e Sarandës, ku artdashësit e saj argëtoheshin, jo vetëm me shfaqjet që jepte trupa e tyre profesioniste, por edhe me ato të trupave të tjera profesioniste që shkonin shpesh.

Trupa kishte ndërmarr një turne në këtë rreth dhe kishte disa ditë që pushonte në Hotel turizmin e Sarandës, pasi përgjatë ditës jepnin shfaqje në Ksamil, Lukovë, Borsh, Delvinë, Konispol, etj, dhe ktheheshin po në hotel. Ishte ditë e shtunë dhe kishim shkuar me ekipin e të rinjve të “Minatori”-t (ku bëja pjesë edhe unë) për të luajtur futboll ndaj atij vendas, “Butrinti”-t dhe si e tillë më duhej të mbaja regjim.

Nuk do të kisha shkelur këtë rregull, por shkas u bë njohja që kisha një vit më parë me një këpucar vendas me natyrë kavalieri të cilin e quanin Perlat (jo shumë i gjatë, flokë kaçurrela, i vëllai i një doktori të njohur aty), pasi tek ai kisha bërë këpucët me porosi, edhe unë shpalosa natyrshëm kavalierllëkun memaliot duke plotësuar njëkohësisht një dëshirë të përbashkët për ta shikuar këtë shfaqje sëbashku.

Pasi u bëmë prezent në këtë shfaqje, por të ulur në një nga radhët e karrigeve midis spektatorëve, ku nga këta të fundit dëgjoheshin edhe ndonjë shprehje sporadike: “Ja t’i shikojmë, se na i kanë bërë të famshëm”.

Ndihesha në siklet, pasi jo vetëm që ishte hera e parë që ndodhesha midis spektatorëve jo memaliotë, por ajo që më shqetësonte më shumë ishte se a do t’u gjendeshin telat artdashësve sarandjotë, pasi në këtë sallë jepnin shfaqje vetëm trupat profesioniste.

Edhe pse nami (për mirë) i trupës së Memaliajt tashmë i kishte pushtuar qiejt e qyteteve jugore, përsëri ndihesha i pushtuar nga ky ankth dhe mezi prisja që të fillonte shfaqja. Shfaqja filloi në orën 12:00 të mesditës dhe mbaroi më orën 14:00.

Trupa e memaliotëve ku në fillim u prezantuan me emocione, por të sigurt që do t’i fitonin jo vetëm duartrokitjet, por edhe gjithë zemrat e sarandjotëve, ja arritën qëllimit duke më çliruar edhe mua që ndodhesha ende i pushtuar nga emocionet.

Sarandjotët u entuziazmuan jashtë mase dhe nuk donin që t’i linin që të iknin. Madje ishte Agron Llakaj ai që me imitimet e tij brilante dhe paroditë, bëri të mundur që të ngrinte peshë sallën ku filluan të dëgjoheshin fishkëllima dhe brohoritje që pasonin njëra tjetrën si zinxhir, aq të shumta këto sa që e detyruan që të kthehej disa herë për t’i riinterpretuar.

Prej Perlatit dëgjoheshin shpesh shprehjet “Hajde Memaliaj hajde… nuk ka si Agroni… është i pakapshëm.. . ”, shprehje këto që shoqëroheshin me çehre dhe frymëmarrje si të lajthitura.

Mbasi mbaroi shfaqja, shumë artdashës sarandjotë i prisnin jashtë, përpara Pallatit të kulturës dhe kur doli trupa e Memaliajt për t’u larguar, u drejtuan duke u kërkuar që të rrinin dhe të jepnin edhe një shfaqje tjetër në mbrëmje ose në atë të ditës së nesërme.

Padyshim që kërkonin edhe Agronin, pasi i mahniti me imitimet e tij duke u sjellë për disa minuta në skenë shumë zëra të mirënjohur të botës së humorit, artit, muzikës, etj. Në atë kohë trupa nuk mund t’ua plotësonte dëshirën artdashësve sarandjotë, pasi të nesërmen duhet të shkonin për të dhënë shfaqje në Himarë ku ishin lajmëruar edhe artdashësit himarjotë dhe si e tillë duhej të vinin patjetër.

Pasi trupa e estradës u largua për t’u përgatitur për rrugën drejtë Himarës edhe artdashësit u shpërndanë. Pasi trupa e Memaliajt kishte dhënë shfaqjen dhe ishin kthyer nga Himara, mësova edhe për suksesin e tyre që kishin marrë përgjatë shfaqjes. Në Himarë ishin lajmëruar për dhënien e shfaqjes në orën 10:00 të paradites.

Pasi pasdite do të luhej ndeshja e futbollit Himara-Shkëndija. Biletat ishin shitur të gjitha në një kohë shumë të shpejtë dhe jashtë rrinin shumë të tjerë që nuk kishin mundësi të futeshin, pasi s’kishte më vende.

Shfaqja zgjati dy orë, kohë kjo më shumë seç ishte programuar. Trupa korri një tjetër sukses ku edhe aty Agroni shkëlqeu me imitimet dhe paroditë dhe mbasi mbaronte së interpretuari, dëgjoheshin shumë fishkëllima, duartrokitje dhe brohoritje të njëpasnjëshme që e detyronin të kthehej disa herë.

Nga suksesi që pati shfaqja, u kërkua nga artdashësit himarjotë që të rrinin dhe të jepnin edhe një shfaqje tjetër në mbrëmje, por regjisori Agim Lika u thotë që nuk mundeshin, pasi nuk kishte vend për të fjetur në hotel, pasi do të flinte ekipi i “Shkëndisë”.

Himarjotët të vendosur u thanë që “…ekipi i “Shkëndisë” do të ikë, por edhe po nuk ikën, do t’ju shpërndajmë nëpër shtëpitë tona dhe të flini pa merak, vetëm të rrini dhe të jepni edhe njëherë shfaqje në mbrëmje, në të kundërt do t’ua çajmë të katërta gomat e korierës dhe nuk keni se si të ikni”.

Drejtori Xhafer Kuçi dhe regjisori Agim Lika të habitur por edhe të detyruar nga kjo këmbëngulje, panë ç’panë, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër, vendosën të rrinin. Trupa e Estradës së Memaliajt filloi të lutej që të humbiste “Shkëndija”, pasi kjo do t’u jepte mundësinë këtij ekipi edhe për tu larguar po atë natë dhe ashtu ndodhi.

Himara fitoi 1 me 0 dhe ekipi i “Shkëndisë” iku menjëherë mbas lojës dhe dhomat u zunë nga trupa e Estradës së memalioteve. Ishte një entuziazëm i paparë, pasi jo vetëm që fituan, por edhe do të kishin mundësi që ta festonin edhe me rishfaqjen e trupës.

Në mbrëmje përgjatë shfaqjes që filloi në orën 20:00 dhe mbaroi në orën 22:00, ishin më shumë se 500 spektatorë, aq shumë saqë nuk mbahej populli dhe u detyruan të hapnin edhe portat, ku jashtë, përtej tyre, dukeshin shumë himarjotë që bërtisnin duke bërë bis.

Këto të fundit vinin pasi kërkonin për tu kthyer sërish imitimet, paroditë dhe këngët në atë shfaqje. Madje, ajo që bëri që të elektrizoheshin të gjithë himarjotët, ishte se Agron Llakaj dhe Agim Lika (regjisor) improvizuan një parodi të çastit, kushtuar fitores së Himarës ndaj “Shkëndisë” dhe kjo e ndezi flakë sallën e tejmbushur që nuk kishe se ku të hidhje kokrrën e mollës.

Të dy rrjedhat e shfaqjeve që tregova më sipër, janë vetëm dy fragmente nga rruga e dhjetëra sukseseve që kishte korrur kjo trupë ku një meritë të pazëvendësueshme kanë patur edhe interpretimet plot talent dhe mjeshtëri nga Agron Llakaj. Falë nivelit të lartë të saj që i kishte kaluar ato amatore, zgjoi kërkesën e bërjes së një skene rrotulluese.

Kjo u arrit falë sukseseve së trupës që kishte arritur atë të nivelit profesionist, punës së palodhur të regjizorit të saj Agim Lika dhe artdashësve memaliotë që bënë të mundur të realizohej. Ishte e vetmja skenë rrotulluese në jug të Shqipërisë siç e kishin ato të trupave profesioniste.

Nga turnetë nëpër rrethe që bënte trupa e Memaliajt ndër vite, i dha mundësinë edhe Agronit që jo vetëm të prezantohej, njihej, por edhe të miqësohej me aktorë të tjerë profesionistë. Një rast i tillë iu dha kur ishin në Burrel, ku u njoh edhe me Theofil Haxhijanin i cili ishte aktor me Estradën profesioniste të Sarandës.

Në shfaqjen qe u dha në qytetin e Burrelit, Agroni këndoi edhe këngën “Rrofsh Enver sa malet tona”, kujtim ky të cilën e ka shprehur vetë Agroni dhe e kam lexuar në një nga revistat e botuara para disa vitesh. Por regjisori Agim Lika duke parë vlerat dhe talentin e Agronit që pothuajse pa frikë i përkiste atij profesionist, ishte i pari që i sugjeroi për ta zhvilluar më tej duke studiuar në shkollat e aktrimit.

Ai shprehet: “Agron, duke parë që tashmë ju jeni rritur dhe pjekur artistikisht, jeni gati që të vazhdoni shkollën e aktrimit, pasi i keni të gjitha elementet që gëzon një aktor profesionist”. Përgjatë punës 10 vjeçare në skenë, lindi dhe u forcua më shumë shoqëria e tyre që e kanë edhe sot.

Të shumtë janë ata, që duan të ndajnë kujtimet e tyre që janë të mbartura me humorin e Agronit, por po sjellim vetëm një fragment prej tyre. Është ajo e poetit Luan Meta i cili shprehet: “Agroni ka punuar disa vjet nën tokë. Frontet ku nxirrej qymyri kanë qenë skenat e tij të para, ndërsa ata, me të cilët punonte, kanë qenë jo vetëm spektatorë, por dhe karakteret që do t’i shërbenin “në kohën tjetër”. Kështu, aftësia e tij imituese është përforcuar në shakatë e pafundme të atyre viteve.

“Një natë- tregon miku i tij, A. Mamaj, -Agroni dhe shokët e tij të punës po prisnin në autobus ardhjen e përgjegjësit të turnit. Ishte ftohtë dhe të gjithë të lodhur kishin padurim të iknin, ndërkohë që përgjegjësi po e kthente në zakon vonesën.

Agroni zbret nga autobusi dhe pas disa minutash rihipën, shkon në ndenjësen e fundit dhe pasi pastron zërin thotë: ”Astrit, nise nashi se erdha!” Shoferi, me të dëgjuar zërin e veçantë të “përgjegjësit”, ndezi makinën ndërsa punëtorët e përgjumur thanë me vete: “Shyqyr”.

Sherri plasi të nesërmen, kur përgjegjësi i bërtiste shoferit: Atë që bërë mbrëmë, mos e përsërit më, se do të fluturojë autobusi!” Shoferi i goditur nga serioziteti i shprehjes e pyeti:

-Përse e ke fjalën?

–Pse na le mbrëmë në sektor?

-Po vetë më the nise nashi…

Përgjegjësi e kuptoi se shoferi thoshte të vërtetën. -Këtë e kam nga Agroni. Ai është t’i nxjerrësh sytë!”

Talenti dhe interpretimet e tij të shquara të një niveli profesionist e rikthyen në kryeqytet, por kësaj here për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura (në atë kohë Instituti i Lartë i Arteve) “Aleksandër Moisiu”, dega aktrim të cilën e mbaroi në vitet 1987-1991.

Aktivizimet e tij kanë qenë intensive si i ftuar special në programet e “12 ne Hollivud”, “12 vallëzime pa një të shtunë”, dhe “12 javë rreth fatit”, etj. Në transmetimet e spektakleve televizive më të shikuara si ajo e “Telebingo ka qenë prezent prej viteve 1996-2002.

Një bashkëpunim i shkëlqyer i një harku kohor 1996-1998 me humoristin tjetër të njohur Koço Devole u gjendën si dy tregues e më pas përçues për të kapërcyer krizën që kishte mbërthyer skenën e humorit shqiptar. Njëkohësisht ka bashkëpunuar me sukses edhe me Agim Bajkon ku është e njohur telekomedia e famshme “Syri”.

Agron Llakaj bëri atë që ç’prangosi humorin shqiptar nga pengesat burokratike, duke i çliruar artistët bashkë me artin shqiptar. Duke u nisur nga strategjia se “Rrugët e artit janë të vetmet institucione që përcjellin më së miri mesazhet në popull”, Ai mori guxim të drejtpërdrejtë duke imituar e goditur tek pushtetarët, kujtesën e mentalitetit të vjetër dhe atij bashkëkohor.

Ai nuk e kurseu talentin e tij për ti dhuruar një frymëmarrje më të gjerë dhe një fillim të ri, artit shqiptar. Imitimet e tij origjinale për disa qeveritarë, bënë atë që përveç popullaritetit, të vetëduartrokiteshin dhe nga këta. Në vitin 1998 ka bashkërealizuar filmin “Titaniku” me TV Klan.

Ndërsa përgjatë periudhës kohore 2004-10 ka punuar si drejtor artistik i “Portokalli”-t dhe njëkohësisht edhe si prezantues, moderator dhe aktor. Gjithashtu, përgjatë periudhës kohore të sipërpërmendur ka bashkëpunuar edhe me Top-Chanel, për përgatitjen e sinopsit të një metrazhi të gjatë filmiko-humoristik me titull “Rroftë Shqipëria jo e lirë”.

Ndërsa përgjatë viteve 2010-12, ka qenë drejtuesi dhe prezantuesi i emisionit “Kush do të bëhet Milionier?”. Në kërkim për të sjellë diçka të re dhe bashkëkohore për spektatorin dhe telespektatorin shqiptar, në vitin 2012 paraqitet me “Shoëbiz”-in e tij të quajtur “Al Pazar”. Aktualisht, krijimtarinë dhe interpretimet e tij i vazhdon po tek ky spektakel.

Agroni nuk është vetëm një aktor i talentuar, por edhe një bashkëshort, prind dhe gjysh i mrekullueshëm. Qysh në moshën 17 vjeçare, heshtas, Agroni ja rrëmbeu zemrën Konstandinës, një bashkëmoshatare (nëntë muaj më e vogël) me të njëjtën vendlindje, Memaliaj. Të dy vazhdonin shkollën e mesme pa shkëputje nga puna, siç i thonin në atë kohë “Shkollë nate”.

Padyshim që Agroni si një djalë simpatik, me humor fin dhe i rregullt në shoqëri, ja prishi mendjen Konstandinës, por edhe ajo si një vajzë simpatike, ku në fytyrën e saj mbizotëronte vetëm qetësia që ja zgjonte vetëm çiltërsia e syve të saj të cilat ja kishte dhuruar vetëm Agronit, padyshim që ky i fundit do të kapej rob …(qesh).

Me qëndrimin dhe sjelljet e saj, që në ato vite të krijonte përshtypjen e një amvise fisnike. Si më i vogël në moshë, më kujtohej ajo kohë kur shikoja shpesh këtë çift simpatik në rrugë, kur Agroni e përcillte për në shtëpi.

Më binte në sy harmonia e këtyre dy memaliotëve ku të linte të kuptoje se dashurinë e tyre e kishte krijuar dhe e mbante diçka më e fortë, ajo e respektit dhe kuptoheshin si shokë.

Kjo më binte në sy, ashtu si edhe tek disa çifte të tjera, që edhe pse në atë kohë ishte i ndaluar besimi fetar, në disa njohje edhe ishin paragjykuar nga prindërit për besimet e ndryshme.

Kjo më jepte një liri të brendshme, kur shikoje të dashuruar deri në kurorëzim dy të rinj të besimeve të ndryshme, por edhe të pëlqyer nga familjet e tyre. Të dy krijuan një familje të mrekullueshme ku Zoti i bekoi me ardhjen në jetë të dy fëmijëve të tyre, Eno dhe Alkita.

Bashkëshortja e tij Konstandina duhet të jetë e vetmja që nuk bën humor në familje, por si e privilegjuar (si një spektatore), që ka fatin vetëm të qeshë. Ndërsa nga fëmijët e tij, asnjë nuk e ka trashëguar talentin e tij, por dhurata më e bukur është e Alkitës, pasi ajo ka hapur familje të re dhe është bërë nënë. ku vajza e saj gëzon emrin Adea.

Kjo u fundit tashmë natyrshëm e ka pagëzuar Agronin duke i dhuruar ndjesitë e një gjyshi. Padyshim që meritat për të arritur deri më sot ku është Agroni, ka edhe bashkëshortja e tij, pasi ka qenë një sakrificë e madhe prej saj si nënë e cila jo vetëm punonte, por edhe kujdesej për fëmijët, që bashkëshorti i saj të vazhdonte i qetë studimet në Akademinë e Arteve të Bukura.

Agroni përveç kohës së lirë që e kalonte me aktivitete të ndryshme siç ishte aktivizimi i tij me ekipin e futbollit, si instrumentist me bandën muzikore të qytetit dhe me atë të trupës së estradës, ai ishte edhe një frekuentues i rregullt i bibliotekës së qytetit, duke e bërë atë të njohur edhe si mik të librit, pa harruar këtu që dëgjonte shpesh edhe muzikë të huaj, si ishte ajo e hitpareidit.

Qysh në fëmijërinë e tij, ishte shumë i apasionuar mbas filmave humoristikë e sidomos ato që luheshin nga aktori me famë botërore Charlie Chaplin dhe nga aktrimi i tij i paimitueshëm në origjinalitet, të çon të mendosh se jo vetëm është frymëzuar, por ndoshta ky është bërë edhe zanafilla për të lindur dhe mbajtur ndezur edhe dëshirat e tij, se një ditë do të ngjitet edhe ai në skenë, do të korrë suksese të cilat do ta bënin edhe të famshëm, arritje të cilën plotësisht e gëzon edhe sot.

Aktrimi i tij është shumë i larmishëm dhe jo pa qëllim ai tashmë njihet edhe si një aktor me interpretime shumëdimensionale, pra universale. Atë e kam vënë re jo vetëm përgjatë rinisë së tij duke u rritur profesionalisht edhe në skenën e Memaliajt dhe e demonstroi atë edhe jashtë saj, por edhe mbas diplomimit të tij në Akademinë e Arteve të Bukura, e deri në ditët e sotme.

Tek aktrimi i tij, shikojmë një Agron që prezanton vetveten, Agronin, pra uniken. Është një komik i lindur me një shpirt aktrimi shumëdimensional, ku natyrshëm ka ndërtuar një personalitet të kompletuar i cili nuk është munduar asnjëherë të imitojë lojën e aktorëve të tjerë.

Ky ka qenë edhe çelsi i suksesit, të cilit i dhuroi atij një individualizëm të pazëvendësueshëm në skenat e artit në vend dhe atij botëror. ku të tjerët kanë jo vetëm fatin të frymëzohen, ta studiojnë, por edhe çfarë të binjakëzojnë.

Ashtu siç ndodh tek profili i ecurisë së çdo krijuesi, kompozitori apo artisti në zhanre të ndryshme edhe tek personaliteti artistik i aktorit komik Agron Llakaj, natyrshëm pikëtakohen, ritakohen apo rrjedhin paralelisht fragmente vlerash edhe me ato të aktrimit të disa aktorëve komikë të mirënjohur në botë siç janë:

Komiku anglez Norman Ëisdom (aktor, këngëtar, këngëshkrues) i mirënjohur me interpretimin e karakterit “Pitkin”, komiku tjetër anglez Roëan Atkinson (aktor, skenarist) i mirënjohur me karakterin e Mr. Bean, komiku francez Fernand Joseph Desire Contandin (aktor, këngëtar) i mirënjohur me emrin Fernandel, dhe komikun amerikan James Douyglas Muir “Jay” Leno (aktor, shkrimtar, producent, imitues zërash, prezantues) i cili është i njohur në vendet anglishtfolëse.

Pra, tek komiku shqiptar Agron Llakaj gjejmë një mozaik vlerash artistike që jo vetëm janë të lindura, por banojnë dhe shprehen natyrshëm në fizionominë e tij shpirtërore dhe atë artistike. Vërtet Agroni u lind në një qytet të vogël të një shteti (sot) të vogël, por talenti i tij e rendit atë në një ndër aktorët komik të kalibrit ndërkombëtar!

Udha drejt suksesit të Agronit, filloi duke mësuar të këndonte në kopshtin e fëmijëve, shkollë, punëtor ndërtimi dhe në minierë e deri sa u bë artist i mirënjohur, jo vetëm në vend, por edhe në disa shtete të gadishullit të Ballkanit. Nëse shqipja do të ishte gjuhë ndërkombëtare, padyshim që fama do të kapërcente edhe kufijtë e shumë popujve të tjerë.

Aktori komik Agron Llakaj edhe pse banon dhe punon në kryeqytetin e vendit, ai asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e tij, por përkundrazi e viziton shpesh duke dhënë jo vetëm shfaqje për t’i ngritur moralisht banorët e këtij qyteti ku mbretëron varfëria, por edhe duke u ndarë ndihma ekonomike siç janë pakot me ushqime. Për kontributin e tij në fushën e artit jo vetëm në qytet por edhe në vend, në vitin 2008 Këshilli Bashkiak i qytetit Memaliaj e nderon me titullin “Qytetar Nderi”.

Gjithashtu për në fushën e artit është edhe fituesi i çmimit “Njeriu i Vitit” për vitin 2009 që ndan gazeta “Tirana Observer”, çmim ky që votohet çdo vit nga qytetarët. Theksoj se në çdo anketë të përvitshme që zhvillon kjo gazetë, ka qenë në dhjetëshen më të votuar.

Ndërsa në muajin prill të vitit 2010, u nderua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar dhe nivel të lartë interpretativ në krijimin e shumë personazheve artistikë të realitetit shqiptar, të krijuara falë talentit dhe mjeshtërisë së spikatur të këtij autori.” Agron Llakaj nëpërmjet zotërimit më të lartë të shkallës imituese është në gjendje të binjakëzojë në zëra këdo, madje një numër të konsiderueshëm njerëzish.

Mungesën e imitimeve të tij e kanë ndjerë, po të imagjinojmë edhe skenat teatralo-antike ilire, si qendrat më me zë të kohës, ajo e Teatrit Bylis i shek të III- të p.e.s, shfaqjeve letraro-muzikore të shek të II-të p.e.s që zhvilloheshin në odeonin e Apollonisë, Butrintit, Sofratikë, Dyrrahu, Nikopoja, Sorogozhda, Orik, Foinika.

Sikur të jetonin brez pas brezi artistë të tillë, gjëja e parë që do t’ju kërkoja, do të ishin zërat e stërgjyshërve tanë, si të Homerit, Aristotelit, Aleksandrit të Madh, Pirros së Epirit, Gentit, Agronit, Konstandinit, Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës, Ismail Qemalit, etj. Prezenca e humorit “Llakaj” falë transmetimeve televizive ka qenë në ç’do trapezë gëzimesh, ditëlindjesh, festash, ndërrime vitesh, dasmash etj.

Humori tij duke ndërmarrë turne, ka mbërritur pranë shumë komuniteteve shqiptare që përbëjnë diasporën edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Tashmë artisti Agron Llakaj është një nga aktorët shqiptarë më të kompletuar.

Ai i përket një kalibri të lartë interpretuesi, ku plastika e jashtme e fytyrës dhe e lëvizjeve, sa alegorike e gazmore, zëri i përshtatshëm i ç’do situate, manipulimi i zërave me veshje të vështira, kostumografia e personazhit, e shoqëruar me një grim sa më funksional në vartësi të rolit, rëndësia e një improvizimi të natyrshëm, batutat me vend, intuita artistike si veti dhe shprehje e brendshme të vetë aktrimit të një skenari të goditur, vlerat artistike të cilat i përshtaten karakterit të aktorit që do të luajë në një skenar të caktuar, përbëjnë një talent të fuqishëm i lindur por dhe i pasuruar gjatë eksperiencës së tij në vite.

Ai është mjeshtri i lëvrimit të satirës, skeçit e cila është lloji më i shkurtër por dhe bazë e estradës, pantomimat, kupleti, monologët, grimcat humoristike, vodvili, paroditë, etj, e bëjnë të shpallur dhe të pazëvendësueshëm popullaritetin e universalit Agron Llakaj./Aktoret Shqiptare