Italianët kanë një fjalë të urtë që thotë se “fshatarët i kanë këpucët e mëdha, por mendjen e hollë”. Thelbi i kësaj urtësie popullore ka qënë edhe epiqendra e aksionit artistik të  filmit italian të realizuar në vitet 1940 të shekullit të kaluar dhe që është ndjekur me shumë kërshëri nga banorët e qytetit të Durrësit në atë periudhë.

Rolin kryesor në këtë film e ka luajtur Amadeo Nazzari, i njohur edhe per aktrimin mjeshtëror të tij në flmin “Le Notti di Cabiria”  – Netët e Kabiries –  me regjisorin e shquar Frederiko Felini. Në vitin 1957 ka fituar çmimin “Oscar” si film i huaj më i mirë.  Që aktori i shquar i kinematografisë italiane, Nazzari  ka qënë në Durrës që në vitin 1940, sigurisht përmes filmit “Scarpe Grosse”,  këtë na e tregon edhe një foto e rrallë që paraqet një grup ushtarësh italianë që kanë ndaluar përpara stendës ku reklamohej filmi, i cili në atë kohë shfaqej në Durrës në kinema “ Gloria”. Në fillim të viteve ‘40 në qytetin e Durrësit kishte gjithsej 4 kinema ku janë shfaqur filma të ndryshëm.

“Scarpe Grosse” – Këpuca e madhe – ishte një film nga Dino Falconi. U xhirua në stabilimentin SAFA-Palatino në Romë. Ky film i Dino Falconit ishte i frymëzuar nga një film hungarez,  “Bors Istvan” i prezantuar në festivalin e filmit të Venecias në vitin 1939  i bazuar mbi komedinë e Shandor Huniadit nga Francesko Savia, “Po dashuri nuk ka”.

Fabula e filmit ishte kjo: Një fermer me prejardhje nga fshati i prindërve natyralë ka trashëguar një tokë në terren të egër dhe të braktisur. Me një punë të rëndë, pa marrë parasysh trashëgiminë që i takonte vëllait të vdekur, e transformoi shkretëtirën në një fshat të pasur dhe të bukur. Martohet me vajzën e armikut të tij. /tesheshi.com/

Përgatiti: Mark Brunga