Nga Naun Kule

Ulur mes sekretarit të parë dhe kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit, udhëheqësi dukej i hareshëm. Ishte Enver Hoxha ai. Me sytë ngulur në podium, me buzëqeshjen babaxhane, aq dashamirëse sa ngopte me gëzim dhe lumturi gjithë popullin aty, i cili kishte fatin e madh ta kishte mes tij.

Dhe, për t’i rrëfyer komandantit sa lumturisht jetonin kooperativistët myzeqarë, pas gjithë punëve; mbledhjes me kuadrot, takime e  vizita, në fund ishte dhe koncerti artistik. Përcjellja e udhëheqësit domosdo, do bëhej me këngë dhe valle…Ndaj dhe përkujdesja e partisë në rreth për koncertin, kishte qenë aq e madhe. Vizita e udhëheqësit në kooperativë ishte historike, ishte nder i madh, por…

-Gjer më tani, gjithçka mirë. Ja, edhe koncerti dhe…!

Shoku Leko numëronte minutat. Ora i dukej muaj. Ta soste edhe koncertin, ta përcillte udhëheqësin kështu, të qeshur… Mirëpo tek ky djallo koncert e kishte një hall. E kishte një kleçkë ky që… Se, me këta të mëdhenjtë, kur merr të vesh vetulla, nxjerrë sytë… Ngul një gozhdë si punë e breshkës që të kryqëzon si Krishtin…Dy herë kishte debatuar me ata të komisionit miratonjës të koncertit. Në fund e bindën se s’kishte të keqe…

-Këndon Vaçe Zela! – tha konferencierja.

Aq i fortë iu duk ky zë sa lëvizi vetiu. Apo u hodh nga karrigia? Duartrokitjet e turmës që mbushte oborrin e shkollës dhe fushën e sportit, thirrjet Vaçe-Vaçe, e bënë t’i uturinte koka me mendjen degë më degë.

Herë shihte njerëzit përballë, herë me bisht të syrit fytyrën e udhëheqësit në krah e cila qeshej dhe i gëzohej këngëtares së re, një çupë e hajthme kjo, veshur me ngjyrat e fushës; me një trike gjysmë golf ngjyrë tulle. Nën jakat e bardha të bluzës një rreth rruazash ia zbukuronte gushën. Këndonte e qetë dhe e sigurt: me një lirshmëri skenike të admirueshme për moshën dhe vendin…

Por, shoku Leko, as dëgjonte këngë, as shihte këngëtare. Mendjen dhe frikën I kishte këtu; në krah. Vëngëronte sytë majtaz dhe , paçka brohorive të turmës, që duartrokiste nën ritmet e këngës, agjë s’i  hynte në sy.

Asgjë s’i dukej më e mirë dhe më e bukur se ajo…buzëqeshja miratuese e burrit në krah…Ky, ballaz podit dhe këngëtares, i rehatuar këmbë përmbi këmbë në kolltukët e sjellë enkas nga qyteti, përcillte ritmet e këngës duke i shoqëruar me lëvizjet poshtë-lartë të gishtave të dorës mbi gju, si të orkestronte që aty gjithë festën, turmën brohoritëse  dhe këngëtaren atje…!

-Eh, këngëtarja..?! Po sikur t’i shkrepej e të pyeste për..?!

Thirrjet Vaçe-Vaçe, dilnin mbi brohorimë. Shokut Leko, po i digjnin veshët, tek shihte vëngërthi burrin në krah për t’i hetuar ndonjë mendim. Gjakngrirë nga thirrjet në kor të emrit të këngëtares së re (sikur t’ia bënin për inat…!), rikujtoi çka kishin thënë ata të komisionit miratonjës dhe u ndje i penduar. Dy nga pjesëtarët aty, kundërshtuan rreptë. Po, po! Askush s’i dëgjoi…!

-Kënga para udhëheqësit të partisë është historike, shokë. Nuk mund të këndojë kushdo. Nderi që po ma bën partia dhe vet udhëheqësi me vizitën mes nesh, duhet t’ia shpërblejmë. Por, me njerëz të devotshëm, shokë, me njerëz të partisë. Se, kësisoj, rrëfejmë edhe fukarallëk, apo jo? Nuk paska Lushnja këngëtarë të tjerë, por ngul e shkul vetëm Vaçen?

Megjithatë, sekretari i kulturës me dy-tre të tjerë ia zbutën të keqen dhe e bindën, Për mirë a për keq…? Ndoshta për të keqen time…?

…Vaçja ishte kthyer nga shkolla e Tiranës se nuk kishte fituar, thoshnin. Ca e ca thoshnin se pinte duhan, se këndonte këngë të huaja…Madje se gjoja bënte edhe serenata me kitarë pas orarit të gjumit…E pastaj? Gocë e re, nxënëse shkolle… Sikur arsyetonte veten shoku Leko me mendjen tym…

…Duartrokitjet dhe brohorima shpërthyen sërish. Këngëtarja përkulej me dorën në zemër, ndërsa ky, burri në krah, u ngrit paksa dhe duartrokiste me fytyrën e mbuluar nga e qeshura. Sakaq ktheu djathtaz dhe diç këmbeu me kryetarin në krah. Shoku Leko u ftoh.Ç’po i thotë…? Ç’i mollois ky..?!

Njerëzit thërrisnin gjithnjë e më fortë:-Bis…bis…bis! Kitarën…kitarën!

-Çfarë thonë mo Leko, ç’duan?

-Kitarën, shoku Enver..! I thonë të marrë kitarën..! Vaçja këndon edhe me kitarë…!

-Po ta marrë mo Leko! Pse të mos e marrë qitharën? Ta marrë dhe…

-Po, po..! Do ta marrë shoku…Do ta marrë, doemos, ja…!

Por tani shoku Leko e humbi krejt. As ishte aty, as e mbante më vendi..!

***

E dinte ai. Vaçja me kitarë, dyfishohej. Harronte kush e dëgjonte dhe kë kishte përballë. Mirëpo, shqelmat e burrit këtu, s’i njeh Vaçja..! Këto i ha unë! Apo s’e di Vaçja ku të përplas shqelmi i këtij…?!

Prap vëngëroi sytë në krah. Udhëheqësi po duartrokiste Gishtrinjtë e tij uleshin e ngriheshin mbi këmbën përmbi gju, tek shoqëronin ritmin e këngës dhe zërin e bukur të Vaçes. Apo tik-takun e zemrës së shokut Leko…?-Nga e keni këtë çupë mo shoku Leko, të vendit…?

-Po komandant, nga Lushnja…!

Sekretari nuk e njohu zërin e vet. I frikej pyetjes që do vinte…

Por çuditërisht pa se miku nuk e fshehu kënaqësinë.

-E shikon mo shoku Leko, çka bërë partia tonë?! Ja, këndojnë e kërcejnë çupat tona, me qitarë e çifteli…me shokë dhe shoqe, me djem dhe burra ! Po nesër? Më shumë e më mirë…Se më thuaj shoku Leko, ka kënduar ndonjëherë kështu, në mes të fshatit gruaja apo vajza myzeqare? Kurrë shoku Leko! Asnjëherë..! Vetëm beu dhe agai gëzonte dhe këndonte këtyre anëve…

-Po…tani shoku Enver…! i erdhi zëri shokut Leko.

-Ndaj lipset ta ndihim rininë shoku Leko! Ta udhëheqim dhe edukojmë…!Të shkollohet dhe kalitet rinia tonë. Se,ja; këtej do dalin artistët e këngëtarët..!

Në pod, përsëri Vaçja. Prapë me kitarë. Përsëri buçimë thirrjesh dhe duartrokitje. Udhëheqësi e la bisedën në mes. U përkul andej dhe sërish zuri të përcillte ulje-ngritjet e melodisë me këmbën mbi këmbë…Pushteti i artit e kishte bërë të vetën. Shoku leko mori zemër.

-Në shkollë e kemi shoku…në Tiranë!

-Shumë mirë shoku Leko! Talentet të mbështeten, t’i mbajë afër partia.

Ata janë ndihmësit tanë…!

Kaq u desh që sekretari të ngrohet, t’i shkrijë gjaku.Tani ishte i tëri…!

Vet arti dhe këngëtarja e re, Vaçe Zela, e nxorën nga ngërçi që e mbante ftohtë dhe gjakngrirë. Magjia e artit, meloditë dhe mesazhi që përcillte artistja e re nga ajo skenë e improvizuar e këtij fshati myzeqar, ia hiqte “spaletat” çdo komandanti e udhëheqësi dhe ngrinte në piedestalin e muzës pikërisht të pavdekshmit; artin dhe artistin për të cilët, e gjithë njerëzia aty, brohorisnin në kor këngën e kësaj gocës së re, veshur e zbukuruar me ngjyrat e fushës, me emrin e bukur:

Vaçe-Vaçe-Vaçe…!

Burimi: www.gazetadita.al