Vasil Ruci është një nga legjendat e gjalla të ekipit të Flamurtarit të viteve ’80, që bëri epokë në Kupat e Europës, jo vetëm duke kaluar disa ture, por duke u ballafaquar në piedestalin e ekipeve shqiptare me gjigandët e futbollit evropian. I vetmi ekip shqiptar që arriti rezultate historike me Barcelonën duke e mundur njëherë dhe barazuar dy herë, por edhe duke eleminuar Partizanin e Beogradit, një nga ekipët më të famshëm të ish-Jugosllavisë. Në një rrëfim për portalin “Na ishte dikur”, Ruci tregon fillimisht barazimin me Barcelonën në Kupën UEFA, me rezultatin 1-1 ku ai shënoi një supergol të tijin ndaj portierit të famshëm Zubizareta.

“Si e bëre golin me Barcelonën? Sot po e përmbledh me dy radhë: Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk shohin portën. Zubizareta me gjithë lëvizjet, ishte një portier i mahnitshëm. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën. Ky ishte një gol që nuk u ngjante të tjerëve, ndërsa në portë ishte një portier, që gjithashtu, nuk u ngjante të tjerëve. Me aftësitë dhe lartësinë ai përbënte një portier të madh, i cilësuar si më i miri në Evropë. Barcelona vërtet u befasua, por e ka mbledhur veten. Na ndëshkuan me një gol.”

Ekipi i Flamurtarit mahniti çdokënd me lojën e tij. Por koha e shkëlqimit përkoi me vitet ’80 të futbollit shqiptar, që përkon me kohën e artë të disa ekipeve ku ishte e vështirë të dilje kampion. Por edhe me një kohë të errët ku biografia e lojtarëve shikohej me lupë. Kështu e pësoi edhe Vasil Ruci dhe shokët e tij më biografi të keqe pas ndeshjes me Partizanin e Beogradin. “Si vajtja dhe kthimi u përshkuan me avion dhe autobuzë. Në Han të Hotit kemi ndjerë për herë të parë raprezaljen e shtetit. Deri atëherë ajo ishte drejtuar tërthorazi, por aty gjetëm “fytyrën” e atij shteti. Sapo mbërritëm në kufi, doganierët ishin të ngrysur dhe na thanë se me një urdhër nga lart do të kontrollohej autobuzi.

Ferko do të thërriste: përgatituni për zhveshje, gati i kanë hekurat këta. Na zbritën, na kontrolluan duke na zhveshur. Çmontuan edhe sedilet për ti kontrolluar. Tahos, Ziajt, Cipit, mua, na morën nga një Tv që na i kishin dhuruar kosovarët. Ata kishin ardhur atë ditë nga viset e Kosovës. Populli shkodran na priti me lule. Bllokoi autobuzin dhe bëri festë sikur të ishim ekipi i tyre.” Vasil Ruci tregon se pas suksesit në Evropë në vend që futbollistët vlonjatë të vlerësoheshin edhe nga “udhëheqja” ata u goditën duke qenë viktima të suksesit të tyre

”Disa anëtarë të KQ, që në atë kohë ishin tifoz me Tiranën, menduan të godisnin “Flamurtarin” duke parë shkëlqimin e tij në Kupat e Evropës. Zemërimi i tyre u shfaq ngadalë. Gjetën rastin kur u kthyem nga Polonia. Gjysma e skuadrës u përjashtua, Çipi, Taho, Ruci, etj. Atëherë një gazetar shkroi në “ZP”, përse nuk thirret V. Ruci në kombëtare? Disa pseudosportistë duke parë “ZP” gjetën sebepin. Kërkuan 3200-shin, një test, që asnjëherë nuk e kisha fituar. Kështu me zemër copë e braktisa sportin. Në 10 vjet të karierës sime jam golshënuesi më i mirë shqiptar në Kupat e Evropës. Në 12 ndeshje 6 gola.”, thotë Vasil Ruci.

Por Flamurtari ka një histori të veçantë përsa i përket “lamtumirës” që i dha regjimi diktatorial. Ekipi vlonjat ishte i pari që përshëndeti studentët e grevës së urisë në qytetin Studenti. ”Nga të gjitha skuadrat, “Flamurtari” ishte i pari që i la lamtumirën atij regjimi. Telegrami parë i drejtuar studentëve të urisë: Deri në fund do t’ju ndjekim. Një fakt që pak veta e dinë, ekipi i Flamurtarit, mblodhi firmat në përkrahje të PD. Ndërsa në 22 mars vendosi thirrje që vota ti jepej PD”, tregon Vasil Ruci. / Na ishte dikur