Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes.

Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet!

Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj.

Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve.

Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin.

Ndoshta…” /Naishtedikur.info