Ekskluzive / Zbulohet dokumenti i vitit 1987 i Ministrit të Financave, Andrea Nako, dërguar Pirro Kondit, për “veprimet e paligjëshme” të disa futbollistëve të ekipeve shqiptare që ktheheshin nga aktivitetet ndërkombëtare

Nga Dashnor Kaloçi

“Raporti i ministrit: “Futbollistët e “Flamurtarit” të Vlorës, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci nuk pranonin të firmosnin dokumentin e mallrave që kishin sjellë, duke arritur të përdorin shprehje të tila; ‘po na trajtoni si jugosllavë”.

Ashtu siç dihet tashmë, ekipi “Partizani” i Beogradit që luajti javën e kaluar në “Elbasan Arena” me “Skënderbeu”-n e Korçës, ka ardhur në Shqipëri edhe plot 30 vjet të shkuara, në tetorin e vitit 1987, për t’u ndeshur me “Flamurtari”-in e Vlorës, një nga ekipet më në zë të futbollit shqiptar të atyre viteve. Që pa e tepruar aspak, mund të themi se bëri epokë me ato ndeshje të zhvilluara në kuadrin e kupave të Europës, duke bërë një paraqitje mjaft dinjitoze edhe me ekipe të tilla si; “Barcelona”, “Partizani” i Beogradit, “Vismut Aue” Gjermanisë Lindore, “Lech” i Poznanit (Poloni), “Olimpiakos” i Pireut, Greqi etj. Tashmë këto ndeshje, apo dhe ato të ekipeve të tjera që morrën pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, si: “Partizani”, “17 Nëntori”, “Vllaznia”, etj, janë mjaft të njohura prej sportëdashësve shqiptarë të atyre viteve që mbushnin plot e përplot stadiumet të cilët i kujtojnë me mjaft nostalgji futbollisët e këtyre ekipeve që të dilnin të fituar dhe me dinjitet nga fushat edhe me ekipet e njohura të Evropës. Por ndërsa triumfonin në këto ndeshje, futbollistët shqiptarë dolën të zhgënjyer dhe të humbur në një tjetër “ndeshje”, atë me doganat tona. Të cilat i lanë ata me me xhepat bosh, duke ua sekuestruar e konfiskuar ato pak sende e plaçka që ata kishin mundur të blinin në ato shtete ku shkonin për ndeshjet e radhës.

Ky ishte “shpërblimi” që u ofronte shteti shqiptar për ato ndeshje të shkëlqyera që zhvilluan “Ruci, Kushta, Çipi, Ferko, etj, të cilat kanë mbetur ende të freskëta në memorien tonë, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që botohet për herë të parë eksluzivisht për gazetën Tema. Ku ministri i Financave të asaj kohe, Andrea Nako, me anë të një raporti, informon sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Pirro Kondi, lidhur me “sjelljen e pahijëshme të disa futbollistëve të ekipeve të futbollit, “Partizani”, “Flamurtari” i Vlorës dhe ”Vllaznia” e Shkodrës”. Sipas dokumentit në fjalë, disa futbollistë të ekipit “Flamurtari” i Vlorës, si Petro Ruci, Vasil Ruci, Alfred Ferko, Viktor Daullja, Kreshnik Çipi etj, kishin sjellë nga jashtë (bëhet fjalë pas ndeshjes në Beograd me ekipin “Partizani”), disa radio-magnetofona dhe televizore, të cilat ua ndaluan nga dogana, pasi ato “ishin sjellë në rrugë të paligjëshme, sepse, dita e tyre ishte vetem 12 dollarë”. Dhe nisur nga ky fakt, magnetofonët dhe televizorët që këta futbollistë kishin blerë me mund e sakrifica duke kursyer edhe nga dietat e tyre minimale, ju sekuestruan dhe ju kaluan në favor të shtetit, pa u dhënë asnjë shpërblim poseduesve të tyre. Madje jo vetëm kaq, por ata duhet të jepnin llogari në mbledhje të veçanta që do të mbaheshin në klubet e tyre përkatëse “për ato sjellje të pahijshme”…?!

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

MINISRIA E FINANCAVE

DREJTORIA E DOGANEVE

Nr. 1193 .10.1987

LENDA: Mbi sendet e sjella në rrugë të kundraligjëshme nga ekipet e futbollit “Partizani”, “Vllaznia” dhe “Flamurtari”.

SEKRETARIT TE PARE TE KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT

(SHOKUT PIRRO KONDI)

TIRANE

Ekipeve të futbollit, “Partizani”. “Flamurtari” dhe Vllaznia”, me porosi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, dogana ju ka mbajtur sende elektronike, duke ja kaluar shtetit pa shpërblim, mbasi janë siguruar prej tyre në rrugë të kundraligjëshme, sepse me dietat që kanë nuk mund të bliheshin.

Flagrante dhe të dënueshme janë sjelljet të 6 futbollistëve të ekipit “Flamurtari” i Vlorës, kur dietat ishi 12 dollarë klering, ose afërsisht 8000 dinarë jugosllavë për person, Leonidha Çurri, Viktor Daullja dhe Petro Ruci, sollën nga një radiomagnetofon, kurse Sokol Kusta, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci, sollën nga një televizor.

Ekipet e futbollit të “Flamurtari” i Vlorës dhe “Vllaznisë” së Shkodrës, mbajtën qëndrim të pahijshëm me punonjësit e doganës Shkodër dhe Gjirokastër, fillimisht ata nuk pranuan që të kalonin në kontrollin doganor.

Futbollistët e “Flamurtarit” të Vlorës, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci nuk pranonin të firmosnin dokumentin e mallrave që kishin sjellë, duke arritur të përdorin shprehje të tila; “po na trajtoni si jugosllavë”,” neve nuk largohemi nga dogana pa marrë radio-magnetofonët dhe televizorët”, veprime të tilla shfaqi dhe futbollisti Alfred Feko.

Ne mendojmë se këto shfaqje të huaja që janë manifetstuar nga futbollistët gjatë kontrollit doganor, si dhe veprimet e kundraligjëshme të kryera prej tyre për sjelljen e sendeve elektronike, duhen analizuar me kolektivat e sportistëve, për të nxjerrë përgjegjësitë dhe për të marrë masa që këto shfaqje dhe veprime të kundraligjëshme të mos përsëriten.

M I N I S T R I

(ANDREA NAKO)/http://www.gazetatema.net/