Gaqo Lena
Gaqo Lena

Gaqo Lena, mjeshtër i gërnetës dhe këngës polifonike qytetare të Shqipërisë së jugut

Mjeshtrat nuk vdesin e nuk harrohen kurrë, kështu është edhe i madhi Gaqo Lena, ustai i Leskovikut.  Ai ka pasur një rol thelbësor dhe shumë të rëndësishëm në formimin e kulturës me saze bashkëkohore në vendin tonë dhe këtë e ka bërë në një kohë relativisht të vështirë për në, në mesin e shekullit të XX, atëherë kur vendi kishte kaluar nga një pushtues tek një tjetër e nga një vrasës tek një tjetër. Gaqo Lena ka lindur në Leskovik në vitin 1926 dhe ka qenë  drejtues i sazeve që mbajnë emrin e tij. Gaqo Lena shumë shpejt ra në sy si një talent i jashtëzakonshëm. Sazet e Lenës janë formacioni, që jo vetëm lidh kulturat muzikore të qyteteve të Leskovikut me të Përmetit, por dhe që paralajmëroi formimin e sazeve më të reja në qytetin e Përmetit.

Shkurtimisht, Gaqo Lena në vitet 1940 punon në Përmet dhe po aty mëson gërnetën pranë Usta Vangjel Leskovikut, një tjetër mjeshtër i madh i sazeve jugore.

Megjithëse i ri, futet në sazet e Usta Vangjelit si këngëtar me një repertor këngësh nga më të shquarat si “Hapi syt e zez të na sjellsh beharë”, “Moj kunadhja leshverdhë”, “Këngën e Mahmudisë”, “Vajza e valëve”, “Çupë e Veli Beut me nishan në ballë”, etj.

Pas kësaj, në vazhdën e traditës së krijuar nga Vangjel Leskoviku, ngre sazet e tij të përbëra nga Nesimi, Asllan Tarja, Haliti.

Në Korçë punon edhe me Usta Cilon, si dhe me Demkën e “Demka & Hajro”. Në maj të 1945 vjen në Tiranë dhe punon së bashku me Qemal Baton me violinë dhe të shquarin Naxhi Berati.

Më 1946 rikthehet përsëri në Përmet e Leskovik. Në Leskovik, krahas tij përmenden edhe sazet e Vasil Podës me gërnetë, Llazo Podës me qemane dhe Vangjel Podës me llautë. Sazet e Gaqo Lenës në këtë kohë përbëheshin nga Mitro Apostoli, Kolo Nakja, Fishka dhe Vangjel Janushi. Ata bënë muzikë në Buhal, Kosinë, Këlcyrë, Dangëlli, Lupckë, Frashër, Tremisht, Këlcyrë, Kosovë, Badëlonjë, Bënjë, Lëshicë e deri në Rëzë e Çarshovë.

Punon gjithashtu si sazexhi në Leskovik, Kolonjë, Korçë e më tej. Deri në formimin e sazeve të usta Laver Bariut në vitet 1950, sazet e usta Gaqo Lenës ishin sazet qendrore të qytetit.

Pas viteve ‘50 ushtron veprimtarinë në Leskovik e Kolonjë së bashku me usta Vangjel Leskovikun duke marrë pjesë gjithashtu në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme kombëtare dhe duke regjistruar me dhjetëra këngë në Radio Tirana.

Më 1961 shpërngulet në Tiranë ku dhe vazhdon aktivitetin e tij pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por dhe merr pjesë në gëzime të ndryshme familjare.

E kam të paharruar portretin e tij si dhe gjithë gëzimin që i buronte nga shpirti dhe sytë e tij në takimet tona të viteve 1997-1998 në kohën kur unë përgatisja monografinë “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së jugut”, për botimin e të cilës në vitin 1998, kam pasur ndihmën e madhe të xha Gaqos por dhe të shumë “gjeneralëve” të tjerë të gërnetës dhe të muzikës popullore jugore.

Tani që ai iku, padyshim që ne ngelemi më të varfër, ndërkohë që emri i tij shkon që të renditet mes të mëdhenjve Selim dhe Vangjel Leskoviku, Mehdi Përmeti, Laver Bariu dhe Çoban Lela. I përjetshëm kujtimi i këtij artisti të madh.

Bazuar në arkivin e Polifonisë Shqiptare/Konica.al/Anisa Demiraj