Për një kohë të gjatë ai është marrë me problemet e propagandës. Thotë se gjatë gjithë jetës së tij është pjesëmarrës në të gjitha seminaret që organizoheshin në sektorin politik. Gjithashtu ka qenë delegat në tre kongrese Rinie dhe një Partie. “Gjatë gjithë jetës time në ushtri, nga viti 1966 deri 1992, kur dola në reformë, njoha si moto, që, edhe kur Enver Hoxha fliste për rendimentin e grurit ajo përkthehej në ushtri me termin: rendimenti i stërvitjes në gatishmëri. E kështu fillonin rrufeshëm analizat tona për t’u zbërthyer deri në detaje” – sqaron Lefter Hitaj, sot një major në pension. Ai shton se ka patur disa detyra në sektorin politik, si sekretar i Komitetit të Rinisë, shef propagande, instruktor e zëvendës-komisar regjimenti. Ndërsa ka patur rastin të punojë me gjeneralët Rrahman Përllaku e Halim Ramohitaj, të cilët i konsideron si figurat më të shquara të ushtrisë shqiptare.

Cila ka qenë fushata më e ngarkuar propagandistike?

Një nga fushatat më të ngarkuara ka qenë ajo e luftës kundër thashethemeve. Ishte pikërisht koha kur Enver Hoxha mbajti një fjalim për “luftën kundër thashethemeve”, pasi sekretari i Parë i Rinisë së Tepelenës vrau veten dhe të fejuarën e tij, pasi dolën disa fjalë. Në atë periudhë u bënë analiza të zgjeruara në të gjithë sektorët, por sidomos në parti. Intensifikim të propagandës partiake kishte dhe pas eliminimit të “grupit armiqësor” të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës. Kam qenë në plenumet e rinisë atëherë kur ka folur Mehmet Shehu, duke i quajtur djemtë që mbanin flokët e gjata “qafëleshë”. Ishte një entuziazëm i paparë. Fliste udhëheqja e lartë e partisë për “prerje flokësh”. Arritëm derisa u prisnim rinisë pantallonat e gjëra, bluxhinset dhe vajzave maksifundet e minifundet. Pastaj dolën fletërrufetë, që u importuan nga Kina”. Megjithatë, propaganda në kohën e Partisë së Punës, e mirë apo keqe, e ngrinte lart moralin e njerëzve.

Keni marrë pjesë në disa kongrese rinie. Një detaj që u ka bërë përshtypje më shumë?

Kam marrë pjesë në tre kongrese të Rinisë. Kongresi i 5-të u bë në Tiranë, i 6-i, në Durrës, ndërsa i 7-i, në Elbasan, në një nga sallat e Kombinatit Metalurgjik. Ishte viti 1977. Isha diku në rreshtin e 15 në sallë. Dy rreshta përpara meje ishte një djalë bukurosh me një vajzë të re. Vajza kishte hedhur këmba mbi këmbë dhe ishte zbuluar deri lart. Një nga delegatet e Pukës, e irrituar nga një sjellje e tillë, i bën shenjë duke i thënë “ule këmbën”. Vëmendja tërhiqet, dhe djali që ishte pranë vajzës e këshillon ta ulë këmbën. Në atë çast e njoha dhe i them delegates nga Puka: “Është Marjeta, nusja e djalit të Mehmet Shehut”. “Aq më keq” , u irritua dhe më tepër delegatja nga Puka. Ky është një detaj që më ka mbetur në mendje. Por ishte paralajmëruar që në Kongresin e 7-të të Rinisë, Enver Hoxha nuk do të merrte pjesë. “Në seancën e fundit, kur do të zgjidhej Byroja e Rinisë, në sallë hyn Enver Hoxha. Për gati një orë rresht të rinjtë brohorisnin dhe duartrokisnin me sa fuqi që kishin. Aty Enver Hoxha mbajti një fjalim ku foli dhe për “skorjet”. Menjëherë pas këtij fjalimi filloi propaganda jonë, ku u përdorën sloganet: “të heqim ndryshkun në ndërgjegje”, “të heqim skorjet, jo vetëm nga teknika, por dhe nga mendimet”, apo “të heqim skorjet nga shoqëria jonë socialiste”.

Ndërkaq ushtria kishte të tjera rregulla…

Për ta konkretizuar po ju tregoj një ngjarje të vitit 1970. Teksa përgatisja raportin për një konferencë rinie, centralisti i regjimentit më thotë shkurt në telefon: “Foli Lalmit”, që ishte bateri kundërajrori e regjimentit. U prezantova me emër dhe me postin që kisha. “Shumë keq shoku sekretar i Rinisë së Regjimentit, që nuk ke edukuar të rinjtë revolucionarë të kritikojnë komandantët e tyre”. Kur e pyeta se kush ishte, më tha: “Jam shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume”. Në atë kohë, edhe pse i vetëm në zyrë, u ngrita në këmbë në shenjë nderimi dhe nga autoriteti i tij. Atë të diel, Petrit Dume kishte bërë një fluturim me helikopter për të parë bateritë kundërajrore të Tiranës. Në baterinë e Lalmit, e cila ishte bateri strategjike për kryeqytetin, kishte disa probleme dhe mungonin në vendet e tyre dy topa në pozicionet e zjarrit, pasi kishin qenë në qitje. Petrit Dume alarmohet dhe zbret nga helikopteri në baterinë e Lalmit. Kur pa që reparti kishte dhe mungesa të tjera në pjesën e prapavijës, kërkoi të lidhej me komandantin e regjimentit, Jani Saliaj. Pas kësaj, Petrit Dume kërkoi një mbledhje urgjente, me të gjithë komandantët e regjimenteve kundërajrore të Tiranës si dhe komandantin e mbrojtjes kundërajrore, Bejto Isufin. U bë një analiza e gjerë, madje u morën dhe shumë masa.

Keni patur raporte me ministrat e Mbrojtjes?

Në vitin 1971 kam patur rastin të takoj ish-ministrin e Mbrojtjes, Beqir Ballkun. Isha komisar baterie në grupin e raketave të Patosit. Na u dha sinjali nga qendra, që me helikopter do të vinte Beqir Balluku dhe do të bënte një vizitë në grupin e raketave. Komanda më dha porosi që të shkoja me një makinë dhe të merrja një gic në fermën e Patosit. Pasi kasapi e theri dhe e rropi, e poqëm në furrën e bukës shtetërore. U mblodhën të gjithë ushtarakët në një drekë shembullore, kundrejt shpenzimeve të gjithsecilit. Në krah të djathë të Beqirit ishte komisari i Korpusit të Fierit, Xhemal Shehu, ndërsa në anë të majtë, komandanti Nikollaq Sallabanda. Gicin pata rastin t’ia vija unë përpara. Ministri, me humor ngrinte gishtin përpjetë dhe u thoshte drejtuesve të Korpusit: “Doni dhe ju?”. Pastaj e ndau dhe u dha edhe të tjerëve. Beqiri ishte një burrë babaxhan e masovik, i cili na përqafoi të gjithëve ushtarë e oficerë. Vizitoi teknikën, që kishte vetëm dy vjet që kishte ardhur nga Kina. Na premtoi krijimin e kushteve më të mira për repartin, të cilat u plotësuan. Po atë ditë ai i dhuroi një televizor repartit, gjë që ishte një mjet i rrallë për atë kohë.

Replika me Hito Çakon

“Kam patur rast të replikoj edhe me Hito Çakon. Ai më ngriti në këmbë në një sallë me 400 ushtarakë, që të gjithë kuadro politike kryesore në ushtri. Më kërkoi llogari për një oficer të regjimentit tonë, i cili ishte ndarë nga e fejuara, por ajo ishte ankuar duke shkruar një letër në Komitet Qendror. Hito Çako më la porosi që t’i thosha oficerit, të kthehej sërish te ajo, se përndryshe do ta çonte me kazmë në kooperativën e Koprënckës” – rrëfen Lefter Hitaj.

Përballja me Simon Stefanin

Por njeriu i Partisë, ka patur një histori edhe me një nga sekretarët e Komitetit Qendror. Për të cilën tregon: “Në atë kohë Simon Stefani zëvendësoi me detyra partie Hysni Kapon, pas vdekjes. Në Durrës ishim mbledhur sekretarët e komiteteve të partisë të divizioneve, komisarët e brigadave dhe kuadrot e tjera që drejtonin politikën në ushtri. Aty bëra një diskutim, ku ngrita disa kritika. I thash Simon Stefanit: “Ne ngremë probleme, por ato sakatohen gjatë rrugës deri sa shkojnë në Komitet Qendror. Të gjendet se faji i kujt është, sepse problemet e ushtrisë nuk po zgjidhen. Kjo vërejtje vlen dhe për ju, shoku Simon”. Shumë kuadro kthyen kokën për guximin që tregova. Megjithatë kur mbaroi seminari dhe u bë një fotografi, Simon Stefani kërkoi të më kishte në krah”.

Kritika për Prokop Murrën

“Në vitin 1990, përpara se të fillonte fryma pluraliste, kam patur dhe një debat me shokët e Komitetit Qendror që erdhën në regjimentin e raketave. Sipas udhëzimit të Ramiz Alizë, duhet të flisnim hapur për problemet tona. Madje dhe mbledhjet e organizatës-bazë bëheshin të hapura. Në sallën me kuadrot kryesorë të regjimentit, unë u ngrita dhe thashë: “Kam dy probleme. I parë është se më vdiq babai në fshat pa pirë një gotë qumësht. Së dyti, akoma do të na drejtojnë pleqtë? Kopi po shkon 75 vjeç”. Lefter Hitaj thotë se i dërguari i Komitetit Qendror mbeti i shtangur, kur dëgjoi emrin e shkurtuar të ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra dhe i ka tërhequr vëmendjen.

Mehmet Shehut shpërthen kundër Beqir Ballukut

Lefter Hitaj thotë se ka disa kujtime me Mehmet Shehun. Kontaktin e parë me kryeministrin e sapoemëruar në detyrën e lartë e ka patur, kur ishte 11 vjeç. “Në atë kohë daja im, Gilo Lame, ishte shefi i truprojave të kryeministrit. Gjatë një takimi të rastësishëm në Vlorë, Mehmet Shehu zbriti nga makina në mes të rrugës, erdhi e na takoi së bashku me nënën time, ndërsa mua më puthi” – tregon Hitaj. Por kontakti i dytë ka qenë krejt ndryshe. “Isha oficer në Patos, kur Beqir Ballukun e sollën në internim, në Roskovec të Fierit. Atëherë, Mehmet Shehu erdhi për të drejtuar një stërvitje me raketat, por dhe me pjesën tjetër të reparteve. U bë një stërvitje që, në gjuhën ushtarake, quhet me “kate”. Nga sasia e predhave që u përdorën atë natë, u ndriçua i gjithë rrethi i Fierit. Atëherë Mehmet Shehu tha: “Ta marrë vesh Beqir Balluku se si bëhen stërvitjet”. Ndërkohë Beqiri ndodhej jo më shumë se 3 kilometra larg në vijë ajrore, i izoluar. Kontaktin e tretë me kryeministrin e ashpër e ka patur në vitin 1976. “Isha ende në Shkollën e Lartë të Partisë, ku drejtoreshë kishim Fiqret Shehun. Vjen Mehmet Shehu. Me vonesë erdhi dhe Nexhmije Hoxha, e cila qëndroi në sallë dhe nuk hipi në tribunë, ku i ishte rezervuar vendi. Kryeministri kishte ardhur në shkollë për të na shpërndarë diplomat. Ai mbajti një fjalim të zjarrtë. Në një çast tha: “Partia jonë heroike, ka zbuluar dhe asgjësuar 12 grupe armiqësore, duke filluar që nga Anastas Lulo e Sadik Premtja e deri tek armiqtë e fundit të partisë e të popullit, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Përllaku, për të cilët vendimet e gjyqit të popullit i dënuan: Beqir Ballukun 4 herë me pushkatim, Petrit Dumen 3 herë me pushkatim, Hito Çakon 2 herë me pushkatim, Rrahman Përllakun me 25 vjet burg, dhe këto vendime u ekzekutuan”. Lefter Hitaj thotë se në këtë moment një histeri e zjarrtë përshkoi të gjithë kuadrot që ndodheshin në sallën e madhe të Shkollës së Partisë. “Mund të them se ajo sallë shpërtheu nga brohoritjet” – shton Lefter Hitaj.

Vullnetari i parë i rrethit të Vlorës

Lefter Hitaj, i datëlindjes 1946, u lind në Vajzë të Vlorës. Shkollën e mesme e mbaroi në Tiranë, në degën Teknologji. Në vitin 1966, kur punonte në një ndërmarrje civile në qytetin e Vlorës, do të ishte i pari që do t’i përgjigjej thirrjes së Partisë për të shkuar vullnetar në fshat. “Në një miting në Sheshin e Flamurit, ku ishte mbledhur e gjithë Vlora, unë mora fjalën i pari dhe shpreha dëshirën për të shkuar vullnetarisht në fshatin nga kisha ardhur. Kjo gjë bëri bujë të madhe. Për mua shkruajtën gazetat e kohës, “Bashkimi” e “Zëri i rinisë”. Meqenëse isha shembull për të tjerët, më nisën për në fshat me makina shoqëruese e orkestër. Edhe kur mbërrita në Vajzë, më bënë një pritje madhështore”. Pas një viti ai shkon komisar hekurudhe në sektorin e Gradishtës së Lushnjes. Në Kongresin e 5-të të Rinisë, zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të Rinisë. Lefter Hitaj të thotë se fushatat e zgjedhjeve të rinisë bëheshin shumë serioze, me shumë organizim, njëlloj si një fushatë zgjedhjesh në Parti. Madje si shembull sjell rastin kur së bashku me Muntaz Dhramin u caktuan si të deleguar për ndjekjen e fushatës së zgjedhjeve të rinisë në rrethin e Fierit. “Në atë kohë, sekretari i parë e rinisë së Fierit ka qenë Idajet Beqiri. Luftar Paja kishte vajtur vullnetar në kooperativën e zmadhuar të Cakranit, ku ishte zgjedhur dhe sekretar i Komitetit të Rinisë së Kooperativës. Kemi kaluar rreth 15 ditë në të gjithë fshatrat e Mallakastrës duke bërë punë partie. Natyrisht që mbajmë kujtime nga më të bukurat e asaj kohe” – kujton Hitaj.