Nga Viktori Gjikondi

Themelimi. Procesi mësimor

Kongresi i Lushnjës, më 1920, ndër të tjera, mori edhe vendimin që shkolla në Shqipëri të ishte laike dhe shtetërore. Më 1933, Parlamenti i atëhershëm e ligjëroi këtë vendim. Në bazë të tij u mbyllën shkollat joshtetërore, siç ishin Instituti Kyrias në Kamëz, Shkolla Normale në Tiranë, Shkolla e Motrave Stigmatine në Shkodër, Shkolla Normale e Vashave në Korçë, Shkolla Amerikane e Vajzave, në Kavajë, dhe u themelua shkolla e mesme shtetërore, të cilës iu dha emri Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”. Nxënësit e shkollave të mbyllura dhe një pjesë e mësimdhënësve u grumbulluan në këtë shkollë. Profili kryesor i punës në këtë Institut ishte dega normale, ku përgatiteshin mësueset e ardhshme për shkollat fillore. Përveç kësaj funksiononin edhe degët e quajtura reale dhe klasike. Nxënëset që mbaronin këto dy degë mund të ndiqnin universitetet jashtë shtetit. Në degën klasike zhvilloheshin edhe lëndë shtesë, si latinishtja, greqishtja e vjetër dhe pianoja. Mësimin e pianos e jepte Lola Aleksi (Gjoka). Nxënëset e tjera, të degës normale, mësonin solfezhin, nga mësuesja e muzikës Jorgjia Filçe (Truja). Ajo organizoi korin e shkollës, me dy zëra. Në repertorin e tij përfshiheshin këngë atdhetare si edhe të muzikës së lehtë të kohës, si “Fyelli i bariut”, “Kanga e mbramjes”, “Kanga e mëngjesit”, “Detari”, “Në mërgim” etj.

Mësimdhënësit tanë ishin të gjithë të diplomuar në universitete të shteteve të ndryshme të Evropës. Ata dhanë më të mirën e tyre për të na pajisur me dije. Ishin përherë të sjellshëm. Nuk e ngritën asnjëherë zërin për të ndrequr ndonjë gabim të nxënëses që ishte ngritur në mësim, por ia vinin në dukje dhe e korrigjonin me mirësjellje. Ata na dhanë bazat e kulturës së përgjithshme, mbi të cilat u pasuruam gjatë jetës. Edhe ne përpiqeshim të mësonim sa më mirë, jo vetëm për të pasuruar dijet tona, por edhe sepse kjo na dukej si një farë shpërblimi për punën dhe mundimin e tyre.

Miqësia jonë zgjati përjetë

Shumica jonë ishim konviktore. Konvikti ndodhej në të njëjtin oborr me ndërtesën e shkollës. Kishte administrimin e tij të veçantë dhe drejtohej nga një staf kujdestaresh me drejtoreshën në krye. Ato ishin që të gjitha të arsimuara. Po përmend drejtoreshën, Ollga Plumbi, e cila, pas çlirimit, drejtoi për disa vite organizatën e Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare (BGASh). Ne ishim shumë të edukuara dhe iu thërrisnim “Zonjë” dhe “Zonjushë”, jo vetëm kujdestareve, por edhe rrobalarëseve, zonja Agnie, zonja Stamati, deri te portierja e rreptë, zonja Leftere.

Në një dhomë në katin e parë qe përshtatur infermieria me barnat e nevojshme për ndonjë shqetësim shëndetësor që mund të kishim. Drejtohej nga gjermania Maria. Ne e thërrisnim “Shvester (motër) Maria”. Ajo ishte tepër e ndërgjegjshme dhe kërkuese për rregullat dhe pastërtinë. Punonte me ndihmësen e saj, Kristina. Ne gëzonim shëndet të plotë, nuk sëmureshim asnjëherë.

Jetesa jonë e përbashkët ndikoi shumë që ne të lidheshim ngushtë me njëra-tjetrën, jo vetëm me nxënëset e të njëjtës klasë, por edhe me shoqe të tjera të klasave përpara ose pas nesh. Nuk donim të ndaheshim as gjatë pushimeve verore. Kështu, me shoqet e klasës time, që banonim në Vlorë (ishim katër-pesë shoqe) morëm nismën: Përpiluam një letër ku përshkruanim si po i kalonim pushimet. E dërguam te shoqet tona në një qytet tjetër. Ato shkruan nga ana e tyre dhe e dërguan në një tjetër qytet. Kështu ajo letër qarkulloi deri sa u kthye te ne, nismëtaret. Kur u mblodhëm në shtator për fillimin e vitit të ri shkollor e lexuam me sy të qeshur e me një kënaqësi të veçantë.

Ne dëshironim që, të gjitha shoqet të dilnin mirë me mësime. Por, si në çdo kohë e në çdo shkollë, kishte edhe nxënëse që “çalonin” në ndonjë lëndë, si gjuha italiane, matematika e ndonjë tjetër. Ato që i zotëronin mirë këto lëndë i ndihmonin sistematikisht, deri sa të arrinin të ecnin krahas shoqeve të tjera. Dhe asnjëra nuk mbetej në klasë. Kjo na jepte kënaqësi të veçantë. Por ne kishim edhe nxënëse të talentuara: Efigjeni Aleksi (në matematikë), Viktori Xhaçka (me zërin më të bukur në shkollë) Vangjeli Borova (në vizatim). Efigjeni vazhdoi studimet e larta jashtë shtetit dhe punoi si pedagoge në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Viktoria filloi studimet për kanto në konservatorin “Santa Çeçilia” në Romë. U kthye pa i përfunduar për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Por jeta jonë nuk kufizohej vetëm në mësimin dhe studimin, Ne dilnim herë-herë shëtitje nëpër zona jashtë qytetit, të shoqëruara nga kujdestaret. Një nga këto zona ishte fusha e Shallvares, e cila fillonte nga blloku i pallateve “Agimi”, sot, dhe vazhdonte prapa Universitetit të Arteve deri te zona e Liqenit, sot. Në të dyja anët shtriheshin fusha të blerta, me lulet karakteristike të tyre. Një zonë tjetër e shëtitjeve tona ishte Rruga e Elbasanit. Asnjë ndërtesë, vetëm fusha të blerta me lule në të dyja anët. Në të djathtë, në një kodrinë, spikaste Mauzoleu i Nënës Mbretëreshë.

Herë pas here organizoheshin edhe piknikë, po nga rruga e Elbasanit, apo pranë urës së Brarit. Në to merrte pjesë, përveç nxënëseve, edhe trupa mësimore, me drejtorin, Sotir Papahriston, në krye.

Një veprimtari tjetër që na jepte kënaqësi ishte edhe ceremonia e mbylljes së çdo viti shkollor, ku ishin të ftuara autoritetet vendore, prindër e kujdestarë të nxënëseve. Aty shpalosej një program i pasur muzikor-artistik me këngë të interpretuara nga kori, me pjesë të luajtura në piano e në violinë nga nxënëset e talentuara, me balet etj.

Veprimtari muzikore-artistike

Një veprimtari tepër e spikatur në këtë shkollë ishte edhe ajo muzikore-artistike. Jorgjia nuk u mjaftua vetëm me mësimdhënien e solfezhit dhe organizimin e korit, i cili vazhdoi të përsosej me tej, sa arriti të këndonte edhe pjesë operistike, siç ishte kori me gojë të mbyllur, nga opera “Madam Batërflaj” e Puçinit. Lola nuk u mjaftua vetën me dhënien e mësimit të pianos nxënëseve që ndiqnin degën klasike. Ajo kishte kryer edhe një shkollë dyvjeçare për balet, të cilin e organizoi edhe këtu, pas kthimit në atdhe, familjarisht, nga Sevastopoli, vendbanimi familjar. Kjo gjë u prit me shumë vlerësim e interes. Ishte hera e parë që Shqipëria kishte edhe një balet. Jorgjia e Lola u bënë nismëtare, organizatore e regjisore të të gjitha veprimtarive muzikore-artistike.

Nga viti në vit këto programe muzikore-artistike u pasuruan dhe u përsosën edhe më tej. Dhe kjo në saje të punës së palodhur, plot pasion, profesionalizëm e përkushtim të zonjushave Jorgjia Filçe (Truja) e Lola Aleksi (Gjoka).

Çdo fundviti shkollor mbyllej me një program të pasur artistik-muzikor, ku merrnin pjesë kori, soliste në piano e në violinë, recituese poezish, trupa e baletit etj. Ftoheshin autoritetet e vendit, prindër e kujdestarë të nxënëseve, si dhe merrnin pjesë edhe vetë nxënëset.

U shfaqën drama, si “Zonja Ingra e Ostrotit”, e Ibsenit; opereta, si “Datëlindja e gjyshes”, dhe në vitin 1938 u vu në skenë opereta “Iris” e kompozitorëve Meini e Xanoti. Libreti u përkthye në shqip nga Jorgjia. Kjo operetë kishte një pjesëmarrje të gjerë edhe të korit. Këto shfaqje, si edhe shumë të tjera, patën shumë sukses dhe gjetën një jehonë të gjerë në shtypin e kohës, me lavdërime e vlerësime.

Në ditët e para të prillit 1939, në kinema “Gloria” (më vonë – kinema “Republika”, e më pas “Milenium”, në rrugën e Kavajës), u dha një shfaqje nga nxënëset e shkollës, me pjesë teatrore, kor, balet, recitime etj. Në fund të pjesës teatrore aktorja kryesore (nxënëse e shkollës), pasi përfundoi së qëndisuri flamurin kombëtar, e ngriti lart duke thirrur “Shqipëria është e shqiptarëve”. Ne shpërthyem në duartrokitje dhe më pas demonstruam nëpër rrugët e qytetit. Kjo qe shkëndija e parë që ndezi vatrën e demonstratave të atyre ditëve në prag të pushtimit fashist italian.

Me veprimtarinë e vazhdueshme muzikore-artistike Instituti luajti rolin e një institucioni të mirëfilltë të tillë, në mungesë të institucioneve të profilizuara në këtë drejtim.

Në 1940-n ne morëm diplomën dhe u shpërndamë, për ta vazhduar miqësinë tonë deri në fund të jetës.

Nga sa përshkrova më sipër për veprimtarinë e shumanshme të kësaj shkolle, mund të them se Instituti “Nana Mbretneshë”, bashkë me Institutin Kyrias, do mbeten dy institucione të arsimit të mesëm të papërsëritshëm në historinë e arsimit tonë kombëtar.

*Ish-nxënëse e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”

Burimi: www.standard.al