Faiku erdhi në Shqipëri me 6 nëntor 1928 pak kohë pasi kishte marrë një ftesë nga monarku i ri Zogu I dhe qëndroi deri më 5 janar të 1929, por përpara se të shkonte në Southampton (port në Anglinë jugore) për të marrë vaporin drejt Nju Jorkut, bëri një ndalesë në Romë.

Musolini i kishte kërkuar një takim, ku mes të tjerash do të bisedohej për mundësinë që Zogu të martohej me një princeshë italiane.

Italianët donin me çdo kusht që mbreti të martohej me princeshën Mari Adelaide dhe kjo detyrë e vështirë i ishte ngarkuar ministrit italian në Tiranë, Ugo Sola, i cili në fshetësinë më të madhe i kishte dorëzuar Mbretit fotografinë e princeshës.

Por Zogu, i zgjuar siç ishte, duket se arsyetonte kështu: nëse martohej me princeshën Adelaide, atëherë italianët dhe disa shqiptarë të lidhur me ta do të ishin mjaft të interesuar për eliminimin e tij, në mënyrë që mbretëria t’i kalonte një italianeje. Faikut nuk i pëlqente ideja e martesës së Zogut me një princeshë italiane.

Ai mendonte se përshtypja do të ishte shumë më e mirë, në qoftë se Mbreti martohej me një amerikane, sepse edhe kushtetuta shqiptare nuk përcaktonte që bashkshortja e sovranit të ishte me gjak mbretëror.

A u takua Faiku me Musolinin? Dielli, duke iu referuar gazatave të Shqipërisë, lajmëronte se takimi qe bërë dhe se të dy patën një bisedë të gjatë. Por as Faiku e as ndonjë zyrtar italian nuke përmendën ndonjëheë një takim të tillë.

Edhe nëse takimi vërtet qe bërë, nuk u mor vesh kurrë se çfarë qe biseduar.

Marrë nga libri i Ilir Ikonomit; Faik Konica, Jeta në Uashington

Burimi: Konica.al