Shkrimtari, poeti dhe nobelisti kilian Pablo Neruda ka qenë i njohur për pikëpamjet e tij antifashiste. Për këtë dhe talentin e tij ai ka qenë i përkthyer edhe në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Por nuk dihej afeksioni i tij për regjimin stalinist të Enver Hoxhës duke e mbështetur hapur atë. Këtë e vërteton një telegram i shkruar prej Nerudës në adresë të diktatorit Enver Hoxha 68 vjet më parë.

Dhe a e dini për çfarë? Për nder të 10 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë! Në një broshurë-libër të botuar nga Komiteti Qendror i PPSH në vitin 1951, shkrimtari kilian i është drejtuar personalisht Enver Hoxhës, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i partisë dhe kryeministër në një letër-telegram. Ishte normale për atë përvjetor që Enver Hoxhës t’i shkruanin liderë komunistë nga Bota si Mao Ce Duni i Kinës dhe Kim Ir Seni i Koresë së Veriut por e të tjerë liderë komunistë, gjë që e kanë bërë.

Por që pas tyre, një gjë të tillë ta bënte edhe Pablo Neruda, i cilësuar nga Gabriel Garcia Marquez si poeti më i madh i shekullit të 20-të, kjo është e habitshme. Madje, në fjalët drejtuar Enver Hoxhës, nobelisti Neruda zbulon se ka patur edhe ftesë zyrtare të posaçme në adresë të tij të vinte në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e 10 vjetorit të themelimit të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Kjo tregon se marrëdhënia e Pablo Nerudës me Enver Hoxhën nuk ka qenë vetëm formale. Vetë Neruda sqaron se ka patur shumë dëshirë ta bënte realitet vizitën në Shqipëri por angazhime e tjera nuk ia kanë mundësuar.

Më poshtë fjalët drejtuar Enver Hoxhës:

“Shokut Enver Hoxha Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë,

Tiranë

Detyrat e Këshillit Botëror të Paqës më ndalojnë udhëtimin për në Republikën Popullore të Shqipërisë, të cilën do të dëshiroja shumë ta vizitoja. Lutemi pranoni në këtë përvjetor përshëndetjet e mija të nxehta për qeverinë tuaj popullore dhe dashurinë time për popullin shqiptar.

PABLO NERUDA”

/j.l./ dita – Burimi: GazetaDita.al