Qysh në fillimet e viteve ’90, kur filloi të fryjë era e demokracisë, shqiptarët i kthyen sytë nga bota e me politikën e dyerve të hapura që filloi të ndiqej, dhe morën lugët të gatshëm të uleshin në sofrën e begatë që do të shtronin të huajt sidomos Amërika. Harruan vetveten dhe origjinën nga vinin, trashëgiminë e pasur kulturore dhe zakonet e doket, lanë në harresë pasurinë nëntokësore e i vunë zjarrin asaj mbitokësore, braktisën tokat pjellore duke i kthyer në djerrina dhe u sulën mbi uzinat e fabrikat duke u rrëmbyer hekurin për ta shitur për skrap. Strategjia dhe taktika e politikanëve që erdhën në krye të forcës që u quajt demokratike ishte që të shkatërrojmë gjithçka “komuniste”, “të fillojmë gjithçka nga zero” madje të bëjmë edhe “vaksinimin e popullsisë”, duke krijuar mendimin tek shumica e shqiptarëve se nuk kishim qenë asnjëherë komb e shtet, e sikur po lindim e po krijoheshin komb për herë të parë fill pas viteve ’90.

Aq sa e pati shtrënguar regjimi monist, duke e mbyllur gjithçka në bunkerë e në klone me gjemba, aq shumë e shthurën politikanët e rinj të demokracisë, që erdhën pas Hoxhës, duke u kaluar nga politika e dyerve të mbyllura në politikën e dyerve të shqyera. Nën presionin dhe agresivitetin gjakatar të ca forcave të errëta që “iknin gjithmonë në drejtim të paditur” u shkatërruan shkolla e dyqane, ambulanca e spitale, vepra ujitëse e blloqe me pemë frutore, u vodhën magazinat e iu flaka vendit, sikur gjithë kjo pasuri të mos ishte e shqiptarëve, e vënë me djersën dhe gjakun e tyre gjatë monizmit 45 vjecar. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo u vranë mijëra njerëz të pafajshëm e mijëra të tjerë morën udhët e botës. Kudo, edhe në fshatin më të largët u bë sunduese motoja: Ç’i duam tokat, do na sjellë Amerika vaporët plot me miell e prodhime blegtorale me bollëk.

Dhe fushat më të bukura e arat më pjellore u lanë djerrë e shqiptarët drejtuan sytë nga qielli e deti, duke pritur ndihmat që hidhnin shoqata bamirëse. Të rinjtë qytetarë braktisën punën në fabrika, lanë mjekrat e u veshën me xhinse dhe u nisën në këmbë maleve e detit me traget për të gjetur parajsën e humbur në dhe të huaj. Dëgjonin një bori makine në një kthesë rruge e shihnin një avion në qiell, e të gëzuar sikur të kishin zbuluar një Amerikë tjetër thërrisnin: Erdhën ndihmat. Harruan kështu shqiptarët nder e krenari, neverinë për lëmoshën e zvarritjen dhe turreshin truma- truma andej ku zbriste një helikopter, apo ku ndalonte një skodë me ndihma dhe duke shkelur mbi njeri-tjetrin, rrëmbente më shumë ai që ishte më i fuqishëm. U bëmë gazi i botës për një palë pantallona e një bidon vaj të ardhur nga mëshira kristiane, kur ne i kishim me bollëk e me çmime fare të lira këtu në vendin tonë.

Harruan se vetë e kishin ngritur hidrocentralin e metalurgjikun, azotikun dhe superfosfatin, uzinën e telave dhe minierat e pasura dhe i shkatërruam e i dogjëm të gjitha se “ishin komuniste” dërguan materialet e tyre për skrap. Me urrejtjen për socializmin kthyem në gërmadha fabrikat e këpucëve dhe kombinatin e tekstileve dhe vrapuan tek Gabi, duke e mbushur shtëpinë me lloj-lloj vjetërsirash të botës që binin era kërmë. Pasi shkatërruam gjithçka të mirë e të bukur që patëm, pasi u derdh badihava mjaft gjak shqiptari, u ndalëm për një çast në vandalizmin tonë dhe i kthyen sytë nga xhamitë e kishat duke u lutur: O zot na jep kot! Por kur e kuptuan se edhe me nuska e lutje nuk vinte mirëqenia, vërshuan përsëri udhëve të kurbetit. Çobani la bagëtinë në pyll, bujku braktisi pendën e qeve në mes të arës, studenti flaku tufën e leksioneve në qoshe rrugësh, shkollari e mësuesi i bëri naftën shkollës, dhe mbushën tragetet e ikën nga sytë këmbët.

Harruan shqiptarët e gjorë se kush ishin, nga vinin, po nuk dinin as nga shkonin. Shumica e rinisë krijoi bindjen se ky vend nuk bëhej më, ndaj morën vendimin: O burra të ikim jashtë Atdheut, se atje është parajsa!” Kështu lanë pas shpine sedrën e punës dhe krenarinë e dinjitetin kombëtar dhe mbushën udhët e botës me fshesaxhinj, shërbëtorë plakash që s’i kapnin as fëmijët e tyre me dorë dhe krenoheshin kur numëronin dhrahmitë apo eurot në fund të muajit, edhe pse binin era bajgë. E nuk nxunë kollaj mend, as kur afendikoi nuk u jepte as çerekun e djersës së derdhur, madje as kur disa prej shokëve e vëllezërve të tyre i këmbyen lekët me kokat e tyre.

Kemi kaluar 28 vite demokraci dhe ende mjaft shqiptarë mendojnë sikur bota ngryset e gdhihet duke vrarë mendjen vetëm me hallet tona. Bëjnë politikanët tanë gabime e krime dhe shqiptari hallexhi në vend t’i ndalë e t’i ndëshkojë, mendon: Hë, mo se nuk i lë Amerika, ua mbledh ajo rripat”! Bëhemi shpesh herë qesharakë për probleme që kanë të bëjnë me mbrojtjen tonë kombëtare, dhe menjëherë justifikohemi: Hë mo, se nuk kanë ç’të na bëjnë se na mbron NATO”! Shfaqet një kontradiktë në aspektin ndërkombëtar, që cënon dinjitetin e kombit dhe tulatemi mbas asaj se “jemi pjesë e Europës dhe kemi nënshkruar marrëveshjen e Asocim Stabilizimit”! Filloi procesi i vetingut në drejtësi dhe mjaft politikanë e intelektualë nuk kanë besim tek qeveria “Rama”, por shpresojnë se vetingun do ta çojë deri në fund Amerika dhe Brukseli. Zhvillohen forume të larta shtetërore e partiake dhe politikani më naiv, që nuk e ka haberin fare të politikës së Perëndimit, përdor në fjalën e tij citate e dialogje të udhëheqësve të këtyre vendeve. Bëhen debate e diskutime jashtë çdo limiti logjik, organizohen koncerte e aktivitete pa kulturën e nevojshëm vetëm për komercializëm, dhe justifikohen me naivitet: kështu e ka bota! E ata që i quajnë si të prapambetur, anakronistë, pyesin me ironi: Nëse kjo është e botës, ajo tjetra është e Perëndimit, nëse për ne punon e mendon bota, po Shqipëria dhe shqiptarët ç’bëjnë, ku janë!?

Ku shkon djersa e shqiptarit, cila është jona, krejtësisht kombëtare, ku janë këngët tona, shkencëtarët tanë, shkrimtarët e poetët e vërtetë, politikanët dhe pushtetarët me dinjitet. Edhe aty ku është bukuria ne na duket tmerr, aty ku është parajsa ne na duket ferr, aty ku është pasuria ne na duket boshllëk. Ne shqiptarët shkelim përditë mbi ar dhe nuk e shohim. Nuk më harrohet kurrë vlerësimi i një suedezi për pyllin e bukur e të paprekur të dikurshëm të Fushë-Arrëzit: Ah, sikur dy drunj të kisha atje unë, dhe do të bëja mrekullira”! Ne vetë nuk e kemi vlerësuar veten dhe vendin sa duhet, nuk kemi ditur të shfrytëzojmë traditën dhe resurset tona, por kemi mbivlerësuar, ndoshta edhe pa asnjë shkak çdo gjë të huaj duke rënë në servilizëm. Nëse ashtu siç thotë at Zef Pllumi se ne shqiptarët nuk paraqitemi para botës: Të qytetnuem-jo, të shkolluem-jo, të edukuam-jo, të përparuem-jo, të bashkuem-jo se jo”, atëhere çfarë presim ne nga bota!? Shenjtorja Nënë Tereza porosit: “Shqiptarët kanë për të bërë më shumë për atdheun, nëqoftëse kanë për t’u dashë ma tepër ndërmjet vedit”.

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Burimi: www.sot.com.al