Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, i cili prej vitesh mbetet një nga më të frekuentuarit gjatë gjithë vitit nga turistët e huaj dhe vendas gjithashtu, (krahasuar me më gjitha muzetë e tjerë që ka Shqipëri), u përurua më 1 nëntor të vitit 1982 dhe ai u projektua nga dy arkitekët e njohur të asaj kohe, Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha.

Në atë kompleks muzeal që përbëhet prej disa pavionesh e sallash ku janë ekspozuar mjaft objekte origjinale apo riprodhime, relike dhe dokumente me vlera të rralla historike dhe muzeale, ndodhen edhe disa piktura që janë punuar nga disa prej autorëve më në zë të pikturës shqiptare.

Si p.sh. muralja e Naxhi Bakallit, me titull “Beteja e Skënderbeut”, që ndodhet në sallën kryesore, e cila sipas drejtuesëve të këtij muzeu, pas viteve ’90-të e deri më sot, është një nga më të vizituarit prej turistëve të huaj dhe vendas gjithashtu.

Atë vepër të rrallë dhe unike në Shqipëri, kritika e arteve pamore e ka vlersuar jo vetëm për shkak të përmasave të saj (është më e madhja e artit në Shqipëri për të gjithë kohrat), por edhe nga ana e kompozimit të saj, e cila gjithashtu mbart vlera të rralla dhe përbën një kryevepër me të cilën do krenohej çdo vënd.

Ndërsa këto gjëra janë mjaft të njohura tashmë, ajo që nuk njihet shumë është puna që i është dashur të bëj dhe vështirësitë që ka kaluar autori Bakalli për realizimin e saj.

Gjë e cila përbën një kapitull trishtues më vete dhe nuk është objekt i këtyre pak rradhëve, por duhet thënë se përpara se mjeshtri Bakalli të fitonte konkursin (në bazë të boceteve) për realizmin e saj, dy tre vjet më parë, (viti 1974), ai ishte kritikuar ashpër nga kritika dhe instruktorët që mbulonin artin në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, duke u akuzuar si “modernist” pasi punët e tij “anonin nga arti kubist” dhe ishin “jashtë kornizave të realizmit socialist”, e kësisj, sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia, midis të tjerash në raportin përkatës ku “kryqëzohej” mjeshti Bakalli, kishte shkruar” “Të largohet nga Tirana dhe të dërgohet mësues në ndonjë fshat të largët apo shtëpi kulture kooperative bujqësore”.

Gjë e cila nuk ndodhi edhe për shkak se Bakalli paraqiti bocetet e tij në konkursin që u hap për muralen e Muzeut të Skënderbeut në Krujë, ku ai fitoi vëndin e parë dhe e realizoi atë pas një pune disa vjeçare me plot pengesa dhe peripeci.

Nisur nga sa më sipër, ekskluzivisht për Memorie.al po publikojmë disa foto fare të panjohura që botohen për herë të parë, të cilat na paraqesin mjeshtrin më të famshëm të kavaletit e penelit shqiptar, prof. Naxhi Bakalli, gjatë kohës që ai punonte për muralen e Skënderbeut në atë muze, çaste meditimi, apo pushimi me asistenët e tij etj.

Bashkë me këto foto, po publikojmë edhe disa foto të tjera, ku ai ka dalë me familjen e tij, bashkëshorten, Violeta Grimci Bakalli, (pianiste e njohur) dhe fëmijët, të cilët i qëndruan gjithnjë pranë

Marrë nga portali Memorie.al