Nga Zefina Hasani- Kanë kaluar gati 22 vjet nga ajo nata kur, me një entuziazëm të çuditshëm, u ula në sallën e Pallatit të Kongreseve (atëherë na dukej si botë magjike), për të parë e dëgjuar, për herë të parë, një koncert recital, të një prej këngëtareve të mia të preferuara të atyre festivaleve në RTSH, që më kishin ngulur para televizorit të shtëpisë, çdo vit, me të njëjtën dëshirë: për t’i mësuar këngët e bukura, menjëherë, fjalë për fjalë e tingull për tingull. Këngët e Manjola Nallbanit ishin pa diskutim ato që i dëgjoja pa fund, çdo herë. Ndaj në ato kohë lufte e çmendurie të ’97-ës, prerja e biletës dhe vjtja në atë recital ishte gjëja më e bukur që bëra. Ishte gjëja që do ta kisha bërë edhe 1000 herë të tjera.

E bëra edhe këtë herë. U ula në një tjetër kohë, në një tjetër sallë (të Qendrës Orthodokse), e sigurisht e tejngopur tashmë me evente artistike e koncerte, e megjithatë pata po atë entuziazëm të çuditshëm si të 22 viteve më parë. Sepse e dija ç’këngë do të shijoja, ato me të cilat nuk mërzitem kurrë së dëgjuari dhe kënduari. Sepse e dija sa do të më kënaqte prapë Manjola, me atë zërin e saj sa potent po aq dhe delikat e të ëmbël.

E dija mbi të gjitha se në këtë recital të ri, pas një karriere të gjatë (gati 30 vjeçare), ajo do të sillte një koncept krejt të ri të të gjithë repertorit të saj artistik. Dhe ashtu ndodhi. Këngët erdhën në një riorkestrim fantastik (nga Elton Deda, Enis Mullaj dhe Endri Muçaj), u luajtën nga një bandë muzikore tejet profesioniste dhe u kënduan ashtu siç Manjola nuk i kish kënduar kurrë ndonjëherë. Ose dukej kështu ndoshta sepse repertori i saj po përcillej pothuajse i gjithi i ripërtërirë dhe se edhe ajo vetë po e shijonte si të tillë. Sa më shumë shijonte ajo, aq më shumë ekzaltoheshim ne përballë saj, në çdo herë që ndryshonte trajtat nga muzika klasike e opereta, tek këngët popullore e tek ato, të preferuarat e mia, këngët e muzikës së lehtë…

“Përse të dua”, “Udhëtoj i menduar” e sigurisht e gjithëpushtetshmja “Kur e humba një dashuri”. Sa më shumë shijonte ajo, aq më shumë emocionoheshim ne përballë saj, kur miqtë e ftuar (Aurela Gaçe, Eli Fara, Katriot Tusha e Shkëlzen Jetishi) në skenë i puthnin duart dhe i shprehnin konsideratën dhe dashurinë për gjithçka ajo i ka dhënë publikur në gjithë këto vite.

Sa më shumë shijonte ajo, aq më shumë unë ndjeja se pas koncertit të “3 muskëterëve” (Elton Dedës, Aleksandër Gjokës e Redon Makashit) në Pallatin e Kongreseve unë s’kisha shijuar dot kaq shumë, një natë si kjo, me muzikë 100 % të vërtetë, me nota në pentagrame, me tinguj, fjalë e zë. Mbi të gjitha me këngë, që për mua janë dashuri e vërtetë, që s’e humbas dot më.

Burimi: https://gazetasi.al