Nga Dashnor KALOÇI

Pjesa më e madhe e të rinjëve të para viteve 90-të, anëtarë të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, ishin të detyruar që të merrnin pjesë në aksionet e ndryshme, anë e mbanë vëndit, nga jugu në veri, duke “iu përgjigjur thirrjes së Partisë” atje ku “i kërkonte atdheu”. Si p.sh. në hapjen e taracave e brezareve në Rivierën Shqiptare në plantacionet e agrumeve, në ndërtimin e hekurudhës “Rrogozhinë-Fier” apo “Elbasan-Prrenjas-Gur i Kuq”,“Milot-Shkodër”, në ndërtimin e veprave të ndryshme të pesëvjeçarëve, siç ishte Kombinati Metalurgjik “Çeliku i Partisë”, etj etj vepra madhore të atyre viteve, ku rinia e asaj kohe dha një kontribut të jashtëzakonshëm me punën e saj.

Por në këto aksione, “rinia revolucionare” nuk derdhte vetëm djersë, kalitej, apo dashurohej, siç trumbetonte me të madhe propaganda zyrtare e asaj kohe, por kishte mjaft raste që ajo derdhte edhe grushta dhe shkelma, duke bërë sherre masive ndërmjet brigadave të aksionistëve të rretheve të ndryshme.

Mirëpo këto ngjarje që ndodhnin jo rrallë kudo nëpër aksionet e rinisë, të cilat quheshin “ngjarje të jashtëzakonëshme”, siç dihet nuk bëheshin kurrë publike, por ato dokumentoheshin dhe i përcilleshin Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku i bëhej e ditur edhe për masat që ishin marrë ndaj fajtorëve.

Po kështu edhe Komiteti Qëndror i PPSH-së nëprmjet instruktorëve të Sektorit të Edukimit, jepte dhe orientimet përkatëse, rast pas rasti, se si duhej vepruar dhe masat përkatëse që duheshin marrë për çdo ngjarje të jashtëzakonëshme.

Kjo gjë veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që publikohet ekskluzivisht për gazetën TemA dhe që i përket vitit 1973, ku bëhet fjalë mbi një rrahje midis vullnetarëve të brigdave të rrethit të Shkodrës dhe asaj të Vlorës. Ngjarje e cila është dokumentuar dhe përcjellë Komitetit Qëndror të PPSH-së, nga Jovan Bardhi, sekretar i parë i Komitetit Qëndror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë së asaj kohe.

Burimi: ShkodraWeb.com