Këngëtari Eugent Bushpepa ka fituar të drejtë e përfaqësimit shqiptar në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë.

Kënga e tij “Mall” do të udhëtojë për në Portugali vitin tjetër, për të provuar hyrjen në finale të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Për ata që nuk e njohin Eugentin, ai ka kohë që këndon dhe është lehtë i identifikueshëm si një vokal i fuqishëm. Eugentin e njohim me anë të paraqitjeve në Top Fest në Shqipëri, në edicionin e nëntë me këngën “Udhëtari” dhe para dy vitesh me këngën “Pranë finishit”.

Bushpepa ka lindur në Rrëshen në vitin 1984. Ka jetuar për disa kohë në Itali ndërsa ishte televizioni Top Channel në Shqipëri vendi ku ai gjeti përkrahjen më të madhe, që nga viti 2006

“Maska e madhështisë” mbetet ndër këngët më të mira të Eugentit, e realizuar në vitin 2007, ndërsa të njëjtin vit ai morri pjesë në TOP FEST në bashkëpunim me Sunrise, me këngën “Engjëll”.

Në Top Fest ai ka pasur paraqitje edhe në vitin 2011-të e 2013-të. Në vitin 2008 ai morri çmimin Zëri më i mirë në Top Fest, çmim të cilin më pas e morri prapë në vitin 2011-të.

Ai ka qenë një prej zërave që ka shoqëruar grupin Deep Purple, kur këta të fundit mbajtën koncert në Shqipëri në vitin 2007 në kuadër të një turneu të veçantë. / KultPlus.com