Tani pas kaq vitesh, pasi jemi njohur disi me veprën e Kristo Luarasit, themi se ne ende nuk mund ta dimë dhe nuk mund ta marrim dot me mend se cili do të kishte qenë fati i veprave të rilindësve tanë të mëdhenj, sidomos vëllezërve Frashëri, dhe i gjithë asaj pune për zgjimin kombëtar nëpërmjet gjuhës dhe shkollave shqipe, pa përkushtimin aq të zellshëm atdhetar të një prej apostujve më të shquar të shqiptarizmës gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, Kristo Luarasit.

Ndoshta shumë prej veprave të tyre s’do ta kishin parë kurrë dritën e botimit e do t’i gjenim sot dorëshkrime nëpër arkiva ose do të ishin botuar me vonesë dhe jo me atë vrull, me atë numër e me atë shpejtësi që i botoi Kristo Luarasi, i cili, që djalë fare i ri, adoleshent 17-vjeçar, shkoi në Stamboll te Naimi  dhe mori prej tij “izën”, autorizimin për botimin e veprave të tij dhe të të gjithë patriotëve të Shoqërisë së Stambollit.

E gjithë veprimtaria mbi 40-vjeçare e Kristos, si një mision atdhetar dhe politik, është  mishëruar në shtypshkronjën “Mbrothtësia”, fillimisht në Sofje, kur ai ishte fare i ri, në Selanik e më pas në Tiranë, me shtëpitë botuese “Kristo Luarasi”, “Luarasi” etj., me një gamë të madhe botimesh prej 600 e ca titujsh librash politikë, juridikë, artistikë, fetarë, shkollorë, disa të ribotuara me dhjetëra herë me  tirazhe të ndryshme, duke plotësuar për herë e më mirë nevojat e një populli të etur për arsim, kulturë e dije, duke sjellë veç Frashërllinjve edhe  autorë si De Rada, Sterjo Spasse, Mit‘hat Frashëri, Haki Stërmilli, Nexhat Hakiu, Thoma Floqi, Xhevat Belegu, Milto Sotir Gurra; autorë të huaj si Viktor Hygo, Honore de Balzak, Aleksandër Dyma, De Foe, Alfons Dode, Leon Tolstoi etj. etj

Në fushën e shtypshkrimeve Kristo Luarasi pa frikë mund të cilësohet si “Gutenbergu shqiptar”, por ai shkëlqen edhe si krijues, si gazetar editorialësh, shkrimesh redaksionalë e problemorë, si drejtues dhe organizator i disa gazetave të rëndësishme të kohës.

Duke patur edhe ndihmën e Mit’hat Frashërit dhe Shahin Kolonjës, ai zë një vend nderi në historikun e medias shqiptare si themelues i disa organeve shtypi si “Kalendari Kombiar”, “L’independence albanaise”, gazetat “Lirija” dhe “Dituria”, “Drita”, për të vijuar më tej me  gazetat “Lajmëtari” dhe “Liri e Shqipërisë”.

Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për 8 vjet rresht për nxjerrjen e gazetës kombëtare “Drita” (1901-1908) dhe “kalendarin Kombiar, shkruan se “kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku”.

Noli i madh nga përtej oqeanit, do ta përcaktonte Kristo Luarasin si “një prej 28 personaliteteve shqiptare që vunë themelet e shtetit shqiptar” dhe si një “gud bisnesmen”  që vuri gjithçka, jetën e tij, familjen, kamjen e gjënë e vet në shërbim të Shqipërisë.

Ndërsa Mit’hat Frashëri, miku i tij i ngushtë, një miqësi që u quajt mëkat dhe u pagua shtrenjtë, me haraçin e harresës gjatë regjimit komunist, por edhe më pas, do të shprehej: “Kristo Luarasi duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijë e mijë lëçitës të libravet dhe gazetavet që dilnin nga duart e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshim akoma për bashkëpunëtorët e tij”./Njekomb.com/